Kërko

 Shenjtërorja mariane e Knock, në Irlandë. Shenjtërorja mariane e Knock, në Irlandë. 

Knock, zemra mariane e Irlandës, në pritje të Papës

Filloi sot Nëntshja tradicionale e Zojës së Knock, në Irlandë. Tema e lutjes, “Feja e familja”, lidhur ngushtë me takimin botëror të familjeve në Dublin. Papa Françesku do ta vizitojë Shenjtëroren mariane të Knock, më 26 gushtin e ardhshëm.

R. SH. - Vatikan

Kur, në mëngjesin e së dielës, 26 gusht, Papa Françesku do të vizitojë Shenjtëroren mariane të Knock, do të bëjë një gjest që miliona irlandezë e kanë bërë brezni pas breznie prej një shekulli e gjysëm. Zemra mariane e “Irlandës katolike” rreh pikërisht në këtë vend të vogël, në veri-perëndim të ishullit, mbi rrafshnaltën  e kontesë Mayo, vend i lidhur  edhe me Pajtorin e Irlandës, shën Patrikun.

Maria iu duk 15 banorëve të vendit, njerëz të të gjitha moshave

Ishte data 21 gusht e vitit 1879, kur në fshat, nën një shi me rrëshekë, pesëmbëdhjetë vetë - nga 6 deri në 75 vjeç -  panë Zojën, nën strehën e kishëzës së vogël famullitare. Pranë Saj, për herë të parë, edhe dy figura të tjera që, sipas traditës, duhet të ishin Shën Jozefi dhe Shën Gjoni Ungjilltar. Gjithnjë sipas traditës, vegimtarët vijuan të luten nën shiun e rrëmbyer, pa u lagur fare, ndërsa tri figurat rrinin përballë tyre në heshtje, për t’iu zhdukur, pastaj , nga sytë.

Feja e irlandezëve përforcohet me devocionin marian

Pak javë pas kësaj mrekullie, që tronditi thellë mbarë Irlandën, autoritetet kishtare emëruan një komision, i cili i quajti të denja për besim, dëshmitë e atyre, që patën fatin ta shikojnë Zojën. Është fillimi i historisë së jashtëzakonshme të Knock, që Papa do ta vizitojë, pas vizitës së paharrueshme të Gjon Palit II, më 1979, pritur nga më se një gjysëm milioni njerëz - duke i shtuar një kapitull të ri, të rëndësishëm. Në pak kohë, pas dukjeve, Knock u bë cak shtegtimesh të vazhdueshme për irlandezët. Çdo vit drejt këtij vendi mrekullish, shtegtojnë më se një milion besimtarë. Me Shenjtëroren lidhen edhe çaste të historisë bashkëkohore irlandeze: në gusht të vitit 1940, 50 mijë irlandezë marrin pjesë në Shtegtimin për paqen në botë e në Irlandë. Më 1954, me rastin e Vitit Marian, shpallur nga Piu XII, më se një milion shtegtarë shkojnë në Knock, ku, me dëshirën e Papës Pacelli, kurorëzohet Shtatorja e Zojës.

Një Shenjtërore e re, falë imzot James Horan  

Njëqind vjet pas dukjeve, do të ngrihej një shenjtërore e re, që i shtohej kishëzës së mrekullisë. Guri i parë u bekua më 1973 nga Papa i ardhshëm Pali VI, përurimi u kremtua 6 vjet më pas, më 18 korrik 1979. Simbolikisht ndërtesa mbështetet mbi 32 shtylla, që përfaqësojnë 32 kontetë irlandeze. Veç strukturës qendrore, ka edhe pesë kapela kushtuar “Zojës së Knock”, Shën Jozefit, Shën Gjonit Ungjilltar, Zemrës së Krishtit dhe Shën Kolombianit.  Knock, si zemër mariane e Irlandës, u zhvillua falë imzot James Horan, famullitar i Shenjtërores që nga viti 1967 - deri më 1986. Falë tij, që jo më kot njihet edhe  si “The Builder of Knock”, (Ndërtues i Knock),  u ngrit jo vetëm Shenjtërorja moderne, por edhe aeroporti ndërkombëtar.

Zoja e Knock, në zemër të mërgimtarëve irlandezë

“Sa herë që një shtegtar vjen në këtë vend,  i cili një herë e një kohë s’ishte tjetër, veçse fshat kënetor i Kontesë Mayo, e sa herë që një burrë, një grua a një fëmijë vjen, në kishën e vjetër të dukjes a në Shenjtëroren e re të Marisë, Mbretëreshë e Irlandës - pati pohuar Karol Wojtyla  më 30 shtator 1979 -  ndjen forcën e fesë e të shëlbimit,  që vjen përmes Jezu Krishtit, i cili na shndërroi të gjithëve në bij të Zotit e trashëgimtarë të Mbretërisë së Qiellit”. Një fe, që bijtë e Irlandës, mërgimtarë në të katër anët e botës, e mbartin me vete edhe pëmes figures së Zojës të Knock Muire “Kodrinës së Marisë”, që i ruan me dashuri amtare irlandezët, kudo që janë!

 

14 gusht 2018, 12:35