Cerca

Vatican News
2018.08.16 GJERGJ KASTRIOTI SKENDERBEU 2018.08.16 GJERGJ KASTRIOTI SKENDERBEU 

Imzot George Frendo kremton 12-të vjetorin e shugurimit ipeshkëvnor

Imzot Frendo shënoi 12-të vjetorin e shugurimit ipeshkëvnor, rrethuar nga kleri, misionarët, motrat rregulltare, besimtarët e të varfrit. Për ju jam ipeshkëv, por me ju jam i krishterë. Si të krishterë, t’i ngulim sytë tanë drejt Krishtit të kryqëzuar.

R.SH. - Vatikan

Imzot  George Frendo, kryeipeshkëv i kryedioqezës metropolite Tiranë-Durrës, të dielën e kaluar, me kremtimin e Meshës, kujtoi 12-të vjetorin e shugurimit ipeshkëvnor.

I rrethuar nga kleri, misionarët, misionaret, motrat rregulltare, besimtarët e të varfrit, Imzot Frendo falënderoi Zotin për dhuratën jetët të çmueshme të meshtarisë e të episkopatit, “... dita e sotme është për mua rast për ta falënderuar Zotin, i cili, me të gjitha mungesat dhe kufizimet e mia, ende po më përdor. Pas disa muajsh do të kremtoj përvjetorin e 50-të të shugurimit tim meshtarak. Dhe kur mendoj mënyrën sesi Zoti më ka përdorur gjatë këtyre viteve, shpërthej me gëzim, por edhe me përvujtëri, duke thënë, si kaherë ka thënë Davidi: “Kush jam unë, o Zot Hyj, dhe ç’është shtëpia ime, që ti më bëre të arrij deri këtu?” Ju lutem, bashkohuni me mua duke e falënderuar Zotin, i cili ka qenë gjithmonë me mua si Bari besnik dhe i kujdesshëm.”

Dhe duke cituar fjalët e Shën Agostinit, u tha besimtarëve të pranishmëve:  “Të dashur vëllezër dhe motra, unë për ju jam ipeshkëv, por me ju jam i krishterë”. E “si të krishterë, - shtoi imzot Frendo - t’i ngulim sytë tanë drejt Krishtit të kryqëzuar dhe të kuptojmë se vetëm Ai mund të na garantojë fitoren, paqen, dhe atë dashuri guximtare që shërben, që fal, dhe që është aq transparente saqë na aftëson ta shohim fytyrën e Krishtit në të tjerët ”.

Ta dëgjojmë dëshminë e imzot George Frendos në mikrofonin e redaksisë shqipe të Vatican News, gjatë së cilët Imzot Frendo njofton se më 25 nëntor do të përurohet Sinodi i dioqezës Tiranë-Durrës, një ngjarje kishtare shumë e rëndësishme për këtë Kishë dioqezane...

Imzot Frendo

Ja edhe deshmia qe realizuamme Imzot Frendon para 12-vjetësh, pikërisht me rastin e emërimit  të tij ipeshkëvor. Ta degjojmë..

Imzot Frendo

Në vazhdim ju propozojmë  homelinë mbajtur nga imzot George Frendo të dielën në Katedralen e Shën Palit në Tiranë, me rastin e 12-të vjetorit të shugurimit ipeshkëvnor.

Mons. George Frendo O.P.

Për rastin e sotëm do të ishte ndoshta më logjike që homelinë mos ta bëj unë, por ju. Në stemën time është shkruar: “Bariu dëgjoftë zërin e deleve”. Unë jam bariu, ju jeni delet. Dhe veçanërisht sot duhet t’i dëgjoj zërat e deleve, pasi ju pyes: “Ju, të dashura dele, çfarë prisni prej ipeshkvit tuaj? Më thoni!”
E di se ndoshta e keni pak të vështirë të dilni në mes të Kishës për të më dhënë një përgjigje. Prandaj kam vendosur t’ia drejtoj këtë pyetje vetë Zotit.
I thashë: “O Zotëri, çfarë pret ti prej meje?” Por u çudita shumë kur Zoti është përgjigjur me një pyetje tjetër. Më ka pyetur: “A më do ti, Gjergj?” Është e njëjta pyetje që, pas ngjalljes së tij, ia kishte drejtuar Pjetrit, atij që, vetëm pak ditë më parë, kishte mëkatuar kundër Zotit duke i rënë mohit për tri herë. Dhe ja ku jam unë sot, mëkatar si Pjetri, që si Pjetri, duke shpresuar se jam i sinqertë, i përgjigjem dashurisë së ëmbël të Zotit tim me këto fjalë: “Po Zotëri, ti e di se unë të dua!” Dhe Ai vazhdon duke më urdhëruar: “Kulloti qengjat e mi, kulloti delet e mia”.
E çfarë do të them unë? A i kullos unë, si duhet, qengjat dhe delet që vetë Zoti m’i ka besuar? Nuk e di. Edhe këtu, ju sigurisht mund të përgjigjeni më mire sesa unë. Por unë trembem kur dëgjoj fjalët e profetit Ezekiel, që kemi dëgjuar në Leximin e Parë: “Vaj për barinjtë që e lënë të sharrojë dhe e shpërndajnë grigjën e kullotës sime, thotë Zoti. Për këtë arsye kështu thotë Zoti, Hyji i Izraelit, për barinjtë që e kullotin popullin tim: Ju e tretët grigjën time; i shpërndatë delet e mia e nuk u kujdesuat për to”.
Është një përgjegjësi e madhe t’i bashkoj delet. Nganjëherë kam shprehur zhgënjimin tim çdo here kur jam përpjekur t’i pajtoj dy persona, por nuk ia kam dalë mbanë. Është shumë e dhimbshme për mua kur vërej, për shembull, se një besimtar nuk flet me një meshtar ose me një motër, një besimtar që as përshëndet disa besimtarë të tjerë, një besimtar që askurrë nuk i jep dorën vëllaut të vet as me rastin e Krishtlindjes ose të Pashkës. Ai që urren është një katolik falsë, shtiracak, është vrastar. Po unë, si mund të ndihem rehat kur përballoj situata të tilla, kur vërej se ekzistojnë këto situata në dioqezën time?
Ju jeni delet e mia; ju duhet të dëgjoni zërin tim si bariu juaj; edhe unë duhet t’i dëgjoj zërat tuaja. Por edhe vetë jam dele, sepse edhe unë duhet të them ato fjalë që kemi përsëritur në Psalmin: “Zoti është Bariu im!” Ky Psalm, një nga Psalmet më të bukura, duhet të na mbushë me shpresë dhe kurajë, veçanërisht ato fjalë: “Po edhe në kalofsha nëpër luginën e hijes së vdekjes, s’trembem nga e keqja, sepse ti je me mua”. Përjetoj edhe unë përvoja vështirësie, shkurajimi, zhgënjimi. Me të vërtetë, kaloj nganjëherë “nëpër luginën e hijes së vdekjes”, dhe fatkeqësisht nuk jam aq i fortë në besim saqë mund të qëndroj afër kryqit të Krishtit, si ka qëndruar Zoja Mari! Pra i lutem Zotit, ashtu si i është lutur ai burrë që kërkonte shërimin e djalit të vet: “Besoj, o Zot, por më ndihmo në besimin tim të pakët!”
Mos mendoni se është e lehtë të jesh ipeshkëv! Prandaj kemi shumë nevojë për ju, për lutjet tuaja. Lutuni për ipeshkvin tuaj! Papa Françesku vazhdimisht na kujton se të jesh ipeshkëv nuk është një karrierë, por shërbim. Dhe një shërbim që duhet ta kryejmë me shumë përvujtëri dhe shumë dashuri, veçanërisht ndaj më të varfërve. Na vjen keq kur shohim njerëz të cilëve u mungon edhe ajo që është më themelore për jetën. Kisha është gjithmonë afër atyre; megjithatë Kisha nuk të zgjidhë të gjitha problemet, as mund të zëvendësojë qeverinë.
Kemi dëgjuar, në Leximin e Dytë, fjalët e Shën Palit në Milet: “Ju e dini se si jam sjellë ndër ju për tërë kohën që prej ditës së parë kur erdha në Azi; i shërbeva Zotit me përvujtëri, me lot e me vështirësi, të cilat më gjetën për shkak të sulmeve të judenjve”. Sa shumë do të dëshiroja që edhe unë të jem i denjë të përsëris të njëjtat fjalë! Sa shumë dëshiroj që, tashmë i shtyrë në moshë, të mund të them, si Shën Pali: “Luftën e mirë e luftova, vrapimin e kreva, fenë e ruajta. Që tani më pret gati kurora e drejtësisë, që atë ditë do të ma japë Zoti, Gjykatësi i drejtë”.
Por dita e sotme është për mua rast për ta falënderuar Zotin, i cili, me të gjitha mungesat dhe kufizimet e mia, ende po më përdor. Pas disa muajsh do të kremtoj përvjetorin e 50e e shugurimit tim meshtarak. Dhe kur mendoj mënyrën sesi Zoti më ka përdorur gjatë këtyre viteve, shpërthej me gëzim, por edhe me përvuajtëri, duke thënë, si kaherë ka thënë Davidi: “Kush jam unë, o Zot Hyj, dhe ç’është shtëpia ime, që ti më bëre të arrij deri këtu?” Ju lutem, bashkohuni me mua duke e falënderuar Zotin, i cili ka qenë gjithmonë me mua si Bari besnik dhe i kujdesshëm.
Por ecja duhet të vazhdojë. Sepse jeta e krishterë është një ecje e vazhdueshme. Një ecje pas Jezu Krishtit. Prandaj edhe sot, në fund të Ungjillit, kemi dëgjuar se kur, pas ngjalljes së tij, Jezusi e takoi Pjetrin, i drejtoi këto fjalë: “Ti eja pas meje”. Ishte një urdhër: “Eja pas meje” ose “Më ndiq mua”.
Kjo nuk ishte hera e parë që Jezusi i kishte drejtuar Pjetrit këtë urdhër. Në Ungjillin e Lukës lexojmë se në fillimin e misionit të tij botëror Jezusi një ditë shkoi në bregun e liqenit të Gjenezaretit. Atje takoi një peshkatar, Pjetrin, dhe i tha: “Hidhni rrjetat tuaja për të zënë peshq.” Pjetri i tha: “Mësues, gjithë natën u përpoqëm e nuk zumë asgjë; por pasi po thua ti, do t’i hedh rrjetat.” Dhe në fakt, pasi i hodhën rrjetat, zunë një sasi të madhe peshqish. Atëherë Pjetri i ra ndër këmbë Jezusit dhe i tha: “Largohu prej meje, Zotëri, se jam njeri mëkatar!” Por Jezusi iu përgjigj: “Mos ki frikë! Tani e tutje do të zësh njerëz. Eja pas meje.” Dhe Pjetri dhe shokët lanë gjithçka e shkuan pas Jezusit.
Sigurisht se Pjetri pranoi me shumë entuziazëm ftesën e Jezusit: “Eja pas meje”. Sigurisht se në atë moment ka menduar: “Patjetër se do ta ndjekë këtë burrë! Ai do të më sjellë fat!” Nuk mendonte fare se ecja pas Jezusit përfshin edhe përvojën e kryqit, e prandaj, në dobësitë e tij, kur e pa Jezusin plot me djersë, me gjak, me pështyma, ai as guxoi të rrëfehej se kishte qenë nxënës i tij. Por tashti e takon Jezusin pas ngjalljes së tij, dhe kupton se bashkim me Jezusin e kryqëzuar është ngadhënjim.
Të dashur vëllezër dhe motra, unë për ju jam ipeshkëv, por me ju jam i krishterë. Si të krishterë, t’i ngulim sytë tanë drejt Krishtit të kryqëzuar dhe të kuptojmë se vetëm Ai mund të na garantojë fitoren, paqen, dhe atë dashuri guximtare që shërben, që fal, dhe që është aq transparente saqë na aftëson ta shohim fytyrën e Krishtit në të tjerët.
Krishti është fitorja jonë, është paqja jonë, dhe është gëzimi ynë. Atij i qoftë mbretëria dhe lavdia. Amen.

24 shtator 2018, 19:38