Kërko

Vullnetarët e Karitasit në një drekë për refugjatët Vullnetarët e Karitasit në një drekë për refugjatët 

Ipeshkvijtë evropianë për emigrantët: solidariteti është udhë e pakthyeshme

Mesazhi përfundimtar i Asamblesë së Përgjithshme të Këshillit të Konferencave Ipeshkvnore të Evropës (CCEE), zhvilluar në Poznan të Polonisë. Në qendër të dokumentit, tema e solidaritetit.

R.SH. - Vatikan

Përsa i përket emigracionit dhe problemeve të mëdha kombëtare e ndërkombëtare, “solidariteti është rruga kryesore, nga e cila nuk mund të heqim dorë”. Kështu pohojnë ipeshkvijtë evropianë, në Mesazhin përfundimtar të asamblesë së Këshillit të Konferencave Ipeshkvnore të Evropës, që u mbajt këto ditë, në Poznan të Polonisë. Në dokumentin e publikuar sot paradite, organizmi kishtar evropian nënvizon se solidariteti tregohet me “mikpritje” e me “integrim”. “Kultura individualiste, që duket se mbizotëron si ‘mendim unik’ – vërejnë ipeshkvijtë – çon drejt një botëkuptimi ekonomistik, në të cilin solidariteti nuk ka vend, nevojtarët konceptohen si peshë e rëndë dhe, emigrantët shihen si të huaj”.

Të përtërihet fryma e mirëkuptimit dhe e bashkëpunimit

         “Evropa – lexohet në Mesazhin përfundimtar të CCEE-së – duhet të përtërijë frymën e mirëkuptimit dhe të bashkëpunimit të ndërsjelltë, duke thithur me të dyja mushkëritë e saj të krishtera – lindjen e perëndimin – ajrin e mirë të solidaritetit”. Vullnetariati, vënë në dukje ipeshkvijtë evropianë, “përfshin miliona të krishterë në Evropë”, të cilët “janë në gjendje të veprojnë si Samaritani i Mirë i shembëlltyrës ungjillore”.

Ungjillëzim e dialog ekumenik

         Në dokument, flitet për rëndësinë e formimit shpirtëror edhe në shërbimin e bamirësisë, si edhe për “nevojën e ungjillëzimit në kuadrin e varfërive të reja, si: mungesa e respektit për jetën, shpërbërja e familjes, imponimi i kulturës gjinore, kufizimi i lirisë fetare, mënjanimi i emigrantëve dhe i refugjatëve”. Theksohet edhe rëndësia e dialogut ekumenik, më se “i nevojshëm në epokën delikate, që përjeton kontinenti, për shkak të tensioneve të brendshme në rritje”. Duhen “gjetur udhë të reja bashkëpunimi ndërmjet Kishave, në fushën e solidaritetit”.

Solidaritet për Papën

         Në Mesazh, ipeshkvijtë evropianë – ashtu siç bëri edhe kreu i CCEE-së, kardinali Angelo Bagnasco, në fillim të punimeve të asamblesë – i shprehin afërsi e solidaritet Papës Françesku, “duke e falenderuar për thirrjen e kryetarëve të konferencave ipeshkvnore të gjithë botës, në shkurt, në Vatikan, për të reflektuar së bashku mbi masat kundër abuzimeve me të miturit”.

17 shtator 2018, 10:47