Versioni Beta

Cerca

Vatican News
martiret shqiptare martiret shqiptare 

Atë Zef Pllumi OFM në përvjetorin e vdekjes

Dëshmitar i çmueshëm i atij kalvari, pjesë e të cilit ishte edhe personalisht Atë Zefi, që përjetoi populli shqiptar, kisha, kleri e vendi mbarë në periudhën e errët të diktaturës komunist në Shqipëri.

Më 25 shtator bie përvjetori i kalimit të françeskanit shqiptar Atë  Zef Pllumit në amshim. Ky dëshmitar i paepur i Zotit dhe i kombit na la  faqe të mrekullueshme të historisë së Ungjillit të shpresës e të qëndresës së vërtetë shqiptare.

Hyji Atë e thirri pranë vetes shumë të dashurin Atë Zef Pllumin, si sot më 25 shtator 2007 në spitalin romak “Gemelli”, por në mendje e në zemra tona si dhe të atyre që e kanë njohur nga afër, ky gjigant i Kishës e i Kombit Shqiptar, është i gjallë përgjithmonë.

Edhe ne të redaksisë shqipe pranë Radio Vatikanit, ruajmë jo pak kujtime personale të paharrueshme të takimeve e bisedave që kemi pasur me Atë Zef Pllumin, gjatë qëndrimit të tij në Romë e në Vatikan si dhe gjatë vizitave tona në Shkodër e në Shqipëri.  Me  rastin e përvjetorit të kalimit të tij në shtëpinë e Atit Qiellor, duam të vëmë edhe një herë në dukje, dëshminë e shndritshme të fesë, të kulturës e të atdhedashurisë që na la ky Patër Françeskan heroik – siç paraqitej me shumë dashamirësi Atë Zef Pllumi.

Nuk do të harrojmë dëshminë tejet të çmueshme të atij kalvari, pjesë e të cilit ishte edhe personalisht Atë Zefi, që përjetoi populli shqiptar, kisha, kleri e Vendi mbarë në periudhën e errët të diktaturës komunist në Shqipëri. Nuk do ta harrojmë aftësinë e tij të leximit të së kaluarës e të së sotmes dhe të dialogut e të afërsisë që kishte me gjithkënd.

"Tashma asht ngulít gjanësisht në vetëdijen e shqiptarëve ideja se të gjithë kishim nevojë për nji rrëfim paqsor dhe të vërtetë të kohës së komunizmit, si ai që na la At Zef Pllumi tek kryevepra e tij «Rrno vetëm për me tregue». Janë shkrue shumë vepra për at’ periudhë, prej shkrimtarësh të ndryshëm, por ajo e fratit françeskan qëndron si për nga pikëpamja artistike ashtu edhe nga ajo historike në nji plan ma naltë se tjerat. Rrëfimi i tij zhdrivillon rranjët e nji tragjedie kombtare që nisi në vitin 1944, nji luftë që për ne niste atëherë kur e gjithë Europa fitonte paqen e shumëandrrueme".

Në përvjetorin e ndarjes së tij nga jeta tokësore, Atë Zef Pllumin e kujtojmë me admirim e mirënjohje, ndërsa në mendje tonë na kthehen vizionet e tij të mëdha, plotë shpresë, plotë dashuri e fuqi ungjillore që ua transmetonte të gjithëve.

Atë Zef Pllumi ende sot mungon, i mungon Etërve Françeskanë, i mungon Kishës, i mungon botës së kulturës dhe shoqërisë shqiptare për vlerat që mishëronte e dëshmonte me bindje e thjeshtësi, me kujtesë të saktë e largpamësi.  Ai u konsiderua me të drejtë si ndërgjegjja e një treve dhe historie të tërë.

Jeta dhe veprimtaria e At Zef janë histori feje, qëndrese, shprese, pra histori vëllazërimi, dokument historik, dëshmi e dokument me vlera të mëdha që na mundëson të shohim imtësisht atë çka ndodhi në Shqipëri gjatë regjimit të diktaturës ateiste komuniste.

Personalisht pati një jetë shumë të dhimbshme, plot vuajtje dhe sakrifica, por gjithmonë e kurdoherë besnik ndaj Fjalës së Zotit dhe bindjeve të fesë, ideve kulturore e kombëtare, të cilat diti t'i ruaj për rreth tre dekadave të burgjeve komuniste dhe t’i sjell nga errësira në dritë, nga vuajtja në liri, nga vdekja në ringjallje.

                                                                                        *****

Bisedë radiofonike e Don David Gjugjës, prift dioqezan me Atë Zef  Pllumin, OFM. realizuar në mjediset e programit të Gjuhës Shqipe pranë radio –Vatikanit më 20 maj 2004.

 

Në muajin maj 2004 Atë Zef Pllumi, françeskan shqiptar, ishte për një vizitë në Romë. Atë Zefi, i mirënjohur për veprimtarinë e tij meshtarake, sidomos në Tiranë e në Shkodër, për persekutimin e jashtzakonshëm nga ana e regjimit komunist e për veprimtarinë e tij të shquar  letrare, lindi më 7 prill 1924 në Mal të Rrencit, pranë Lezhës. Ishte tepër i vogël, kur zgjodhi rrugën  e jetës rregulltare françeskane. Vijoi, kështu, mësimet ndër fretën, deri më 1942, kur kreu liceun ”Illyricum” në Shkodër. Taman kur përgatitej për të vijuar jashtë shteti studimet filozofike e teologjike, iu desh t’i ndërronte universitetet evropiane me një universitet tjetër: atë të burgut. U arrestua për herë të parë më 14 dhjetor të vitit 1947. Në fillim të vitit 1948 u dënua me tri vjet burgim, që i vuajti në Shkodër, Beden të Kavajës, Orman Pojan të Maliqit. Sapo u lirua, u kthye ndërmjet sivëllezërve te kuvendi françeskan i Arrës së Madhe. Në vitet 1958-1967 shërbeu si famullitar në Malësitë e Dukagjinit. Në shtator të 1967 –tës u arrestua rishtas dhe u dënua me 25 vjet burgim.  Këtë herë iu desh të rrinte tepër gjatë në universitetin e burgut, duke lëvizur nga Spaçi, në Kryporet e Vlorës, në Ballsh, Fier, Zejmen e Shën Vasil të Sarandës. U lirua në prill të vitit 1989, për të rifilluar më 1990 misionin e tij meshtarak në Tiranë e në Shkodër.

Rilidhi, jo pa vështirësi të të gjitha natyrave, fillin e jetës, të këputur brutalisht. Tani në biografinë e tij u dukën emrat e vendeve, që duhet t’i kishte shkelur në të ri: Itali, Belgjikë, Francë, Gjermani, Poloni, Kroaci, SHBA… Shkollë e re kjo, për fratin e vjetër! E nisi edhe veprimtaria e tij letrare, që e radhit ndërmjet shkrimtarëve më në zë të ditëve tona, me një sërë veprash. Kujtojmë  “Rrrno vetëm për të tregue” , vepër me tre vëllime (V. I T. 1995/ v. II T. 1997; v. III T. 2001), “Antipoezi për shekullin XX, Poemë antiepike”, (T. 2001); “Françeskanët e mëdhaj shqiptarë” (T. 2001); “Siç thonim dje – përmbledhje publiçistikash” (T. 2001); Para njëmijë vjetëve – skenarë filmi (T. 2003) dhe vepra e fundit “Frati i Pashallarëve”, (Sh. 2004). Disa prej këtyre veprave, ndonëse të bazuara mbi përvojën e burgjeve, e kanë kaluar tejet cakun e kujtimeve. Kanë  marrë karakterin e veprave të mirëfillta letrare, që pasurojnë fondin aq të varfër të letërsisë shqiptare, e cila që prej më se një gjysëm shekulli ka prodhuar kryesisht vepra të indoktrinuara. E vepra të tilla nuk i thonë më asgjë lexuesit. Kështu Atë Pllumi, që shkruan në dialektin gegë,  sot është përfaqësusi më i shquar i shkollës letrare të Veriut, që megjithatë nuk ka dekë. Por Atë Zefi njihet edhe për veprimtari të tjera:  firmë publicistike, që  duket rishtas në shtypin e kohës (vijon të botohet në gazetën “Bota shqiptare” të Romës, shkrimi i tij i fundit publicistik “Demokracia shqiptare me dy diktatorë”) ai pati marrë mbi vete një vepër tjetër të lumnueshme: ribotimin e revistës famëmadhe të Françeskanëve “Hylli i Dritës”. Dhe ia doli mbanesh jo vetëm ta botonte, por edhe t’i jepte shkëlqimin e parë, në një kohë kur shtypi shqiptar përgjithësisht, s’premton asgjë të mirë. Por “Hylli” i lavdishëm, u detyrua të mbyllej rishtas për mungesë fondesh, për t’u hapur s’e di se kur….. Gjithsesi Pater Zefi vijon të botojë, ndonëse sytë nuk duan t’i binden më. Por, si shkruan ai për vete në fund të një autobiografie të shkurtër, për të “thonë se  âsht i marrë e nuk rrin me dekë rahat”. Fjalë filozofike që përmbledhin simbolikisht atë mendësi, e cila nuk e lë shqiptarin të ecë përpara.

  Si ngjet me shumicën e njerëzve të Kishës që vijnë në  Romë për probleme të ndryshme, edhe ai erdhi të na takonte në redaksinë e Radio Vatikanit. I ftuar nga dom David Gjugja për një intervistë, iu përgjigj me kënaqësi ftesës dhe bisedoi gjatë e shtruar para mikrofonit të përgjegjësit të Programit shqip pranë Radios së Papës. Po propozojmë sot transmetimin e kësaj interviste, në të cilën preken çështje nga më të ndryshmet që kanë të bëjnë me Kishën e me shoqërinë e djeshme e të sotme shqiptare.

                                                                                   ***

Don Davidi: - Jam shumë i emocinuem, shumë i kënaqun, që kam para vedit  këtu, në studiot e Radio-Vatikanit, një prej atyne figurave të mëdha, që janë dëshmi e gjallë, hallkë lidhëse, apo ma mirë me thane, hallkë e pakëputun e traditës mijëvjeçare  të krishtenimit në Shqipní, hallkë vendimtare e Kishës, e meshtarëve dhe e rregulltarëve, që dishmon për mbijetesën e Kishës katolike në Shqipëri, e cila pas aq shumë vuajtjesh e përndjekjesh sistematike e të tmerrshme, mâ në fund ia doli me fitue mbi fuqitë djallëzore të komunizmit të Enver Hoxhës e të shokëve të tij. E kam fjalën për Pater Zef Pllumin, françeskan shqiptar.

Pater Zef, po fillojmë me përshëndetjen tonë të zakonshme: mirëse ju pruni Zoti!

Pater Zefi: - Mirë se u gjeta!

Don Davidi: - Si jeni?

Pater Zefi: - Jam shum mirë. Po thom mirë, se jam 80 vjeç e shokët e mij s’kanë mërrijtë me i bâ kaq vjet. Pleqnia kurr nuk asht e mirë, por, mbasi jam në gjendje me folë e me mendue, prap se prap ia di Zotit për nderë e thom se jam shum mirë.

Don Davidi: - Pater Zef, ju jeni një dhantí prej Zotit për né, sepse, sikur thatë edhe ju vetë, jeni këtu për me tregue atê që ka ndodhë; e jo vetëm të këqijat, por sidomos për të na tregue edhe një herë se fuqia e dashunisë së Zotit, fuqia e Krishtit të ngjallun, ka ngadhënjye mbi anmikun e Kishës, të popullit, të vendit…..

Pater Zefi: - Po, sigurisht. Ajo asht puna mâ e mirë dhe detyra qi kena na, pleqt, për me mujtë e me e kallëxue, në mënyrë qi të tjerët qi vijnë mbas nesh, të bâjnë si të duen vetë, por t’i dijnë punët, të cilat na i kemi kalue, të mirat e të këqijat; kemë lumninë qi kem pasë, kemë vuejtjet qi kem pasë e edhe shkatërrimin, termekun e madh të komunizmit, qi shembi tokën tonë.

Don Davidi: - E, mos të harrojmë, kemë sidomos qëndrimin burrnor, në saje të të cilit u ruejtën vlerat njerëzore, kombëtare, shpirtnore, fetare. Ju keni shkrue disa libra, si libri me kujtime “Rrno vetëm për me tregue”; keni rrëfye me hollësi prekëse vuejtjet e tmerret e kohës e, sikur thashë mâ përpara, keni vû në pah fuqinë e Zotit, që ju ka mbajtë gjallë ju e ka mbajtë gjallë fenë në zemrat e shumë besimtarëve. Cila âsht porosia kryesore që keni dishrue me na transmetue ne, lexuesve, përmes kujtimeve tueja?

Pater Zefi: - Çdo jetë, sado bukur qi të kalojë e sado e kandshme qi të jetë, nuk ka veshtrim pa vuejtje. Por ka vuejtje mbi vuejtje. Moshës sonë i rá mbi krye nji vuejtje e jashtzakonshme, diktatura komuniste. Megjithatë, nuk kje një gjâ e papritun në popullin shqiptar. Atë Fulv Kordinjano ka shkrue në revistën “I Jesuiti” në vitin 1920 se kur popullit shqiptar t’i vijë koha me u vû në kontakt me kulturën përendimore, ky popull ka me përqafue o jakobinizmin antiklerikal, ose komunizmin ateist.  Edhe ashtu ndodhi. Prandej të parët tonë pak a shumë na kanë pregatitë gjatë formimit shpirtnor qi na kanë dhanë kur ishim të rí, nuk na kanë lanë të papregatitun. Ishin të pregatitun ata për vedi, e na pregatitën edhe né, në mënyrë qi të mund t’i rezistojshim një persekucjoni antikatolik, persekucjonit fetar në Shqipni.

Don Davidi: - Pater Zef, gjithë këto paralajmime, veç Kordinjanos, i kanë bâ edhe meshtarë të tjerë, priftën e rregulltarë jezuitë e françeskanë, të cilët e parafolën ketë të zezë, ketë rrebesh kaq të rrebtë: Ju mendoni se populli shqiptar do të kishte mujtë me e shmangë komunizmin, apo duhet ta konsiderojmë si pasojë të ndikimit të disa faktorëve, që e sollën këtë lloj regjimi në mënyrë të pashmangshme?

Pater Zefi: - Ishte rrjedhë e logjikë historike. Nuk mund të shmangej. Për me hi prej një mbrapambetje, nuk po thom feudale, se do të ishte tepër e përparueme, por prej një mbrapambetje shekullore, në shekullin XX, qi ishte mâ i përparuemi i shekujve, duhej një hap jo i zakonshëm përpara. Hapi duhej të ishte revolucionar, sepse revolucionet i pershpejtojnë punët. Gjithkund, veç te na jo! Te na revolucioni, në vend qi me i pershpejtue punët, me i kapercye epokat historike me një hap të vetëm, i zmbrapi epokat. Na ktheu mbrapshtë. Sepse hapi mund të bâhet para, por mund të bâhet edhe mbrapa.  Mjerisht ashtu ndodhi në Shqipni.

Don Davidi: - E megjithatë, në atë periudhë kur paralajmohej e kur çfaqej komunizmi, kur e qitëte kryet kadalë-kadalë, kemë pasë njerëz, personalitete me nivel ndërkombëtar, botnor, me një mendje të mprehtë, me një largpamësi të jashtzakonshme, apo jo?

Pater Zefi: - Asokohet mund të thom se në Shqipni intelektualët mâ të mëdhaj ishin klerikë katolikë. Nuk asht nevoja me i përmendë. Mjafton me kujtue se çdo famullitar – çdo famullitar, ishte shumë mâ i pregatitun se një profesor i soçëm. Klerikët katolikë kishin po atë kulturë, qi kishte Evropa, kryesisht Evropa qëndrore, Austria. E kultura austriake ishte shumë e balancueme. Ndërsa mbas Luftës I Botnore, studentët shqiptarë nisën me shkue e me studiue edhe në Francë e në Italí, ku sundojshin idetë antiklerikale e antifetare, që kishin mbî nga Revolucioni Freng. Qysh këtu nisi të parashikohej ardhja e komunizmit në Shqipní. E kjo, jo pse studentët shqiptarë në përendim ishin djelm të këqij; jo, ishin djelm të mirë, por me ato gjykimet e tyne djaloshare, kur kthejshin në Shqipní e e shihshin vendin aq të mbrapambetun, mendojshin me i kalue epokat me nji hap; por a kapërcehen epokat me nji hap?!

Don Davidi: - Jo, nuk âsht e mujtun, sepse kush e bân hapin tepër të gjatë, në një shteg me gropa...

Pater Zefi: - ... bjen mrendë. E ashtu edhe ndodhi. Ata kishin vullndet të mirë, por nuk e kuptuen çka ishte në të vërtetë komunizmi. Komunizmi asht idé e bukur në teori, asht dishira me i bâ gjith njerëzit të barabartë, të bashkuem. Ide shumë të bukura. Por vjen puna qi partitë e sidomos përfaqësuesit e naltë të tyne, kanë ide krejtësisht të tjera. E kështu, peshkaqejt e mëdhaj, që drejtojshin komunizmin, i gllabëruen të gjithë peshqit e vogjël, pikërisht ata qi luftuen e diqën për nji të ardhme vertetë të lumtun të njerëzimit, siç ishte djelmnia komuniste e asaj kohe.

                                                                                              *  *  *

Don Davidi: - Pater Zef, tue ju falënderue për ketë bisedë atnore, vëllaznore, të përzemërt,  më duhet t’ju kthej mbrapa e t’ju lutem të na pikturoni kuadrin e situatës shoqnore-politike-kishtare që i parapriu komunizmit dhe e bâni të mujtun fitoren e tij në Shqipni e në gjysën e botës.... Pse, për shembull, Imzot Noli dështoi si qeveritar....?

Pater Zefi: - Imzot Noli dështoi si qeveritar, pse nuk ishte njeri i politikës. Mjerisht në Shqipni nuk ka pasë kurr njerëz të politikës. I vetmi qi mund të thomi se kishte pregatitje politike, ishte Luigj Gurakuqi, i vetmi njeri i vërtetë i politikës qi ka pasë Shqipnia. Të tjerët ishin përfaqësues të një politike së huej. Turkhan Pasha, Ismail Qemal Vlora ishin poltikanë të njoftun, por përfaqësues të perandorisë turke, të një kohe së kalueme; prandej nuk mund ta përfaqësojshin Shqipninë si vend i lirë, indipendent, i pamvarun. Asht e vërtetë se u takoi atyne me e çpallë e me e bâ, por nuk mund të përfaqësojshin një klasë politike ose nji grup politik të pregatitun, me idè krejtësisht shqiptare. Një klasë apo një grup i tillë nuk ekzistonte. E ndër ta ishte edhe Fan Noli, qi ishte i aftë  për pendë, por jo për politikë.

Don Davidi: - Don me thânë edhe pamvarësia, çlirimi nga pushtimi shumshekullor turk, e gjet popullin të papregatitun, në kllapí...

Pater Zefi: - Shikjo, e ka thane tjetër kush para mejet, e ka thanë Faik Konica, qi Shqipninë e krijuen idealistat, patriotë e idealista; politikanët e shkatërruen....

Don Davidi: - e populli e vuen...

Pater Zefi: - Sigurisht!

Don Davidi: - Kur ju shikjon njeriu kështu, veshë me zhgun të Shën Françeskut, Shejtit që i solli lulëzimin pranveror Kishës universale në një çast aq kritik të historisë së saj, e kam fjalën për Kishën botnore, i kujtoni medoemos historinë mijavjeçare të krishtenimit në Shqipni. Dihet se feja e krishtenë ndër shqiptarë nisë qysh kur Shën Pali e Shën Andreu shkelën në këto treva, tue i hapë kështu rrugën një tradite të lumnueshme, tepër të lashtë. Thue mund të mendojmë se shqiptarët, pikërisht në çastet mâ kritike të historisë së tyne, i ranë mohit këtij burimi, u larguen prej tij, për të rravgue larg, apo edhe në ketë rasë qemë viktima të politikës së atyne që janë mâ të mëdhaj se na, e kam fjalën për perandoritë që sunduen botën , për perandorinë romake, bizantine e ottomane.

Pater Zefi: - Eeee... mjerisht këtu qindron e keqja historike e popullit tonë, pse përpara jemë kenë si gjith popujt tjerë, por kur u ndá Perandoria Romake, na u gjetëm të dám dysh mbrenda kësaj Perandorie. Veriu me Romën, pra me okçidentin, ndërsá Durrsi, që kje kufini krysor i vijës së Theodosit e pjesa tjetër, i mbetën Perandorisë Bizantine. Populli – i cili asokohe nuk ishte endè popull shqiptar, siç i thomë sot, asokohe fise ilire, prej kah kemë rrjedhë, u gjet në nji situacion aq të vështirë historik sa mâ s’ka, situatë lufte, që nuk pushoi kurr mbrenda kufijve tonë. Luftat i luftojshin të mëdhajt ndërmjet vetit, po shqelmat e tyne i hajshim na, i báte ky popull. E kështu u formue kultura e mosbesimit. Shqiptari e hupi shpresën në njanën e në tjetrën palë. Nisi mos me i besue mâ kurrkuj. E kështu edhe kultura pësoi dame të pariparueshme, sepse lufta bjen me vedi gjithmonë rrenim, bjen shkatërrim, e jo vetëm shkatërrim material, por edhe moral, e sidomos kulturor. 

Don Davidi: - Ç’kuptim kanë për ju përndjekjet, martirizimi? Sa vjet keni kalue ndër burgje e kampe përqëndrimi?

Pater Zefi: - Sa vjet? Vjet thue? Kam kalue tanë jetën.... qysh në riní, d.m.th. qysh kur kam kenë 20 vjeç, sepse pikërisht kur ishem në ketë moshë, në Shqipní hynë komunistat. Filloi atëherë jeta e burgut, e vijoi derisa u bâna 65 vjeç, kur u lirova. Por nuk asht se kam vuejtë vetëm unë: vuejtjet e mia janë një pjesë fort e vogël e vuejtjeve të mëdhá, të papërshkrueshme të mbarë popullit shqiptar.  Burgjet e kampet e përqëndrimit janë kenë si dordoleci në arë, për me trembë sorrat; njashtu janë kenë kampet e burgjet, ku janë grumbullue njerëz pa faj pa mëkat, thjeshtë për mos me e lanë rahat pjesën e ashtuquejtun të lirë të populli, por me i thanë: “Kqyr, a e sheh sa keq asht ai? Njashtu ta bâj edhe ty, në kje se të shkon mendja me hapë gojën e me çilë zanin, e aq mâ keq, në kje se të shkon mendja me kalue edhe në veprim. Por populli ka vuejtë në njëmijë mënyra, sepse ka burg mbi burg. Tanë populli, mbrendë e jashtë, ishte në burg.

Don Davidi: - E cila asht domethânja e martirizimit - e vuejtjes me e pa kuptim? Sepse në sa në vetvete asht krejt pa kuptim,  nuk asht aspak pa kuptim për ata që kanë pësue për hatër të Krishtit a të etjes për liri e demokraci njerëzore e shoqnore....

 

Pater Zefi: - Shikjo, e thaçë edhe nji herë qi jeta nuk ka veshtrim pa vuejtje. Edhe ai qi mendon se asht mirë, mirë, mirë, krejt mirë, edhe në kjoftë se s’i mungon asgja materiale, asht vetë jeta që nuk e lên rahat, sepse ka vuejtjet e grindjet e veta të mbrendshme. Njeriut i shamatohen trutë mbrenda vedit, jo mâ kur krijon familje e kur asht në shoqni me të tjerë. Vuejtja asht e pashmangshme në jetë, por varet si i konsideron vuajtjet, si i bán vuejtjet, kuj ia kushton vuejtjet.... na i quejmë flijim, se vuejtjet janë flije. Në kjoftë se na këto flije ia kushtojmë Zotit edhe i bájmë për hater të Tij e i ktehjmë në flije shpirtnore, atëherë báhen shumë mâ kollaj e kthehen në shpëtimtare si për atë qi vuen e, ishalla edhe për të tjerët. Mue, gjatë jetës së burgut, më kanë takue shum rasa kur, ndër tortura, s’kishem çka me bâ tjetër, veç me i lypë ndihmë Zotit, me e lutë, tue thanë: “Aman, më pështo!”. E më ka ndodhë në një rasë që  ai, i cili po më torturonte, më tha: “Çka je kah i lot buzët? Po lutesh, a?” . “Po – i përgjegja – tue lutë Zotin jam! Jam tue iu lutë qi ta shndrisin menden mos me më rrahë mâ”.  Edhe ai stepej përpara kësaj gjendje, përpara buzëve që lëvizshin pa fjalë… përpara uratës së shqiptohej pa zâ. Vuejtje ishte, por mvaret… Dikush disprohet e des  mbrendë e barabar prej vuejtjes nuk pështon, dikush tjetër e bán për hater të Zotit. E kjo na ka ndodhë në përgjithësi né, të gjithë klerikëve katolikë. Jemë kenë të formuem kështu!

Don Davidi: - Ju në librat “Rrno vetëm për me tregue”, e në libra tjerë, i përshkrueni pikërisht këto vuejtje, tue dënue të keqen por, e kjo t, bân me të vërtetë përshtypje, tue mos urrye askend, madje tue i falë autorët…

Pater Zefi: - Kur i kam shkrue këto libra, nuk kam dashtë me bâ letërsi. I kam shkrue që mos të harrohet, mos të harrohet - po e përsëris – çka kemi hjekë, jo vetëm na, por gjithë populli shqiptar. Në kje se Vëllimi I kujton krysisht vuejtjet e klerit katolik e të nji pjese të intelektualëve, Vëllimi II asht për të gjithë Shqipninë, e cila quhej e lirë, por e lirë nuk ishte. Në sa Pjesa III përfshin vuejtjet e burgut jo vetëm të mijat, por të shumkuj, madje mâ shumë të tjerëve.

Qellimi i tyne asht kryesisht historik, për me kundërshtue historinë krejt rrenacake, krejt gënjeshtare qi asht shkrue gjatë këtyne 50-vjetëve. E mjerisht, mjerisht, tue kenë se burgjet e vuejtjet ishin të panjoftuna, jo prej shumkuj, por gati prej gjithkuj, njerëzit i kanë besue asaj historisë idilike, qi asht shkrue, aq sa po të kallxoj nji gjâsend. Më ka takue, mbas ’90-ës e këndej, me ndeshë nji vajzë në tren, në sa udhëtojshe nëpër Itali. Ishte prej Lancianos. Babën e kishte tregtar të madh. Jo thjeshtë tregtar, por mâ tepër industrialist. Më thotë vajza, në sa treni përshkonte udhët e Italisë: “Në kohëne  komunizmit mediat aq të mirë e paraqitshin gjendjen e Shqipnisë, sa si baba i em, ashtu edhe unë e tanë familja, bâmë kërkesë me shkue në Shqipni. Shyqyr që s’na kenka dhânë leja se vetëm tash e kuptuem ku e paskemi pasë ndër mend me u mbytë. Vetëm tash, pra, e morëm vesht cila ishte e vërteta”. Prandej i kam shkrue këto libra. Jo se kam pasë qellim me denue kend, pse kurrkend nuk kam dënue; asht kenë nji fatkeqësi e madhe e popullit shqiptar. Madje fatkeqësi mund ta qyejmë edhe për ata që kanë pasë detyrën e torturuesit, për ata që kanë martirizue vëllazënt e vet shqiptarë. Nuk më duket zanat  fort i kandshëm ai i njeriut që rjep lëkura njerëzore. Prandej nuk kam urrye kurr e kurrkend…

Don Davidi: - Ka pasë një ças vendimtar për Kishën – e âsht ai i përpjekjeve të komunistave për krijimin e Kishës kombëtare, për shkëputjen e Kishës katolike nga Selia e Shën Pjetrit.Ç’ju kujtojnë këto çase e cili ishte reagimi i Kishës?

Pater Zefi: - I kujtoj ato çase, si të kishin ndodhë dje. Edhe Enver Hoxha i ka përmendë ndër fjalimet e veta... takimet që ka kërkue qysh në fillim me Monsinjor Gjinin, me Monsinjor Prennushin... i kujtoj, sepse mundohej me bashkëpunue, në se mund t’ia delte me e realizue këtë bashkëpunim. Por, a mund të ketë bashkëpunim ndërmjet fesë e ateizmit? Kjo asht krejt e pamujtun. Kleri katolik nuk mund të pranonte me u bâ vegël e hueja, aq mâ tepër kur ishte fjala me u bâ vegël në duert e anmiqve të fesë. Ky asht qendrimi i përhershëm i Kishës katolike. U bane shumë përpjekje, shumë bisedime, që vazhduen me vjet e vjet, por kleri katolik nuk lëshoi kurr pê. U mërrijt te ajo, qi mandej u quejt Kishë nacionale, qi u trumbetue aq tepër prej propagandës komuniste e prej atyne qi nuk i dinë punët e mbrendshme. E verteta asht se kje nji marrveshtje e mbrendshme qi të firmohej ai statut vetëm sa për sy e faqe, për mediat, por në të vertetë marrëdhanjet me Vatikanin siguroheshin nëpermjet vetë organeve shtetnore… Ipeshkvit të vetëm qi kishte mbetë në Shqipni, Imzot Bernardin Shllakut, i erdh letra prej qeverisë, por nuk ndigjoi me e firmue; e jo vetëm ai, por as klerikët tjerë nuk ndigjuen me vú firmë, pa u sigurue mâ pare për marrëdhanjet me Vatikanin…. E kjenë sigurue, mandej firmosen.

Don Davidi: - Don me thanë këtu kemi një lloj kompromisi për me shpëtue si njenën pale, ashtu edhe tjetrën….

 

Pater Zefi: - Po, njënën e tjetrën palë. Marrëveshtja ishte e mshehtë, siç janë gjatë historisë shumë marrëveshtje sekrete. Madje komunistët u penduen që e bânë këtë marrëveshtje me Kishën katolike, sepse qysh në atë ditë, për 15 vjet rresht, Kisha katolike, qi kishte mërrijtë në grahmat e fundit, filloi me u pëtrî, me e marrë vedin me forca të veta, don me thanë me forcat e popullit besimtar. Kurr nuk asht ndihmue Kisha prej popullit të vorfën, sa në periudhën prej vjetës 1950 deri në vjetën 1967. Ata 17 vjet Kisha erdh tue e marrë vedin, u rindërtue edhe me kler, pamvarësisht se ishte i mbyllun e i ndaluem seminari, fidanishta e meshtarëve. Prap se prap Zoti i dha fuqi përparimit, i dha guxim Kishës me ecë përpara në kohnat mâ të vështira që ka mujtë me pasë Kisha, e kjo punë i terboi edhe mâ tepër komunistat dhe vendosën shkatërrimin e plotë të fesë.

Don Davidi: - E perskutimi komunist filloi të sulmonte njerëzit mâ të spikatun, prijësit, barijtë, trunin....

Pater Zefi: - Ashtu filloi persekutimi. Fillimi i persekutimeve gjithmonë kapë në fillim krenat, fillon prej nalt, për t’u ulë poshtë. Mandej, prej ’67-tës e mbrapa, kur u ndalue krejtësisht feja e Kisha në Shqipni, atëherë nis me marrë mbarë, aq sa mund të thomi se nuk pështoi kurrkush prej klerit katolik pa hy në burg.  Mund të kenë pështue dy-tre vetë, e edhe ata sepse ishin të sëmuet, pse nuk  paraqtshin kurrfarë rreziku imagjinar për qeverinë, po sa për të tjerët, të gjithë kemi kalue nëpër burgje....

Don Davidi: - E çka mendoni ju se mund të mësojnë brezat e ri prej gjithë këtij rrebeshi, që të mos shkojë dâm e mira e të mos përsëritet mâ kurr e keqja.... ?

Pater Zefi: - Tashti termeqet nuk mund t’i parashohë kurrkush se kah vijnë e tek vijnë e sa ballsh kanë me kenë, kur të vijnë.... këto i ka jeta... por do të mësojmë prej tyne se si me i bájtë me durim e me vendosmëni. Ka randësí sidomos mos me i luejtë kurr parimet. Mjerisht – tue kenë njerëz - ndoshta gabime të vogla, të parandësishme, edhe mund të bâhen, por pa damtue idenë.

Don Davidi: - Si thotë fjala e urtë: “Me mëkatnue asht njerëzore, me qindrue në mëkat asht djallëzore.

Pater Zefi: - Tashti: a asht kenë kleri katolik në naltësinë e duhun; a ka pasë ndonji qi nuk mujt me qindrue – e sot ketë po mundohen me e gjetë, tue vû gishtin ku munden e tue thanë jo kje ky e jo kje ai. Puna asht se jo të gjith njerëzit munden me kenë heroj e me dekë si heroj. Mund të jetë bâ edhe ndonji gabim. Por duhet të kemi parasysh qi edhe Krishtit, qi asht Zot, në shoqninë prej 12 vetësh qi pati, nji i ka dalë trathtar. Por tue kqyrë proporcionet prej 200 vetësh, qi përbajshin klerin katolik, ndonji qi ka gabue nuk çon peshë aspak. Ndërsa fesë nuk i rá mohit kurrkush. Ndoshta ndokush gaboi, ndoshta nënshkroi ndoj gjâ send, që sot dënohet, por, ka pasë thanë Nastradini: ai qi nuk asht rrxue prej fikut, mos të vijë me më pá”.  Ata qi mund të kenë nënshkrue, e kanë bâ ketë prej torturave të padurueshme, shumë mâ të zeza se ramja prej fikut....

                                                                                        *  *  *

Don Davidi: - Tue kujtue gjithë atë veprimtari  për “Fé e Atdhé” që zhvilloi kleri, e sidomos zhguni françeskan, nuk mund të mos kemi dishirë ta ndigjojmë, shkurtimisht, mendimin tuej për kontributin e Kishës katolike në fushën e kulturës e, sidomos, në atë të zgjimit të vetëdijes kombëtare....

Pater Zefi: - Tashti me folë për françeskanët e për verpimtarinë e tyne, duhet me e pa këtë veprimtari në tanë botën, sepse Urdhni i themluem prej Sh’Françeskut, me idé thellësisht popullore, gjindet kudo në botë. Urdhni ka si idé kryesore vorfninë, tue zhdukë kështu atë që sot kishte me kenë pasioni themelor: dishirin për pasuní. Ideja e pasunisë zhduket. Vendin e saj e xên ndjenja mâ fisnike që ka njoftë ndonjiherë njeriut: dashunia. Dashunia për Zotin në radhë të parë. E kur të kesh dashuni për Zotin, do të kesh edhe për të gjitha kreatyrët tjera, pa dallim. Si je mësue me dashtë Zotin, nisë e ndien dashuni edhe për lule, për shpend, për shtasë... e aq mâ tepër për njeriun. Kjo âsht karakteristika kryesore e françeskanizmit në botë. Mirë po, tue punue për me e edukue njeriun me ketë dashuni, nuk kem dallue as trima as frikacakë, as pasanikë as të vorfën, as të dijshëm as të padijshëm. Prej këndej edhe dashunia për Atdhé e binomi “Fé-Atdhé”, që don me thânë me punue për Zotin e për popullin. Â’ kenë nji kohë kur françeskanët shqiptarë  janë kenë aq të paktë, aq të paktë, sa nuk ia kanë mërrijtë me i përhapë idetë e dashunisë së Zotit. Kanë ardhë, atëherë, misionarë të huej, qi kanë pasë një karakteristikë të veçantë: janë bâ të popullit, ku kanë shkue; janë mishnue me popull, për me e çue te Zoti, e ka ardhë prej vedit qi edhe ata kanë punue për ketë popull, për me i dhanë kulturë, dashuni, gjithçka kanë mujtë.

 

Don Davidi: - Cili ka qenë roli i revistave të mirënjoftuna “Hylli i Dritës” e  “L.E.K.A.”, në këtë përpjekje për të rrezatue dashuni e kulturë. Mjerisht sot nuk i kemi mâ këto dy revista, me tipare të ndryshme, por me qellime të njajta, të cilat do të jepshin të njajtën ndihmesë edhe sot, kur ka aq shumë nevojë pikërisht për dashuni e për kulturë...

Pater Zefi: - Kleri katolik, tue mendue për Zotin, ka mendue për popullin, ka punue me e marrë e me e çue te Zoti. Vështirësia mâ e madhe si për klerin shqiptar, ashtu edhe për misionarët e huej, ka kenë se populli ishte tepër i padijshëm, i pashkollë. E ky popull i padijshem e i pakurrfarë shkollet kishte vetëm kulturën gojore të veten e dhantitë natyrore, qi ia kishte falë Zoti. Ta pret mendja se malet e fushat, qi nuk e kanë lodhë fort menden, mund të epshin edhe xheni të mëdhaj, siç edhe dhanë në të vërtetë. Prandej edhe kleri i dha randësi të madhe shkollave. Thonë se shkolla e parë në Shqipni kje hapë me 1887. Po shkollat shqipe na i gjejmë ç’prej vjetës 1680, madje të organizueme si s’ka mâ mirë prej misionarëve. Në sa në shkollën françeskane dihet mirë se mësohej në gjuhë shqipe qysh me 1861. Nuk quheshin shkolla kombëtare, pse mbaheshin prej klerit katolik, por në të vertetë ishin kombëtare, e këtë e tregon fakti se kjenë ato që formuen njerëzit e kombit. E edhe tashti, kleri katolik duhet me i dhânë randësinë mâ të madhen kulturës, sepse kultura asht nji gjâ e perbashkët për të gjitha besimet e për të gjitha shtresat e kështu, tue kulturue popullin, e çojmë mâ afër Zotit, pikërisht me anë të kulturës. Për njatë qëllim u zhvillue shtypi, u çilën shkollat, u botuen libra e revista... Deri me 1944, kur erdhën komunistat, Kisha katolike ka pasë njaqë shkolla, sa ka pasë shteti shqiptar. Atëherë kleri katolik kishte peshë politike e randësi të madhe.

Don Davidi: - Po e përsëris prap pyetjen: ç’ vend kishin ndërmjet këtyre përpjekjeve “Hylli i Dritës” e “L.E.K.A.”?

Pater Zefi: - Tashti secili ka punue në të njajtin drejtim, por me mundësitë e veta. Kur flasim për revistat e klerit katolik, duhet të kujtojmë se e para revistë kulturore âsht “Elçija e Zemrës së Krishtit”, qi doli shumë mâ parë se “Hylli i Dritës”- 50-vjet përpara, por ishte revistë fetare, me përmbajtje vetëm fetare e shpirtënore, ndërsa e para revistë kulturore kje “Hylli i Dritës”.

Don Davidi: - Me një fjalë “Hylli i Dritës” ka luejtë rolin e Doktrinës Shoqnore të Kishës, që sot Papa Gjon Pali II e nënvizon me forcë...

Pater Zefi: - Nuk asht se na i kena prî Papës, por Kisha katolike kulturën e ka pasë gjithmonë në qëndër të vemendjes. Ka luftue me anë të kulturës, qysh në kohën e të krishtenëve të parë, për me vijue në kohë të mjesme... tashti koha e mjesme akuzohet si koha mâ obskurantiste e historisë. Por kjo asht krejtësisht e pavertetë. Në atë kohë janë filozofët mâ të mëdhaj, katedralet mâ të mëdhá, mâ të bukurat, mërrijtën kulmet të tana artet e shkencat humane. Në sa shkencat ekzakte përparuen mâ vonë, por nuk duhet harrue se në Hanë e në Mars njerëzit po shkojnë tue u nisë shi nga ato kalkulime qi kjenë bâ qysh në atë kohë.

                                                             *   *   *

Don Davidi: - Pater Zef, folëm pak për Kishën, pak për kulturën, pak për françeskanizmin. Ju keni punue e punoni për të ardhmen e vendit e të Kishës. Posaçërisht me dërgimin e  të rinjve jashtë për të studiue, me shpresën se do të kthehen në Atdhé e të punojnë për të mirën e popullit. Ç’mendoni për politikën shqiptare e për politikanët? Mendoni se kemi politikanë të vërtetë, me nivel?

Pater Zefi: - Kjo âsht e meta mâ e madhae  e historisë së këtij populli. Të thashë edhe përpara: na jemë çpallë shtet në vedi, pa i pasë njerëzit që ta drejtojnë, pse zakonisht shtete i drejton politika, popujt i drejtojnë njerëzit e politikës; janë ata që e japin drejtimin, porse njerëzit e politkës janë pak a shum të pregatitun, duhet të jenë kështu. Ndërsa në Shqipni asht krijue mendimi feudal se ai që ka politikën, ka gjithçkafen në dorë, se politika asht burim fitimit. Shqiptari endè s’e ka kuptue se politika asht shërbim e jo fitim.  Vetëm kur të vijnë ata njerëz që kanë me e kuptue se politika asht shërbim, atëherë, po, mund të shpresojmë.... Ti merre fjalën ministër. Po ta përkthejmë, don me thanë shërbëtuer; po te na ka kuptimin sundimtar, që don me thanë gërryes. Asht i pari mendim që duhet ndërrue. Nuk asht aspak e lehtë, por kadalë –kadalë... Tashti po bâhen 100 vjet që jemë të pamvarun – 100 vjetori i Pamvarsisë  do të kremtohet në vjetën 2012 - por endè s’kemë mërrijtë me formue shtet! Kjo âsht fatkeqësia mâ e madhe  e këtij populli. Mbas njiqind vjetësh, alá s’ka shtet të vërtetë. Jemi pa dritë, pa rrugë, jemi pa ujë, pa gjithçka.

Don Davidi: - Pater Zef, e Kisha, në këtë situatë të vështirë shoqërore, ekonomike e politike, me gjithë mungesën e infrastrukturave, mundohet me bâ çka mund të bâhet, apo jo?

Pater Zefi: - Kam pasë dhânë nji intervistë në revistën “Jezus” para disa vjetsh. Me njata mendime qi kam kenë atëherë, me njato jam edhe sot. Më pat pvetë ai kryeredaktori i revistës e më pat thanë: “Po Kisha katolike si asht në Shqipní? I thaçë: “Ajo anije s’ka zbarkue në brigjet tona”. Si – tha - po unë kam ato, statistikat. Janë ma se njiqind priftën, njiqind mungesha. - Po, more, po – i thashë –janë, janë… Ka, si priftën, ashtu edhe mungesha – por nuk e di a janë mâ tepër degë e Kryqit të Kuq, apo njerëz të Kishës, qyshsè kanë hapë ambulanca e merren mâ teper me punë qi i takojnë Kryqit të Kuq. Na në Shqipni kemi nevojë mâ tepër për mend, për trû, ata vijnë e na bâjnë injicjone, po injicjonet nuk na i shëndoshin trutë. Kisha misjonin e vet e kryen ndër shkolla nëpërmjet kulturës e jo tue dá pako, ndihma ushqimore.... Nuk po thom se asht gjâ e keqe; asht gjâ e mirë, por qi ndihmon vetëm trupin, në sa menden e shpirtin pak i ndihmon. Mjerisht edhe sot na kemi nji fatkeqësi të madhe se s’kemi klerin shqiptar të mjaftueshëm. Ashti ai qi e din se ku i dhemb e ku i djeg shqiptarit, qi ia njeh të metat e të mirat. Mjerisht klerikët e vjetër shqiptarë u shuen, ose nuk janë mâ në gjendje për punë. Mosha bân punën e vet. Kështu Kisha mbet në duer të të ardhunve. E ata që erdhen, erdhen me ‘i farë mendimi se po krijojnë Kishën. Menduen se këtu ishte vend-bosh. Harruen se Kisha në ketë vend asht qysh në kohë të Sh’Palit. Menduen se po vijnë si misionarë me hjedhë themelet e Kishës së re. Këtu asht e meta e Kishës katolike në Shqipní të soçme, e cila nuk ka marrë para syshë kurrgjâ çka asht kenë e prandej edhe asht pa themele.

 

Don Davidi: - Sidokjoftë, shenjat premtuese nuk mungojnë, e nuk mund të mohohet se asht bâ një punë e madhe.....

Pater Zefi: - Âsht bâ punë e madhe; sidomos janë bâ kishat, kuvendet, ndertesat, e edhe shkolla janë hapë, por jo aq shum sa duhet, sepse edhe populli katolik, në krahasim me çka asht kenë, asht shumue, pse asht shumue populli në përgjithësi. Atëherë a’ kenë folë për një qind mijë katolikë, sot sigurisht katolikët nuk janë nën 500 mijë. Por në kjoftë se atëherë janë kenë njëqind shkolla, sot duhen me kenë 500. Pra kjo asht e meta kryesore e Kishës katolike në Shqipni: nuk i përgjigjet nevojave të kohës, sidomos në çashtjen e  kulturës. Për kah kishat, janë mâ të mira se ç’janë kenë, kuvendet e famullitë janë mâ të mira se ç’janë kenë, por janë të gjitha punë materiale.

Don Davidi: - Nji prej sfidave që duhet të përballojë sot Kisha në Shqipni, asht edhe takimi ndërmjet zonave të ndryshme, banorëve që lëvizin nga krahinat e ndryshme, që dynden drejt zonave fushore, sidomos drejt qytetve...... kjo zhvendosje mund të krijojë shqetësime, por mund të jetë edhe pasuri, po të shfrytëzohet si duhet....

Pater Zefi: - Asht pasuni e paçmueshme, persè qytetet përtrihen me gjak të ri, me një gjak shumë të fuqishem, në kjoftë se ka kush i edukon, kush i drejton. Por në kjoftë se ne, klerikët, nuk i vêmë detyrë vedit me i marrë këta njerëz e me i çue te Zoti, ka me dalë tjetërkush qi, për së shpejti, ka me i çue te djalli. Prandej duhet me gjetë metodën, se si me i çue këta njerëz te Zoti.  Kisha vetëm nuk mund t’ia dalin. Sot janë mediat....

Don Davidi: - Ju keni mendimet tueja për metodat: doni, për shembull, të krijoni një radio me vlerë, qi të punojë pikërisht për edukimin e krishtenë, por kjo deri tash ka mbetë vetëm dishirë... të cilën urojmë ta realizoni sa mâ shpejt...

Pater Zefi: - Ishalla ka me u realizue. Mjetet m’i kanë dhurue qysh në vjetin 1991-92. Sigurisht qi ato janë plakë, se këto mjetet po dalin përherë e mâ të reja. Por sidokjoftë, munden  me shërbye si bazë. Mjerisht ai plan i emi nuk u kuptue pse – si i thonë nji fjale – si të kruen dora jote, nuk të kruen e kurrkuja – misioinarët nuk i dinë nevojat e verteta: janë misionarë të mirë – nuk mund të flas keq për kurrnji – kanë punue përtej fuqive të veta e me flijime të mëdha, por gjithsesi nuk e dinë se ku na dhemb e ku na djeg.

Don Davidi: - Ju mendoni gjithnjë për kohën tuej, kur Kishën e drejtojshin personalitete të fuqishme shqiptare. Ju i keni njoftë, madje keni jetue e bashkëpunue me disa prej tyne, tue kenë i zgjedhun me punue në arkivin françeskan prej vetë Pater Palit, provinçalit të parë shqiptar të Provinçës së Zojës Nunciatë. E dimë se arkivi i vjetër u  grabit prej komunistave, por dimë edhe se sot fretënt kanë një arkiv e një bibliotekë të pasun, krijue e ruejtë falë zellit e kujdesit të fretënve mergimtarë: Pater Daniel Gjeçajt, Pater Jak Marlekajt e Pater Paulin Margjokajt, të cilët punuen me pasion për të vû në vend gjithçka ishte shkatërrue. E gjithë këto vlera ruhen tashti në Bibliotekën e  re të fretënve në Gjuhadol...

Pater Zefi: - Kam kenë i ri fort, kur kam punue në arkiv, tue kenë se në atë kohë të vështirë,  nuk kishte asnji tjetër qi mund të punonte. Kjo më ka ndihmue me njoftë për së afërmi vepra të mëdha të françeskanëve e të Kishës katolike. Mjerisht pjesa ma e madhe asht zhdukë faret; pjesa qi ka teprue, asht në dorë të shtetit. S’ka gja! Mjaft qi mos të hupin e të jenë të hapuna për studime, pse arkivat e bibliotekat janë për të gjith njerëzit, për ata që duen me dijtë të vërtetën si a’ kenë, pamvarsisht se në arkiva e vërteta nuk del kurr. Në arkiv gjen gjithçka, por jo të vertetën. Historia mund të shkrueht ma mirë tue u nisë nga letrat personale, jo nga letrat zyrtare, se kur shkruen njeri nji letër zyrtare, mundohet me e mshehë të vertetën, ose, së paku, me e ndryshue. Në arkiv, pra, gjen gjithçka, të mira e të këqija, gjen paditë e njanit e të tjetrit, gjen rrena sa të duesh, por nuk don me thanë se tue shfrytëzue arkivin, shkrove nji histori të vertetë. Megjithatë arkivat janë të randësishme për me njoftë jetën e kalueme të popullit shqiptar, të klerit, të Kishës, Unë kam pasë fatin me njoftë shum personalitete të mëdhá të katoliçizmit në Shqipni: Pater Anton Harapin, Pater Pal Dodën, Pater Frano Kirin…. kam njoftë edhe Pater Gjergjin, ndonëse krejt i vogël; kam njoftë edhe të afërm të tij. Jam përpjekë me shkrue diçka për ta. Kam shkrue “Françeskanët e mëdhaj”. Vepra qi kanë bâ fretent e mërguem, Pater Daniel Gjeçaj, Pater Jak Marlekaj, Pater Paulin Margjokaj, asht nji vepër heroike, krye krejet pse nuk u asht ligshtue zemra, nuk e kanë hupë besimin në ditën  e kthimit të Kishës, të Urdhnit, kanë jetue gjithnji me shpresë, ashtu si thotë Bibla për Abramin “Contra spem, speravit” – “”Kundra shpresës – shpresuen!”.  Pra vijuen me pune me bindjen se feja s’ka me mbarue kurr. Kështu ruejtën për të nesërmen – don me thanë për të soçmen , së cilës ata i kanë thanë e nesermja – gjithë këtë pasuni. Por të soçmes nuk ia mërrijën. Kështu, falë shpresës dhe punës së tyne, na sot kemi nji arkiv të mirë, që tue mbledhë libra, filma, fotokopje ka me vijue e me u pasunue përherë e mâ teper...

Don Davidi: - Përmendët mâ parë arkivin shtetnor. E di se në këtë arkiv ka shumë dokumente të rrëmbyeme prej arkivave të jezuitëve, të fretënve, prej zyrave famullitare…; mandej vepra të randësishme, që mbahen ndrŷ e që, mendoj, se meritojnë me pá dritën….

Pater Zefi: - Kjo nuk më duket gjâ e keqe, sepse me mbajtë nji arkiv, duhet me pasë kushte teknike, sot për sot të jashtzakonshme, pse letra asht letër e pergamena-pergamenë: prishen vedit; koha bân punën e vet, mikrobet të veten… Unë jam sjellë shum nëpër arkiva, jam interesue teper për me dijtë çka ka aty e per me xjerrë edhe ndoj send prej tyne. Kam pá, prandej, se shteti ka krijue kushte me të vertetë të mira. Kështu nuk kishem me dishrue që të dalin prej atij vend. Mendoj, veç, se duhet t’i jepet mundësia me i konsultue, me i studiue e me i fotografue të gjith atyne, qi kanë nevojë për këtë material. E kjo, thjeshtë sepse na, si Kishë e si provinçë, nuk kemi mërrijtë alá me krijue konditat që ka shteti për me ruejtë letrat e pergamenat.

Don Davidi: - Me që e kemi fjalën për arkivin, në arkiv të shtetit ruhen edhe Kodikët, që kanë vlerë të jashtzakonshme. Mund t’i quej letërnjoftim për popullin shqiptar, për Kishën shqiptare, të cilën e radhisin ndërmjet kishave mâ të mëdhá, mâ të vjetra, mâ fisnike. Si i vlerësoni Ju këta kodikë: Kodikun e  Beratit e të tjerët, ku gjinden fragmente të ungjijve ndër mâ të vjetrit.

Pater Zefi: - Unë i kam pasë studiue në kohën kur studiojshe teologjinë . I kam pasë njoftë të tanë: Codex Aureus, Codex Rubles; Codex Anthimi, Codex Beratensis… Këta janë kenë të ruejtuna në nji Kishë në Berat. Sot i ka në dorë shteti. E unë mendoj se asht tepër mirë qi i ka shteti, përse ka mundësi me i ruejtë, në sa ndër né do të ishin damtue, siç paten fillue me u damtue.

Don Davidi: - Sigurisht ruejtja asht punë e mirë, por nuk mund të mos e quejmë fatkeqësi që këto Kodikë të mbeten të panjoftun për nxanësit e shkollave, sepse askush s’e ka marrë mundim me i përfshi në programet e tekstet shkollore…Në sa do të ishte mirë që pikërisht me to të niste studimi i traditës kulturore shqiptare….

Pater Zefi: - Këtu asht e meta e madhe edhe e Kishës. Nuk i ka kushtue kujdes kulturës, sa i ka kushtue infrastrukturës. Shkollat qi janë hapë sot prej klerit katolik, janë hapë me programe shtetnore e me tekste shtetnore. Atje alá vazhdojnë idetë komuniste, materialiste... Gjithçkafja asht e rreme. Prandej shkollat qi të hapë Kisha katolike kishte me u dashtë të jenë shkolla të veçanta, ku të mësohet kultura e vërtetë. Tekstet duhet të bâhen të reja, të gjitha. Na duhet një kulturë me të vërtetë evropiane. Edhe s’kishe me i thanë mâ shkolla klerikale, por Euroshkolla, që të bâhet mësim si kudo në Evropë.

Don Davidi: - Po kalojmë te një argument tjetër, jo mâ me pak randësi: si i vlerëson populli shqiptar martirët e vet. Kam parasysh këtë ças një thanje të shkrimtarit francez Albert Camus, drejtue martirëve të vendit të vet: “Martirë, miqtë e mi. Duhet të zgjedhim: me u harrue, me u përqeshë, me u bâ objekt tallje… ose me u kthye në vegla, për t’u kujtue....”

Pater Zefi: - Martirë ka gjithfarësh: ka martirë të së mirës e të së keqes. Na kemë Skanderbeun e Ballaban Pashen, të dy kanë kenë shqiptarë, e shqiptar ka kenë edhe Haxhi Qamili. Dikush vjen e na thotë se Skanderbeu asht martir, por për një tjetër martir asht Ballabani e madje edhe Haxhi Qamili. Atë e zgjedh njeriu vetë. Randësi ka me zgjedhë figura të deja, për me ecë përpara. E figurat mâ të dejat janë martirët e Kombit, të kulturës të fesë. A dishrojmë me kenë të harruem? Sigurisht këtë nuk e dishrojmë; të përqeshun, të tallun? As këtë jo e jo. Vegla – për hir të kujtimit? Këtë kishem me e dishrue. Kishem me dishrue të ishin vegla në duert e të mirëve, por të mirët nuk përdorojnë vegla, pse ketë e quejnë servilizëm, korrupsion….As të tallun nuk dishroj me kenë, por prap se prap edhe i talluni mbetë gjallë e del sado vonë ndoj’ kritik me ia vû nderën në vend. Ma e keqja asht me kenë i harruem, qi don me thanë me kenë i hjedhun. Vêne oroe në praktikë: don me xânë kos? Dom me xânë brumin për bukë? Ta dish se as kosi as buka nuk xêhen pa tharm. Këtë kishem me dishrue un per martirët: me kenë tharmi i së ardhmes!

 

Don Davidi: - Ju, klerikët keni qenë e jeni krypa e tokës sonë, drita e njerëzve tonë, rojtarët e së mirës, që s’mund ta zhdukë askush nga zemrat, që ka me vijue me ekzistue gjithmonë edhe në orët mâ të errëa të historisë së popullit, të cilin ju e keni zgjue e e keni mbajtë me shpresë, e keni mësue me iu shmangë rrugëve ku nuk duhet të ecë. Ç’ këshill i jepni popullit shqiptar e sidomos rinisë?

Pater Zefi: - E porosis per tri gjana: Të kenë fé, kurr të mos e braktisin fenë; të kenë shpresë; e mbi të gjitha, të kenë dashuni; ky asht mesazhi qi e ka dhanë Sh’Pali përpara mejet, e para Sh’ Palit e ka dhanë Krishti vetë! Kjo asht porosia e kjo pershndetja per të gjithë popullin shqiptar.

25 shtator 2018, 08:20