Kërko

Podcast commento al vangelo Podcast commento al vangelo 

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 24-të gjatë vitit ‘B'

Fjala e Zotit na fton të përgjigjemi në pyetjen thelbësore: “ Kush është për mua, për ty Jezusi i Nazaretit?”. E pastaj: “A shndërrohet e mishërohet Feja ime, besimi në vepra apo jo?”. Pjetri jep një përgjigje të qartë e të menjëhershme: “Ti je Krishti”, që do të thotë Mesia, i shuguruari i Hyjit i dërguar për shpëtimin e popullit të vet.

R.SH. - Vatikan

Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj here meditojmë leximet biblike të liturgjisë së Fjalës Hyjnore të dielës së 24-të gjatë vitit kishtar, ciklit të dytë, sipas kalendarit liturgjik të kishës. Liturgjia e Fjalës së Zotit e kësaj së diele na fton të zbulojmë në Krishtin fytyrën e vërtetë të Hyjit Dashuri e Shëlbues. Kështu, pjesa e Ungjillit na ndihmon ta njohim identitetin e Jezu Krishtit dhe na drejton thirrjen për të ecur gjurmëve të Tij udhës së kryqit.

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 24-të gjatë vitit kishtar ‘B’

Me fragmentin e Ungjillit të kësaj së diele, jemi në qendër të ungjillit sipas Markut e pjesa që lexohet është e një rëndësie kapitale për kuptimin e tërë ungjillit e, më në përgjithësi, për të sqaruar se çka do të thotë të ecësh pas Jezu Krishtit. Nuk është besimtar i vërtet kush thotë se ka fe por nuk i do vëllezërit në mënyrë konkrete dhe nuk e ndjek Jezusin në udhën e kryqit: kjo është përmbledhtas ajo çka na mëson liturgjia e Fjalës së Zotit e kësaj së Diele.

Jezu Krishti Zot nuk ka ardhur për të mësuar ndonjë filozofi por udhën që çon në jetën e vërtetë. Leximet biblike të liturgjisë së Fjalës Hyjnore të kësaj së diele të 24-të gjatë vitit kishtar, na ftojnë si besimtarë të përgjigjemi në dy pyetje e çështje thelbësore: “ Kush është për mua, për ty Jezusi i Nazaretit?”. E pastaj: “A shndërrohet e mishërohet Feja ime, besimi yt në vepra apo jo?”. Në pyetjen e parë Pjetri jep një përgjigje të qartë e të menjëhershme: “Ti je Krishti”, që do të thotë Mesia, i shuguruari i Hyjit i dërguar për shpëtimin e popullit të vet. Pjetri e apostujt tjerë, pra në dallim me pjesën e madhe të njerëzve, besojnë se Jezusi nuk është një mësues i madh, apo një profet, por shumë më tepër. Ata kanë fe: besojnë se në Të është i pranishëm e vepron Hyji.

Mirëpo menjëherë pas këtij rrëfimi të fesë, atëherë kur Jezusi për herë të parë paralajmëron publikisht se do ti duhet të vuajë shumë e do të vritet, vet Pjetri e kundërshton perspektivën e vuajtjes e të vdekjes. Atëherë Jezusi detyrohet ta qortoi me forcë, për ta ndihmuar atë të kuptoi se nuk mjafton të besosh se Ai është Zot, por të nxitur nga dashuria duhet ta ndjekim rrugës së tij, rrugës së kryqit (krh Mk8,31-33). Jezusi nuk ka ardhur për të na mësuar ndonjë filozofi, por për të na treguar udhën, atë udhë që na udhëheq drejt jetës.

Kjo udhë është dashuria, e cila është shprehje e fesë së vërtetë në Zotin. Nëse ndokush e do të afërmin me zemër të pastër e me bujari, do të thotë se e njeh më të vërtetë Zotin. Nëse përkundrazi ndokush thotë se beson në Zotin, por nuk i do vëllezërit, nuk është besimtar i vërtet. Zoti nuk banon në të. Në leximin e dytë të liturgjisë së Fjalës Hyjnore të kësaj së diele, Shën Jakobi pohon në mënyrë të qartë: “ Në qoftë se feja nuk i ka veprat, është e vdekur në vetvete” (Jak 2,17).

Lidhur me këtë, Shën Gjon Gojarti, njërit ndër Etërit e mëdhenj të Kishës, të cilin kalendari liturgjik e përkujton më 13 shtator, pikërisht duke komentuar pjesën e cituar të Letrës së Jakobit apostull, shkruan Shën Gjon Gojarti: ‘Ndokush edhe mund ta ketë fenë e drejtë në Atin e në të Birin, kështu edhe në Shpirtin Shenjt, por nëse nuk e ka edhe udhën e drejtë, feja e tij nuk do t’i shërbejë për shpëtim. Prandaj kur lexojmë në Ungjill: “Kjo është jeta e pasosur: që të njohin ty, Një të vetmin Hyjin e vërtetë” (Gjn 17,3), mos mendo se ky varg ungjillor mjafton për të na shpëtuar: është e domosdoshme që jeta dhe veprat të jenë krejtësisht të pastërta”.

                                                  Liturgjia e Fjalës

Leximi i parë Is 50, 5-9

Lexim prej Librit të Isaisë profet

Zoti Hyj ma hapi veshin, s’kundërshtova, nuk u zmbrapsa. Shpinën ua solla atyre që më rrahnin, mollëzat e mia atyre që ma shkulnin mjekrrën: fytyrën time nuk e largova nga të sharat e pështymat. Zoti Hyj është ndihmëtari im, këndej edhe s’jam i tronditur, prandaj fytyrën time e bëra të fortë si stralli, pse e di se s’do të mbetem i turpëruar. Afër e kam atë që ma jep të drejtën, kush guxon të shtyhet në gjyq me mua? Le të dalim përballë njëri-tjetrit! Kush është kundërshtari im? Le të më dalë përballë! Ja, Zoti Hyj është ndihmëtari im, kush është ai që do të më dënojë? Të gjithë ata do të brishtohen si petku, tenja do t’i brejë!  Fjala e Zotit.

Psalmi 114/115

Do të eci në praninë e Zotit

----------
E dua Zotin sepse e dëgjon
zërin e lutjes sime;
sepse mbi mua e pruri veshin e vet
atë ditë që e thirra në ndihmë.
----------
Më kishin rrethuar leqet e vdekjes,
më kishin shtrënguar leqet e nëntokës,
më ndrydhën trishtime e dhembje.
Emrin e Zotit e thirra në ndihmë:
“Deh, o Zot, ma shpëto jetën!”
----------
I mirë e i drejtë është Zoti,
Hyji ynë është vetë mirësia!
Zoti është mbrojtësi i të vegjëlve:
isha ngushtë e Ai më shpëtoi!
----------
Ai ma shpëtoi jetën prej vdekjes,
sytë e mi prej lotve,
këmbët e mia prej rënies.
Do të eci në praninë e Zotit
në tokën e të gjallëve.
----------

Leximi i dytë Jak 2, 14-18

Lexim prej Letrës së shën Jakobit apostull

Ç’dobi, o vëllezërit e mi, nëse ndokush thotë se ka fe, në qoftë se nuk i ka veprat? A thua mund ta shpëtojë vetëm feja? Në qoftë se ndonjë vëlla ose ndonjë motër janë të zhveshur ose pa ushqimin e përditshëm, dhe ndokush prej jush u thotë: “Shkoni në paqe! Nxehuni dhe ngijuni!”, por nuk u jepni çka u nevojitet për trup, ç’dobi?!
Kështu edhe feja: në qoftë se nuk i ka veprat, është e vdekur në vetvete. Por ndokush mund të thotë: “Ti ke fenë, kurse unë kam veprat.” Ma trego ti fenë tënde pa vepra, kurse unë do ta tregoj prej veprave të mia fenë.  Fjala e Zotit.

Ungjilli Mk 8, 27-35

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Markut

Në atë kohë, Jezusi u nis me nxënësit e vet drejt fshatrave të Cezaresë së Filipit. Udhës i pyeti nxënësit e vet: “Çka thonë njerëzit, kush jam unë?” Ata i përgjigjën: “Disa thonë se Gjon Pagëzuesi, do tjerë Elia, do tjerë prapë se je njëri ndër profetë.”
Atëherë i pyeti ata: “Po ju, kush thoni se jam?” “Ti je Mesia!” – i përgjigji Pjetri. Ai u urdhëroi rreptësishtë të mos i tregojnë askujt këtë gjë për të.
Atëherë filloi t’u shpjegojë se Birit të njeriut i duhet të pësojë shumë; se pleqtë, kryepriftërinjtë e skribët do ta përbuzin; se do të vritet dhe se do të ngjallet pas tri ditësh. Ua tha këto krejt haptas.
Atëherë Pjetri e ndau në një anë e zuri ta qortojë. Jezusi u suall, shikoi nxënësit e vet dhe i bërtiti Pjetrit: “M’u hiq sysh, he djallë, se nuk i ke ndërmend punët e Hyjit, por punët e njerëzve!”
Atëherë grishi popullin bashkë me nxënësit e vet dhe u tha: “Nëse ndokush do të vijë pas meje, le t’i bjerë mohit vetvetes, ta marrë kryqin e vet e të më ndjekë. Sepse, ai që do ta shpëtojë jetën e vet, do ta bjerrë, përkundrazi, ai që do ta bjerrë jetën e vet për mua e për Ungjill, do ta shpëtojë.”  Fjala e Zotit.

14 shtator 2018, 17:56