Gjon Pali I: dashuria mund të bëjë gjithçka

Më 28 shtator 1978, 40 vjet më parë, shuhej Papa Albino Luciani, pas vetëm 33 ditësh papnie. Përkujtimi i tij përmes fjalëve të Engjëllit të fundit të Tënzot dhe të audiencës së fundit të përgjithshme, një ditë para vdekjes, komentuar nga Shën Gjon Pali II dhe nga Benedikti XVI. "Dashuria gjithmonë do të jetë fitimtare. Kjo është fjala e drejtë: dhuna nuk mund, por dashuria mund të bëjë gjithçka".

R.SH. - Vatikan

Dyzet vjet më parë, në agim të 28 shtatorit 1978, shuhej në shtratin e vet, në Pallatin Apostolik, Papa Gjon Pali I, Albino Luciani, i cili më 17 tetor do të kishte mbushur 66 vjeç. "Papa i buzëqeshjes" kthehej në Shtëpinë e Atit Qiellor, vetëm pas 33 ditë papnie, i zgjedhur më 26 gusht, në një konklav ku hyri si Patriark i Venedikut.

Motoja "Humilitas" dhe stola e Palit VI

Belunez, nga Canale d'Agordo, motoja e tij si ipeshkëv i Vittorio Veneto-s, ishte "Humilitas", siç tregonte vetë, duke u skuqur. Qe Papa Pali VI, që do të shpallet shenjt së shpejti, ai që i vuri mbi supe stolën e ipeshkvit. E kujtojmë sot, me fjalët, që tha në lutjen e tij të fundit të Engjëllit të Tënzot, kur përmendi martiren e lume karmelitane, Terezen e Shën Agustinit, e cila vdiq në gijotinën e Revolucionit Francez:

"Dashuria gjithmonë do të jetë fitimtare, dashuria mund të bëjë gjithçka". Ja fjala e drejtë, dhuna s’mund të bëjë gjithçka, por dashuria mund të bëjë gjithçka. Le t'i kërkojmë Zotit hirin që një valë e re dashurie për të tjerët të përhapet në këtë botë të shkretë.

Gjon Pali II: "Është testamenti i tij shpirtëror"

Këto fjalë u kujtuan dhjetë vjet më vonë nga Shën Gjon Pali II në Col Cumano, në zonën e Belluno-s, në mesin e maleve aq të dashura për Papa Lucianin, duke takuar besimtarët e dioqezës:

Këto fjalë, të cilat ai i tha në të dielën e tij të fundit, më 24 shtator, pothuajse përbëjnë testamentin e tij shpirtëror, kuptimin më të thellë të gjithë jetës së tij si prift, ipeshkëv, patriark dhe papë. Dashuria mund të bëjë gjithçka, është gjithmonë fitimtare, madje edhe përballë ligjeve të paepura të kohës dhe të vdekjes.

Benedikti XVI: "Përvujtëria e tij për të folur me të gjithë"

Njëzet vjet më vonë, në Castel Gandolfo, Benedikti XVI kujtonte fjalët e Papës Luciani, para Engjëllit të Tënzot:

Përvujtëria mund të konsiderohet testamenti i tij shpirtëror. Falë këtij virtyti, u deshën vetëm 33 ditë, që Papa Luciani të hynte në zemrat e popullit. Në fjalimet e tij ai përdori shembuj të nxjerrë nga faktet e jetës reale, nga kujtimet e tij familjare dhe nga urtësia popullore. Ta kthejmë në thesar shembullin e tij, duke u angazhuar për të pasur të njëjtën përvujtëri, e cila i dha mundësinë të flasë me të gjithë, veçanërisht me të vegjëlit dhe të largëtit.

Audienca e fundit: "Të përparojmë në dashurinë e Zotit"

Dashuria e Zotit dhe përvujtëria e njerëzve, qenë edhe fjalët e fundit publike të Gjon Palit I, në audiencën e përgjithshme të 27 shtatorit 1978, vetëm disa orë para vdekjes:

Zoti u ka thënë të gjithë të krishterëve: "Ju jeni drita e botës, kripa e tokës", "jini të përsosur sikurse është i përsosur Ati juaj qiellor". Asnjëherë mos u ndaloni, përparoni me ndihmën e Hyjit, në dashurinë e Zotit. Dakord?

28 shtator 2018, 16:34