Kërko

2018.08.16 Shurdhah Sapa Shqiperi Albania 2018.08.16 Shurdhah Sapa Shqiperi Albania 

Festa e Zojës së Madhe në ishullin Shurdhah në dioqezën e Sapës

Në ishullin Shurdhah, dioqezë të Sapës, në trojet e vjetra të ish dioqezës së Sardës, u kremtua festa e Zojës së Madhe. Një kremtim domethënës shpirtëror, në një vend të historik kishtar e kombëtar.

R.SH. - Vatikan

Kremtimi solemn i festës së Zojës së Madhe, në dioqezën e lashtë shqiptare të Sapës, në trojet e vjetra të ish dioqezës së Sardës, në ishullin e Shurdhahut, me pjesëmarrjen e Nuncit Apostolik në Shqipëri, Imzot Charles John Brown, ftuar nga ipeshkvi të vendit Imzot Simon Kulli. Një kremtim i veçantë me domethënie shpirtërore po edhe historike kishtare e kombëtare, po më hollësisht nga Vau-Dejës të ndjekim shërbimin e Violeta Marashit......

Në ishullin Shurdhah, Sapë, në trojet e vjetra të ish dioqezës së Sardës, u kremtua festa e Zojës së Madhe

E KREMTJA E “TË NGJITURIT E ZOJËS NË QIELL” - SHURDHAH

E kremtja e festës “Të ngjiturit e Zojës në Qiell” është kujtuar edhe në Dioqezën e Sapës, në trojet e vjetra të ish dioqezës së Sardës, në ishullin e Shurdhahut. Pas shtegtimit me anije dhe varka drejt Shurdhahut, besimtarët u mblodhën në ish rrënojat e qytetit të Sardës, rreth Kishës që i dedikohet Zojës, dhe së bashku me devocion dhe përshpirtëri, lutën rruzaren e shenjtë kushtuar njeteve dhe qëllimeve të tyre. Me ftesë të ipeshkvit të vendit Imzot Simon Kulli, ishte i pranishëm edhe Nunci Apostolik në Shqipëri, Imzot Charles John Brown, i cili udhëhoqi meshën e Shenjtë në bashkëcelebrim me famullitarin e Katedrales, Dom Mark Shtjefni. Përveç besimtarëve shtegtarë, ishin të pranishëm edhe meshtari i ri Dom Zef Marku, motrat e bashkësive të ndryshme, si dhe autoritetet e pushtetit vendor. 
Në fillim dom Marku falënderoi të gjithë të pranishmit për pjesëmarrjen në këtë vend të shenjtë dhe me histori të lashtë për vlerat që mbart. 
Ndërsa në homelinë e rastit, Imzot Brown shprehi kënaqësinë e kremtimit në katedralen natyrale siç e quajti ai, kishën që i kushtohet Zojës, në këtë vend të mrekullueshëm të krijuar nga Zoti, me një pamje panoramike mahnitëse në mes të liqenit të Vau Dejës. Ai u ndal edhe në rëndësinë e festës së Ngjitjes së Virgjërës Mari në Qiell, e cila la pas një përshpirtëri të madhe në historinë e Kishës. 
Gjatë meshës të gjithë së bashku u lutën duke i kërkuar Zojës ndërmjetësinë e saj për hiret dhe bekimet në jetën e secilit dhe në familjet e tyre. 
Më pas, të pranishmit vizituan ishullin e Shurdhahut dhe rrënojat e mbetura të kishave që kanë qenë të ndërtuara në këtë vend, ku sipas gojëdhënave ngriheshin dikur më se 365 altarë që u kushtoheshin shenjtorëve të ndryshëm nga një për çdo ditë të vitit.

16 gusht 2018, 12:46