Kërko

Bibla Bibla 

Ҫelësi i fjalëve të Kishës: Libri i Sofonisë profet

Emri Sofonia në hebraisht do të thotë “Yah [Zoti] fsheh”, në kuptimin “mbron”. Fillimi i librit të Sofonisë në Bibël, na e paraqet profetin në epokën e mbretit Jozia e, meqë bëhet aluzion për forma të ndryshme idhujtarie në Jeruzalem, mund të mendojmë se ai e kreu misionin e tij para reformës së kultit, zbatuar nga Jozia në vitin 621 para Krishtit.

R.SH. - Vatikan

Fjalët e para, me të cilat hapet Libri, nuk lënë asnjë dyshim: Sofonia është zëri, që lajmëron shkatërrimin e Izraelit; zëri, që u jep mundësinë të drejtëve të ikin në ditën e gjykimit:

“Gjë pa shqimur nuk do të lë përmbi faqen e dheut ‑ thotë Zoti. Do të shfaros njeri e kafshë, do t’i zhduk shpendët e qiellit e peshqit e detit, do t’i shkallmoj të patenzonët, farën njerëzve do t’ua tres mbi tokë”(Sof 1,2-3).

18 folje për shkatërrim e hakmarrje

Ndjeti është krejt i qartë e kapitulli i parë i Sofonisë përqendron në 13 rreshta, 18 folje në kohën e ardhme, të cilat e tregojnë qartë synimin hakmarrës e shkatërrimtar, që i shërben autorit për të hyrë në temën qendrore të Librit: “dita e YHWH”, ditë shkatërrimi e zemërimi, ankthi e vuajtjeje, ditë me re e terr:

“Ditë hidhërimi ajo ditë, ditë travaji e ngushtice! Ditë shkretimi e shkatërrimi, ditë errësire edhe terri! Ditë mjegulle e thellimi! Ditë borie e kushtrimi” (Sof 1,15-16).

“Dies irae” kundër cinikëve të zhgënjyer

“Dies irae” (Zemërimi i Zotit) lindi pikërisht këtu, me këto fjalë e, sado të interpretohen, tregojnë se nuk mund t’i shpëtohet terrorit, që profeti ia ka dorëzuar, tashmë, historisë. “Dita e madhe” është ajo, në të cilën Zoti do të dënojë gjithkënd, që është larguar nga ligji i Tij e ka adhuruar idhujt. Ka një frazë të zjarrtë, që profeti e shqipton në kulmin e hovit të tij e që na bën të kuptojmë kundër kujt e ngre zërin Sofonia:

“ Po atë ditë…do t’i ndëshkoj njerëzit që shtrihen mbi draun e vet e u thotë mendja: ‘Zotynë nuk është në gjendje të bëjë mirë as keq!’” (Sof 1,12).

 Ja me kë e ka profeti: me skeptikët, me ata që s’kanë frikë nga asgjë, sepse mendojnë se kanë parë gjithçka; që vetëm shtrihen e s’përzihen me asgjë; maksimumi, sfidojnë e përflasin. Nëse Zoti s’bën as mirë e as keq, feja nuk vlen për asgjë. Kundër këtij grupi cinikësh të zhgënjyer, që s’pyesin më për njeri e nuk presin më asgjë, bie furishëm fjala e profetit.

Premtimet e Zotit për paqe

Në kapitullin e dytë të Librit, gjejmë parashikimet plot kërcënime kundër kombeve fqinje e kundër Jeruzalemit e krerëve të tij. E pas denoncimit e kërcënimit, sipas strukturës tipike të librave profetikë, vjen premtimi i Zotit për popullin, që i qëndron besnik:

“Do të bëj në mjedisin tënd të qëndrojë populli i përvuajtur e i varfër! Në emër të Zotit do të kërkojë strehim Teprica e Izraelit” (Sof 3,12).

Dita e Zotit është ditë purifikimi: dënim, por edhe rikrijim i Hyjit. E është interesante të vërehet se foljet në kohën e ardhme, që në fillim të Librit të Sofonisë lajmëronin shkatërrim e vdekje, në fund, paralajmërojnë një të ardhme të ndritur. Vetëm në 3 rreshta, gjejmë së paku 12 folje, që janë edhe 12 premtime për mirë.

Kush lexon profetët e di se kjo është skema (atërore), që i karakterizon: denoncimi, kërcënimi se po vjen dita e Zotit, premtimi për paqe. Por ajo, që ka vërtet rëndësi, është kthimi i një populli të tërë kah udha e Zotit, para se të jetë tepër vonë. Sofonia është më i madhi ndër profetët, që përshkruajnë ç’do të ndodhë nëse populli vonon të ndryshojë. Në fund të fundit, edhe emri i tij na e thotë këtë: ai do veç të na fshehë, të na mbrojë nga furia e Ditës së Zotit.

*Bazohemi, si gjithnjë, në librin “Është ora e leximit të Biblës”, shkruar nga meshtari italian, don Federico Tartaglia.

06 shtator 2018, 13:28