Versioni Beta

Cerca

Vatican News
2018.09.06 Cattedrale Santa Madre Teresa a Sapa Albania 2018.09.06 Cattedrale Santa Madre Teresa a Sapa Albania  

Dioqeza Sapës kremtoi Shenjtëreshën shqiptare Nënë Terezën

Festa e Shën Nënë Terezës, u kremtua solemnisht, në Katedralen e parë në botë, atë të Vau Dejës, dioqezë e Sapës, që i dedikohet shenjtës shqiptare, me një pjesëmarrje të veçantë.

R.SH. - Vatikan

Në Shqipëri, kremtimi kryesor i Shenjtës shqiptare, Nënë Terezës, u mbajt në Katedralen e parë në botë, atë të Vau Dejës të dioqezës së Sapës, që i dedikohet Nënë Terezës, me kremtimin Eukaristik udhëhequr nga famullitari dom Mark Shtjefni në bashkëkremtim me meshtarë të tjerë. Ishin të pranishëm rregulltarë, rregulltare e sidomos shumë besimtarë të ardhur nga komunitetet e ndryshme famullitare për të kremtuar këtë ditë të madhe feste për mbarë popullin katolik shqiptar.

Në homelinë e Meshës, dom Marku mes tjerash u ndal te jeta dhe vepra e Shën Terezës së Kalkutës, duke sjell disa shembuj konkret nga misioni i Nënës sonë, nga misioni i murgeshës së bamirësisë, e cila ua dedikoi gjithë jetën e saj njerëzve më të varfër, njerëzve më në nevojë. Po më hollësisht nga Vau Dejës të ndjekim shërbimin e Violeta Marashit...

Festa Nene Terezes ne Sape

Kisha Katolike në mbarë botën kujtoi Shën Terezën e Kalkutës, bijën e popullit shqiptar, motrën e bamirësisë, nënën e të varfërve dhe të pastrehëve, humanisten botërore.   

"Unë jam me gjak shqiptare, me shtetësi indiane. Sa për besimin tim, unë jam një  murgeshë katolike. Sipas thirrjes sime, unë i përkas botës. Por, për sa i përket zemrës sime, i përkas plotësisht Zemrës së Jezusit ". Kështu e përkufizonte veten lajmëtarja e ndritshme Nënë Tereza. Dhe në këtë ditë të shënuar të saj, edhe Ipeshkvia e Sapës, kujtoi Shenjtëreshën Nënë Tereza nëpërmjet kremtimit të Meshës Shenjte dhe aktiviteteve të tjera të organizuara nga famullia e Shën Kollit.

Mesha e Shenjtë u kremtua në Katedralen e parë në botë që i dedikohet Nënë Terezës, në Vau Dejës, udhëhequr nga famullitari dom Mark Shtjefni në bashkëkremtim me meshtarë të tjerë. Në këtë kremtim, që shënon dhe 2 vjetorin e shenjtërimit të Nënë Terezës, morën pjesë besimtarë të shumtë nga famullitë e dioqezës, si dhe personalitete nga shoqëria civile.

Në fillim dom Marku përcolli përshëndetjet dhe urimet e përzemërta të Ipeshkvit të vendit, Imzot Simon Kullit, i cili për arsye të vizitës zyrtare në Romë, nuk ishte i pranishëm fizikisht. Ndërsa në homelinë e rastit, ai u ndal më së shumti mbi jetën dhe veprën e Shën Terezës së Kalkutës, ku solli dhe disa shembuj konkret nga misioni i Nënës sonë, nga misioni i murgeshës së bamirësisë, e cila ua dedikoi gjithë jetën e saj njerëzve më të varfër, njerëzve më në nevojë.

Duke qenë se për nga natyra e saj, dita e Shën Nënë Terezës i kushtohet bamirësisë, në bashkëpunim edhe me Bashkinë Vau Dejës, kjo ditë pasoi edhe me aktivitete të tjera, që ishin: “Panairi” me produktet e fushave të ndryshme të zonës përreth, “Këndi i Bamirësisë”, ku mund të blije diçka, si dhe Koncerti Live. Ajo që u grumbullua nga ky aktivitet do të shkojë si ndihmë konkrete për dy familje në nevojë. Pikërisht kjo përkujdesje sado e vogël të jetë ajo, është çelësi i bamirësisë. Vlen të përmendet se edhe Caritas Dioqezan Sapa shtroi drekën vëllazërore për miqtë e Nënë Terezës, personat me aftësi ndryshe.

Nga Vau Dejës Violeta Marashi

06 shtator 2018, 14:46