Kërko

Koha e Gjithësisë Koha e Gjithësisë 

Filloi Koha e Gjithësisë, me lutje për respektimin e ambientit

Filloi muaji kushtuar Gjithësisë, me Ditën e djeshme Botërore të lutjes që të gjithë njerëzit të kujdesen për çdo gjë të krijuar nga Zoti. Kjo ditë u themelua nga Papa Françesku më 10 gusht 2015 e ka karakter ekumenik, sepse kremtohet së bashku me Kishën ortodokse.

R. SH. - Vatikan

         Pikërisht 1 shtatori shënon fillimin e së ashtuquajturës “Kohë e Gjithësisë”, e cila vijon deri më 4 tetor. Të krishterët e gjithë botës bashkohen në lutje e në veprime konkrete, në ndihmë të ambientit, i cili tashmë kërcënohet haptas nga njeriu, që duket sikur dëshiron ta cënojë besëlidhjen me Zotin, edhe në këtë fushë. Kësaj radhe, Ati i Shenjtë e përqendroi mesazhin e tij mbi problemin e mungesës së ujit të pijshëm në botë.

Besëlidhja e Zotit

         “Derisa të ketë tokë, mbjelljet dhe korrjet, të ftohtët e të nxehtët, vera e dimri, dita e nata kurrë s’do të pushojnë” (Zan 8,22). Me këto fjalë, Shkrimi Shenjt pohon se, në ndryshimin e kohëve dhe të stinëve, Zoti na garanton me besnikëri qëndrueshmërinë e realitetit, ku jetojmë. Në kapitullin e mëpasëm, Libri i Zanafillës e simbolizon këtë realitet përmes ylberit: “Dhe Hyji tha: ‘Kjo është shenja e besëlidhjes që unë po e bëj ndërmjet meje e juve dhe me çdo gjallesë që është me ju për të gjitha breznitë e ardhshme” (Zan 9,12). Harku shumëngjyrësh në qiell të kujton dhuratën e tokës si hapësirë banese për të gjithë: Zoti premton një të ardhme, në të cilën njerëzimi e të gjitha gjallesat mund të lulëzojnë në paqe.

Papa priti afaristët e imenjuar në respektimin e ambientit

         Me muajin kushtuar Gjithësisë, të krishterët duan të arrihet një mënyrë për ta banuar tokën, në shenjën e atij ylberi të aleancës me Zotin, siç kërkon edhe Papa Françesku në enciklikën e tij mbi ekologjinë “Laudato sì”. Pikërisht atë u përmendi dje edhe afaristëve, që i priti në Sallën Klementine, në Vatikan, në kuadrin e Takimit të tyre me rastin e Ditës Botërore të Lutjes për Gjithësinë.

Nismat në gjithë botën

         Por, në të gjithë botën, ka pasur nisma të ndryshme, si në Filipine, ku kardinali Tagle kremtoi një meshë për Gjithësinë; në Zvicër, ku u mbajt një shërbim eukaristik anglikan pranë një lumi të ndotur; në SHBA-të, ku disa rregulltare u lutën në afërsi të një zone radioaktive; e në Asizi të Italisë, ku u mbajt një Takim ekumenik lutjeje të përbashkët, organizuar nga Lëvizja katolike botërore për klimën dhe Komiteti drejtues i “Kohës së Gjithësisë”, përbërë nga përfaqësues të Kishave të ndryshme të krishtera. Lutja filloi të premten, 31 gusht, në orën 17.00, dhe përfundoi dje, 1 shtator, në orën 11.00, me shpalljen e Deklaratës së përbashkët ekumenike në tremen e bazilikës së Shën Françeskut të Asizit. Në dritën e temës së sivjetme të Kohës së Gjithësisë – “Të ecim së bashku” – gjatë Takimit ekumenik, u nis edhe shtegtimi “Udha e Françeskut”, nga Asizi në Gubio. Përmes tij, fryma e Shën Françeskut do të arrijë deri në Poloni, në prag të Konferencës ndërkombëtare mbi Klimën, Cop 24.

02 shtator 2018, 09:09