Kërko

 Udhëtimi Apostolik në Irlandë, Takimi Botëror me Familjet Udhëtimi Apostolik në Irlandë, Takimi Botëror me Familjet 

Dublin: familjet për udhë, në pritje të Françeskut

Qyteti, ku vijon këto ditë Takimi Botëror i Familjes, pret ardhjen e Françeskut. Tweet i Papës kushtuar familjes: “djep i jetës, shkollë e mikpritjes dhe e dashurisë”.

R. SH. - Vatikan

Vera e Dublinit stoliset në këto orë edhe nga valëvitja festive e flamujve e nga  fytyrat, që shndrisin prej shprese, në atmosferën e  Takimit Botëror të Familjeve,  hapur të martën e kaluar. Sot jehojnë posaçërisht fjalët e tweetit të Papës Françesku: “#familja është djep i jetës e shkollë e mikpritjes dhe e dashurisë; është dritare e hapur dy kanatash mbi misterin e Hyut”. Ndërmjet grupeve të turistëve, bien fort në sy grupet e shumta të shtegtarëve, shoqëruar nga  ipeshkvijtë e meshtarët.  Familjet, që vijnë nga 116 vende, po e dëshmojnë në mënyra të ndryshme fenë,  në pritje të paduruar të 25 gushtit, ditë kur mes tyre do të jetë Papa Françesku.

Qyteti në festë

Këngët, lutjet, hareja e fëmijëve pasojnë njëra-tjetrën në këto orë pritjeje gazmore. Gjatë udhës, që do të përshkojë Papa, shpalosen flamuj irlandezë e vatikanas. Në shumë zona të qytetit, që mbikqyren nga forcat e sigurimit, shihen edhe radhë të rregullta vullnetarësh, gati për t’i drejtuar shtegtarët në vendet ku zhvillohen  veprimtaritë, sipas programit. Familjet e shumta,  me njerëz të gjymtë, ardhur nga Afrika  e India, për shembull, kanë kërkesa të veçanta. Por gjithsesi: ecin, dëgjojnë, flasin a këndojnë, në sytë e të gjithëve shkëlqen e njëjta dritë: ajo e Fjalës së Zotit. Në veprimtaritë e ndryshme, që vijojnë njëra pas tjetrës në Takimin Botëror të Familjeve, po thellohen tema të ndryshme, lidhur edhe me përvojën e përditshme.

Dhurata e jetës së re

Kardinali Eamin Martin, kryeipeshkëv i Armagh e primat i Irlandës, duke kujtuar Nxitjen Apostolike pas sinodale të Papës Françesku “Amoris laetitia”, foli sot paradite  pikërisht për një dhuratë të çmuar: atë të jetës së re. “U preka thellë – kujtoi Hirësia e Tij - nga shembulli i grave dhe i burrave laikë, shumë prej të cilëve nëna e  baballarë,  që po bëhen zë  i fëmijëve të palindur, prej këndej, pa zë! Të rinjtë - vërejti më tej Kardinali primat, rrethohen nga ajo, që Papa Françesku  e quan “kultura e hedhurinës” dhe “nga mendësia, që i kundërvihet lindjes”.

Një program për të mbështetur çiftet në krizë

 Ndërmjet ngjarjeve të sotme, edhe paraqitja e programit “Retrouvaille” (fjalë franceze, që do të thotë  “të ritakohesh”), i cili u propozon çifteve në konflikt ose në krizë, “mjete praktike për ta përmirësuar komunikimin, për të ndërtuar një martesë më të fortë e për të rindezur dashurinë e shuar”. Folësit nënvizuan posaçërisht se martesa duhet kuptuar si proces i vazhdueshëm i rritjes, duke krijuar një atmosferë dashurie, në të cilën marrëdhëniet mund të forcohen e të lulëzojnë. Me kusht që të dy bashkëshortët të angazhohen për ta ruajtur e për ta përmirësuar vazhdimisht martesën.

Familja dhe problemet e saj të panumërta

U fol edhe për dhuratën e jetës së re, për kuptimin e realitetit të familjeve, për bukurinë e dashurisë seksuale, ngrohtësinë ndërmjet bashkëshortëve, familjen, punën e edhe për sipërmarrjet familjare.  Pjesëmarrësve iu drejtua thirrja  të bëhen misionarë për kauzën e jetës.

Takimi vijon, duke shkuar drejt kulmeve: dy ditëve me Papën Françesku.

23 gusht 2018, 16:50