Kërko

Bibla Bibla 

Ҫelësi i fjalëve të Kishës: Libri i Malakisë profet

Profeti Malakia, emri i të cilit do të thotë “lajmëtari im”, njihet si profeti i fundit i Biblës; madje, siç thotë Talmudi babilonez, pas tij, shpirti i profecisë e braktisi Izraelin. Malakia jetoi pas mërgimit babilonez, në prag të shekullit V para Krishtit. Pikërisht për Librin e Malakisë do të flasim sot, duke u bazuar, si gjithnjë, në vëllimin “Është ora e leximit të Biblës”, shkruar nga meshtari italian, don Federico Tartaglia.

R.SH. - Vatikan

Profecia e Malakisë del në pah në formën e një dialogu të gjallë ndërmjet Zotit e profetit, nga njëra anë, dhe popullit, nga ana tjetër. Pjesa e parë e librit trajton temën e dashurisë së Zotit për popullin; pastaj, vjen një kritikë shumë e ashpër kundër meshtarëve të tempullit e kundër flive të tyre të mangëta. Malakia kritikon edhe popullin, për shkak të martesave të përziera dhe për lehtësinë me të cilën prishen. Kundër njerëzve, që deklarojnë se nuk ekziston drejtësia e Zotit, profeti shpall se Dita e Gjykimit do të vijë së shpejti e, se zia e bukës do të jetë dënimi hyjnor për indiferencën fetare të popullit.

Malakia njofton për një Lajmëtar të ri hyjnor

Por, ai që e bën të famshëm Librin e Malakisë, është njoftimi për një Lajmëtar të ri hyjnor. Sipas traditës së krishterë, ky lajmëtar do të jetë shën Gjon Pagëzuesi, por tradita hebraike pret Elinë, që t’i paraprijë Mesisë. Për Pashkë, hebrenjtë lënë gjithnjë një pjatë për të, gjatë darkës së pëkujtimit të eksodit. Ja fjalët e profetit, që tingëllojnë në çdo kishë e në çdo sinagogë:

“Ja, unë dua ta dërgoj të dërguarin tim. Ai do ta bëjë gati udhën para meje. Dhe papritmas do të vijë në Shenjtëroren e vet Zotëruesi, që ju e kërkoni, dhe Engjëlli i Besëlidhjes, që ju e dëshironi. Ja, ai po vjen!, ‑ thotë Zoti i Ushtrive. Kush do t’i qëndrojë Ditës së ardhjes së tij? Kush do të mund t’i bëjë ballë kur Ai të dëftohet?! Ai është zjarr që shkrin, fi që lan!” (Mal 3,1-2).

I fundmi i profetëve

Ҫudi! I fundmi i profetëve kumton se Zoti do të dërgojë edhe një profet tjetër për të përgatitur udhën e Hyjit. Le të reflektojmë mbi këtë paradoks! Në Bibël ka të paktën 15 libra profetikë, që mbulojnë një kohë prej 500 vjetësh: i fundmi i tyre, në një farë mënyre, duket sikur pranon se vepra e profetëve ka dështuar dhe shpall se në fund të fundit, do të vijë Zoti e do të hyjë në tempullin e vet. Pse kjo profeci kaq përfundimtare? Sepse misioni i Malakisë lind të nesërmen e reformës së madhe, zbatuar nga Esdra dhe Zorobabeli, pas kthimit nga Babilonia. Ajo u dëshirua shumë edhe nga dy profetë të tjerë, Agjeu dhe Zakaria. Disa vjet më vonë, Malakia është dëshmitar i dështimit të reformës. Tempulli është ndërtuar, kulti ka rifilluar e një popull i ri e punon tokën, por rezultati nuk është ai i shpresuari. Profeti tregon gjendjen e vërtetë të një tempulli e të një populli, që duket se ka bërë më keq nga ata, të cilët merituan mërgimin.

Elia i hebrenjve është shën Gjon Pagëzuesi për të krishterët

Epoka e profetëve përfundon me premtimin e ardhjes së atij Elia, pritja e të cilit do të dominojë shekujt e ardhshëm:

“Dhe ja, unë do t’ju dërgoj profetin Eli para se të vijë Dita e Zotit e madhe edhe e tmerrshme. Ai do ta kthejë zemrën e etërve kah të bijtë e zemrat e bijve kah etërit e tyre, që kur të vij, të mos e godas vendin me mallkim!”

Më vonë, në Ungjill, do të jetë Jezu Krishti ai, që do të sqarojë:

“Vërtet të gjithë Profetët dhe vetë Ligji paralajmëruan deri te Gjoni. Ai është ‑ nëse doni ta merrni vesh të vërtetën ‑ Elia, që duhej të vijë” (Mt 11,13-14).

A është realizuar profecia e Malakisë?

         Malakia pra, kishte të drejtë: nga njëra anë, njofton për fundin e profetëve e, nga ana tjetër, profetizon mbërritjen e Zotit e të lajmëtarit të Tij. Natyrisht, nuk mund ta dinte se Zoti, në fund të fundit, do t’ia hiqte mbretërinë popullit të vet e do t’ia jepte një populli tjetër. Edhe për këtë, ne të krishterët ndjehemi të bekuar, ndjehemi popull i besëlidhjes së re e të amshuar e madje, e shohim me përbuzje Izraelin për pabesinë e vet. Por, a jemi vërtet të sigurtë se Malakia, duke parë popullin e krishterë të ditëve të sotme, mund të thotë se fjalët e tij janë realizuar?

         “Mbarë popujt do t’ju shpallin të lumtur, sepse do të jeni vend i kënaqjeve ‑ thotë Zoti i Ushtrive. Për ju që e keni frikën e Emrit tim do t’ju lindë dielli i drejtësisë me rreze shëndetsjellëse e do të dilni e do të kërceni porsi viçat në kullosë!” (Mal 3,12.20).

         Apo ka të drejtë Kishtari kur thotë se nuk ekziston ndonjë epokë më e mirë se tjetra, një brez, më i mirë se tjetri:

“Një brezni kalon, një tjetër brezni vjen, kurse toka mbetet gjithmonë e njëjta. …s’ka asgjë të re nën diell!” (Ksh 1,4.10).

I krishteri njihet nga frytet

Mëkatet e pabesitë përsëriten, ndoshta nuk ka asgjë të re në këtë botë. Kush prej nesh mund të prodhojë frytet e këtij populli të ri, që Zoti e zgjodhi për vete? Kush prej nesh mund të rrijë i qetë në situatën aktuale që kalon Kisha, kur dëgjon Malakinë të gjëmojë:

“E tani ky urdhër është për ju, o priftërinj! …do ta çoj mallkimin mbi ju e do t’i mallkoj bekimet tuaja! Po, do t’i mallkoj, sepse nuk patët farë kujdesi! Ja, krahun do t’jua këpus, undin do t’jua hedh fytyrës, undin e kremtimeve tuaja që t’ju marrë rrjedha bashkë me të!” (Mal 2,1-3)

Duket pjesë tepër e fuqishme, e tepruar; duket sikur ky “tërbim” është karakteristikë vetëm për Besëlidhjen e Vjetër, por mjafton të kujtojmë si shprehet shën Gjon Pagëzuesi e pastaj, si i shan Jezusi farisenjtë e ata, që nuk i dëgjojnë profetët. Gjithnjë ka për të pasur njerëz, që bëjnë garë me profetët e vërtetë e shpallin popullin e tyre të zgjedhur e doktrinën e tyre, por në ndryshim nga ata, profetët si Malakia na kujtojnë se e vetmja garë është ajo e fryteve. Dallohemi se jemi populli i zgjedhur i Zotit vetëm nëse e zbatojmë Fjalën e Tij, në mënyrë që të sjellë fryte në botë. Vetëm atëherë, mund t’i themi Kishtarit: “Pa shiko, paska diçka të re nën këtë qiell!”

27 shtator 2018, 14:56