Kërko

Bibla Bibla 

Ҫelësi i fjalëve të Kishës: Libri i Zakarisë profet

“YHWH u kujtua”: ky është kuptimi i emrit Zakari, një nga tre profetët e kohës pas mërgimit të izraelitëve (të tjerët janë Agjeu dhe Malakia). Sot flasim pikërisht për Librin e Zakarisë profet, duke u bazuar, si gjithnjë, në vëllimin “Është ora e leximit të Biblës”, shkruar nga meshtari italian, don Federico Tartaglia.

R.SH. - Vatikan

Zakaria e fillon veprimtarinë e tij profetike menjëherë pas predikimit të Agjeut e pas fillimit të rindërtimit të Tempullit nga Zorobabeli. Në 14 kapitujt e Librit të tij gjejmë një sërë elementesh të rinj, që do të kushtëzojnë për shekuj me radhë pritjen e Mesisë nga Izraeli. Në Librin, që i atribuohet Zakarisë, dallojmë dy pjesë kryesore.

Pjesët kryesore të Librit të Zakarisë

Në të parën, ka një seksion fillestar (kapitujt 1-6), të paraprirë nga një prolog (1,1-6), ndjekur nga 8 vizione (1,7-6,8) e nga një akt simbolik: kurorëzimi i kryepriftit Jezus, birit të Jozedekut (6,9-15). Seksioni i dytë (kapitujt 7 e 8), që paraqet periudhën e dy vjetëve më vonë, përmban përgjigjen, që japin gjykatësit e Betelit për agjërimet, si edhe njoftohen bekimet e ardhshme.

Në pjesën e dytë të Librit, që zakonisht quhet Deutero-Zakaria(kapitujt 9-14), gjejmë një sërë pyetjesh, premtimesh, gjykimesh për të ardhmen e Izraelit. Shkrimi është tepër i ndryshëm nga ai i pjesës së parë për t’u konsideruar si vepër i të njëjtit autor.

Për herë të parë flitet për engjëj

Në pjesën e parë të veprës së Zakarisë, gjejmë vizionet e profetit, në të vërtetë, jo krejtësisht të reja. Para tij, Amosi, Jeremia dhe Ezekieli patën vizione të ngjashme, por sigurisht, në vizionet e Zakarisë, ka diçka të re. Për herë të parë flitet për engjëj. E njëjta fjalë “engjëll”, të cilën e gjejmë vetëm një herë tek Isaia e një herë tjetër tek Ozea, përmendet 22 herë tek Zakaria. E në profecitë e Isaisë së madh kemi gjithnjë në qendër mbretin, i cili zhduket krejt tek Zakaria, sepse në kohën e tij, Izraeli ka humbur çdo liri e tani, autoriteti përfaqësohet nga kryeprifti, që duket për herë të parë në disa vizione të profetit.

Pra, punët e politikës – Asiria, Babilonia, mbretërit e lufta – janë zhdukur. Tashmë po ndërtohet tempulli i ri, pas dështimit të vitit 587 para Krishtit, pas shkatërrimit, dëbimit e mërgimit, që zgjati 70 vjet. Tani, vizioni i profetit ka në qendër Jeruzalemin, tempullin dhe kryepriftin e tij. E nëse Isaia pati profetizuar se një “pinjoll” do të lindte nga trungu mbretëror i Jeseut, Zakaria profetizon se ky pinjoll do të rindërtojë tempullin e Zotit. E kjo është profecia, që do ta frymëzojë Izraelin në shekuj e madje, edhe botën e krishterë në Mesjetë:

Pinjolli, që do të rindërtojë Tempullin e Zotit

“Qe njeriu i cili quhet Pinjoll: aty ku është ai, diçka do të mbijë! Ai do ta ndërtojë Tempullin e Zotit. Ky do ta rindërtojë Shenjtëroren e Zotit. Ai do ta mbartë lavdinë e do të rrijë si zotërues përmbi fronin e vet. Një prift do t’i rrijë në të djathtën. Një përkim i plotë do të mbretërojë ndërmjet këtyre të dyve” (Zak 6,12-13).

Mbreti e meshtari, sipas teologjisë teokratike, që do të ketë gjatë shekujve, periudha plot fat e të tjera, krejtësisht fatkeqe. E megjithatë, nuk do të jetë kjo profecia, sipas të cilës do të lëvizë Jezusi! Është profeci mesianike, por Jezusi nuk e përdori dhe zgjodhi pjesën e dytë të Librit. Në të premtohet që në fillim një mbret i drejtë, i përvuajtur dhe paqësor. E kjo është profecia, që të gjithë e kanë parasysh, ditën e hyrjes së Jezusit në Jeruzalem:

“Gëzo me gjithë shpirt, Bija e Sionit, galdo, Bija e Jerusalemit! Ja, mbreti yt, po vjen te ti: është i drejtë e Shpëtimtar, por i përvuajtur e në shpinë të gomarit” (Zak 9,9).

Gjashtë profeci përmbushen me flijimin e Krishtit

Tani kuptohet pse Jezusi u kërkoi dishepujve t’i sillnin një gomar para se të hynte në Jeruzalem për Pashkë. Kjo pjesë e dytë e Librit të Zakarisë hyn me prepotencë në tekstet e Mundimeve të Krishtit, pasi në të gjejmë gjashtë profeci, që përmbushen me flijimin e Birit të Zotit. Natyrisht, Zakaria s’ka si ta dijë këtë, por profetizon:

“Do ta vajtojnë atë që e shporuan siç vajtohet djali i dëshirit, do të gjëmojnë mbi të siç bëhet gjëma mbi djalin e parëlindur”(Zak 12,10).

Të vjen menjëherë në mend Shërbëtori në vuajtje, i përshkruar nga Isaia: i dërguari i Zotit, që nuk do të pranohet, që do të shporohet e do t’i marrë të gjitha mbi vete, por me vuajtjet e me vdekjen e tij do ta shpëtojë popullin.

Tek Zakaria gjejmë jo vetëm hyrjen e Jezusit në Jeruzalem, vdekjen e Tij mbi kryq, shporuar nga një heshtë, por edhe tradhtinë e Judës për 30 aspra dhe ikjen e apostujve nga Gjetsemani.

Vetë Krishti ka mendituar mbi fatin e vet, duke lexuar Librin e Zakarisë

Së fundi, kemi këtë frazë, shqiptuar nga Krishti: “Do t’u dërgoj profetë e apostuj. Ata do t’i vrasin e do t’i salvojnë disa prej tyre, që prej kësaj breznie të kërkohet llogari për gjakun e derdhur të të gjithë profetëve që nga krijimi i botës: prej gjakut të Abelit deri te gjaku i Zakarisë, që u vra ndërmjet lterit e shenjtërores” (Lk 11,49-51). Është e natyrshme të mendohet se Jezusi fliste pikërisht për Zakarinë profet, në Librin e të cilit pa edhe flijimin e vet.

E sa herë që gjejmë në Bibël pjesë si këto, në të cilat shohim me mendje Jezusin, që ndalet për të kuptuar misterin e jetës e të vdekjes së tij, le të ndalemi edhe ne, për ta ndjerë Krishtin, që ia ngul sytë vdekjes së vet dhe i jep asaj kuptim. Për ne e për të gjithë!

20 shtator 2018, 16:22