20180909_vangelo di domenica 20180909_vangelo di domenica 

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 23 gajte vitit kishtar "B"

Nga shërimi i shurdhmemecit në Ungjillin e kësaj së diele na drejtohet thirrja të lirohemi nga mëkati që na bënë të verbër e memec. Ta dëgjojmë Fjalën e Zotit për të mësuar të flasim gjuhën e dashurisë..

R.SH. - Vatikan

Ja në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj here do të dëgjojmë e meditojmë së bashku, leximet biblike të liturgjisë së Fjalës Hyjnore të dielës së 23-të gjatë vitit kishtar, sipas liturgjisë kishtare.

Shërimi” për njeriun, si në nivelin e brendshëm e po kështu edhe në atë të jashtëm, do të thotë hapje ndaj të tjerëve e ndaj botës, që, duke u nisur nga pamja – dëgjimi, e përfshinë në njeriun e tërë dhe jetën: më në fund mund të “komunikohet në mënyrë të re”. Kështu mësojmë nga Ungjilli i kësaj së diele, të 23-të gjatë vitit të liturgjisë kishtare, nga shën Marku, që na rrëfen për shërimin e një shurdhmemeci nga Krishti, në udhën ndërmjet Tirit e Sidonit.

Të gjithë e dimë që mbyllja e njeriut, izolimi i tij, nuk varët vetëm nga organet shqisore: ekziston edhe mbyllja e brendshme, që prek thellësinë e njeriut, atë të cilën Bibla e quan ‘zemër’. E Jezusi ka ardhur për ta ‘hapur’ pikërisht zemrën, për ta liruar, për ta bërë njeriun të aftë të jetojë më të vërtetë në thellësi e plotësi marrëdhënien e tij me Zotin e me të tjerët. 
Shërimi i shurdhmemecit, qe për të jo vetëm një shërim fizik, po hapje ndaj të tjerëve e ndaj botës, një çelje që, duke u nisur nga shqisa e dëgjimit dhe e fjalës, e përfshiu tërë qenien e tij dhe jetën e tij: tashmë më në fund mund të komunikonte e prandaj të relacionohej në një mënyrë të re.

Pjesa e Ungjillit të kësaj së diele, na dorëzon këtë fjalë të vogël, ‘effat’ – ‘çelu’, që në vetvete përmbledh tërë misionin e Jezu Krishtit. Ai, është bërë njeri në mënyrë që njeriu, që u bë i shurdhët në brendësi dhe memec nga mëkati, të bëhet i aftë për ta dëgjuar zërin e Zotit, zërin e Dashurisë që i flet zemrës së tij, e kështu të mësojë edhe ai të flasë gjuhën e dashurisë, të komunikojë me Zotin e me të tjerët.

“Për këtë arsye, fjalët e gjestet dhe ‘ effatà ‘ janë vendosur në Ritin e Pagëzimit, si një ndër shenjat që tregojnë domethënien: prifti, duke prekur gojën e veshët e posa pagëzuarit thotë: Effatà, duke u lutur që sa më parë të mund ta dëgjojë Fjalën e Zotit e ta rrëfejë fenë në Hyjin. Siç na mëson edhe katekizmi i Kishës, përmes Pagëzimit njeriun fillon të marrë frymë me Shpirtin Shenjt, atë që Jezusi e pati kërkuar nga Ati Qiellor me psherëtimë të thellë, për ta shëruar shurdhmemecin. Nga shërimi i shurdhmemecit në Ungjillin e kësaj së diele na drejtohet thirrja të lirohemi nga mëkati që na bënë të verbër e memec.

                                     Liturgjia e Fjalës së Zotit

Leximi I nga Is 35,4-7a
Isaia na tregon efektet e pranisë së Hyjit mes njerëzve: pranvera lulëzon, kthehet guximi, një popull rigjen lirinë e tij, të mërguarit kthehen në atdhe, sytë e të verbrit hapen, shurdhi mund të dëgjojë, memecit i zgjidhet gjuha. Të gjitha këto Jezusi i kreu duke na zbuluar dashurinë e Atit.

Lexim prej Librit të Isaisë profet

Thoni atyre që i ka lëshuar zemra: “Mbahuni! Frikë mos kini! Ja, Hyji juaj! Erdhi hakmarrja! Ia behi shpagimi i Hyjit! Vetë do të vijë e do t’ju shëlbojë!” Atëherë sytë do t’u çelen të verbërve, veshët e të shurdhërve do të dëgjojnë; atëherë i shqepti do të kërcejë si dreri, gjuha e të pagojit do të shpërthejë në hare, se në shkretëtirë do të burojnë ujërat, përrenjtë do të rrjedhin nëpër shkreti. Toka e shkrumbuar liqen do të bëhet, vendi i thatë burime! Në strofuj ku strukej çakalli, do të rritet kallam e xunkth. Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin.

Psalmi 145/146, 7-10
Lavdëroje, shpirti im, Zotin
.

Zoti e mban besnikërinë për amshim,
u jep të drejtën të nëpërkëmburve,
u jep ushqim të uriturve.
Zoti i çliron robërit.

Zoti u jep dritën e syve të verbërve,
Zoti i ndreq të kërrusurit,
Zoti i do të drejtët,
Zoti i mbron ardhacakët.

U ndihmon bonjakëve e të vejave,
ndërsa mëkatarëve ua pështjellon udhët.
Zoti do të mbretërojë për jetë,
Hyji yt, o Sion, nga breznia në brezni.

Leximi dytë nga Jakobi 2,1-5
Jakobi denoncon skandalin e një bashkësie të krishterë që vlerëson më shumë pozicionet shoqërore të personave në kundërshtim me mësimin e Jezusit. Kisha e të pasurve interesohet për të varfrit, por vetëm për t’i përdorur si një instrument për lavdinë e tyre. Nëse kisha mbetet kisha e të pasurve nuk mund t’i dojë të varfrit me të vërtetë. Për t’i dashur duhet të bëhet kisha e shërbimit, duke imituar themeluesin e saj, që nga zotëri u bë shërbëtor.

Lexim prej Letrës së shën Jakobit apostull

Vëllezër të mi, mos e përzini fenë e Zotit tonë Jezu Krishtit të madhërueshëm me krahmbajtje! Sepse, po bëri e hyri në mbledhjen tuaj një njeri me unazë ari, i veshur në mënyrë të shkëlqyeshme e, po hyri një skamnor me petka të vjetruara, e ju e rrethoni me nderime atë që është i veshur bukur dhe i thoni: “Urdhëro! Ti ulu këtu lirisht!”, ndërsa skamnorit i thoni: “Rri atje, në këmbë!” ose: “Ulu këtu, poshtë, te këmbët e stolit tim!”, a nuk gjykuat ju në vetvete me krahmbajtje dhe a nuk u bëtë gjykatës që gjykojnë për së mbrapshti? Dëgjoni, vëllezër të mi të dashur! A nuk i zgjodhi Hyji ata që për sy të botës janë skamnorë për t’i bërë të pasur në fe dhe trashëgimtarë të Mbretërisë që ua ka premtuar atyre që e duan? Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin!

Aleluja.
Gjithçka bëri mirë!
Ky po bën të dëgjojnë të shurdhët e të flasin memecët!
Aleluja.

Ungjilli Mk 7, 31-37
Jezusi ka shkuar në krahinën pagane të Tirit, sepse farisenjtë, të shurdhër ndaj Ungjillit e pengonin Jezusin të fliste. Në këtë kontekst kryhet mrekullia e shurdhit që ka një vlerë simbolike për farisenjtë që janë të shurdhër ndaj mësimit të Jezusit. Ja misteri i Fjalës së Jezusit që mbyll veshët e atij që nuk do ta dëgjojë, por zgjidh gjuhën e atij që dëshiron të shërohet.

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Markut
Jezusi doli prapë nga krahina e Tirit, e nëpër Sidon, erdhi drejt detit të Galilesë në krahinat e Dekapolit. Ia sollën një shurdhaman që mezi fliste dhe iu lutën ta vërë dorën mbi të. Ai e ndau prej popullit veçmas, ia shtiu gishtërinjtë e vet në veshë, me pështymë të vet ia preku gjuhën, i drejtoi sytë kah qielli, psherëtiu dhe i tha: “Effatha” – që do të thotë: “Çelu!” E menjëherë iu çelën veshët e iu zgjidh pengesa e gjuhës dhe foli rrjedhshëm.
Jezusi u urdhëroi të mos i tregojnë askujt. Por, sa më tepër që ai ua ndalonte, ata aq më tepër e shpallnin. Të mrekulluar mbi çdo masë thoshin: “Gjithçka bëri mirë! Ky po bën të dëgjojnë të shurdhët e të flasin memecët!” Fjala e Zotit. Lavdi të qoftë ty, o Krisht!

07 shtator 2018, 19:33