Kërko

 Vëllai Roger Schutz i Taize-së Vëllai Roger Schutz i Taize-së 

Vëllai Roger i Tezesë, lutja dhe pajtimi për të rinjtë

Më 16 gusht, gjatë uratëve të mbrëmjes, vëllai Roger Schutz, themelues i Bashkësisë ekumenike të Tezesë, mbytej nga një e re me kufizime mendore. Shuhej, duke u lënë trashëgim të rinjve fjalët: “Bëni jetë të thjeshtë e rrini të bashkuar!”.

R. SH. - Vatikan

“Do të këndoj në amshim mëshirën e Zotit!”. Dymbëdhjetë mijë zemra rrihnin njëherësh në Kishën e Pajtimit, të Tezesë, e miliona, të bashkuara  shpirtërisht me to, luteshin kështu 13 vjet më parë, me lutje të shkurtra e të përsëritura, siç i kish mësuar vëllai Roger Schutz, themelues i bashkësisë ekumenike. Shoqëronin mësuesin imcak e të ligshtë të bashkimit e të pajtimit ndërmjet të krishterëve, mbytur nga një vajzë nëntëmbëdhjetë vjeçe, me sy foshnje, në mes të të rinjve të tij. E ai u shua, duke lënë pas vetëm këngë lavdi e gëzimi, faljeje e emocioni, të cilat vijojnë të jehojnë, që nga viti 1940, në fshatin e vogël të Borgonjës franceze.

Zoti është i bashkuar me çdo qenie njerëzore, pa asnjë përjashtim

Thellësisht i prekur, vëllai Alois Löser, pasardhës i caktuar nga vetë vëllai Roger, që më 1998, në krye të njëqind murgjërve të bashkësisë, kujtonte bindjen e parë, që i priu vëllait Roger në këtë udhë: “Zoti  është  i bashkuar me çdo qenie njerëzore, pa asnjë përjashtim”. Kështu fliste, dy vjet para vdekjes, në mars 2003, në një intervistë dhënë Octava dies, revistë e Qendrës Televizive të Vatikanit: “Mos kini frikë nga vdekja! Krishti është aty pranë, i padukshëm, por i bashkuar shpirtërisht me të gjithë, pa asnjë përjashtim”. Në këto fjalë jo vetëm disa njerëz, por mbarë Kisha e familja njerëzore gjejnë ndihmë, mbështetje, gëzim. Në një kohë kur kanë aq shumë nevojë për gëzim!

Që nga vitet shtatëdhjetë, shtegtimet mbi kodër vijojnë…

Çdo vit, qindra të rinj ngjiten mbi kodrinën, në zemër të Francës, për të jetuar një javë të veçantë: takime, këngë, lutje, heshtje me shijen e përvojës së Tezesë, që të nxisin vetvetiu të rizbulosh kuptimin e jetës. Në përfundim të lutjes, në Kishën e Pajtimit, ose të takimeve të tjera evropiane, vëllai Roger bisedonte shpesh me të rinjtë. Biseda që vijonin, e që vijojnë, nga viti, në vit…

Na prin besimi në Zotin e në të tjerët

“Në Tezè shkohet, ashtu si shkohet pranë një burimi. Shtegtari ndalohet, shuan etjen e pastaj vijon udhën”. Janë fjalët e një shtegtari jo të zakonshëm, këto. I pati shqiptuar Gjon Pali II, edhe ai shtegtar mbi kodrinën e Borgonjës franceze, më 5 tetor të vitit 1986. E s’ka fjalë më të gjetura për ta përshkruar thirrjen e bashkësisë ekumenike, themeluar më 1940 nga Roger Schutz, asokohet 25 vjeçar, i cili që nga vitet shtatëdhjetë  vijoi të priste e të përcillte mijëra të rinj të krishterë nga mbarë bota, të joshur nga lutja e bërë me këngë melodioze, me pak fjalë e me shumë heshtje. E të tërhequr fort nga jeta komunitare e vëllezërve të burrit imcak, që u shua duke lënë pas jehonën e fjalëve optimiste: “Kur e jetojmë besimin në Zotin e në të tjerët, mund të ecim me guxim përpara, sepse nuk shkojmë drejt dënimit, as të provës, por drejt paqes e mirësisë së zemrës!”.

16 gusht 2018, 11:40