Mons Simon Kulli vescovo di Sapa Albania Mons Simon Kulli vescovo di Sapa Albania 

Imzot Simon Kulli, misioni Kishës është t’u sjellë dashurinë e Krishtin të gjithëve

Kisha e Sapës është Kishë e misionit, e cila edhe gjatë këtij viti të ri baritor, duhet të ndjejë ankthin dhe pasionin për të ndriçuar çdo njeri me dritën e Krishtit, për t’i dhënë shpresë.

R.SH. - Vatikan

Misioni thelbësor i Kishës, pohon në mikrofonin e redaksisë shqipe të Vatican News, ipeshkvi i Sapës, imzot Simon Kulli, është t’u çojë të gjithëve, posaçërisht atyre që janë në zona e situata të vështira e të veçanta, mesazhin e dashurisë së Zotit, përmes një shërbimi të pakursyer. Kisha e Sapës është Kishë e misionit, e cila edhe gjatë këtij viti të ri baritor, duhet të ndjejë ankthin dhe pasionin për të ndriçuar çdo njeri me dritën e Krishtit, për t’i dhënë shpresë. 

Shërbimi i Kishës nuk është të plotësojë ato nevoja materiale e shpirtërore, që zgjasin sa zgjat jeta e njeriut mbi tokë, por të sjellë shëlbimin hyjnor, karakteristik për Mbretërinë e Hyjit. Është e vërtetë që Mbretëria e Hyjit nuk është e kësaj bote, shpjegon imzot Kulli, por ajo është e kësaj bote në formën e drejtësisë, paqes, lirisë së vërtetë dhe respektit për dinjitetin e çdo njeriu. Kisha synon ta shndërrojë botën me shpalljen e Ungjillit të dashurisë, që largon retë dhe errësirën e na jep guxim të jetojmë e veprojmë. Kisha, shpjegon imzot Kulli, nuk vepron sipas logjikës njerëzore ose asaj të forcës, por ndjek rrugën e Kryqit të Krishtit.

Ipeshkvi i Sapës i fton katolikët t’i mbështesin misionarët, misionaret dhe bashkësitë e krishtera të impenjuara në këtë mision të veçantë dhe të japin një shenjë të besueshme bashkimi, në kumtimin e Lajmit të Mirë, përmes veprimtarisë e dëshmisë së përditshme, ta dëgjojmë imzot Simon Kullin...

Imzot Simon Kulli, misioni Kishës është t’u sjellë dashurinë e Krishtin të gjithëve
16 shtator 2018, 16:42