Versioni Beta

Cerca

Vatican News
 Shenjtërorja mariane e Knock Shenjtërorja mariane e Knock   (© 2016 PM Photography, all rights reserved.)

Knock

Knock (972 banorë, në irlandisht “An Cnok”: “The Hill”, sot zakonisht i njohur si “Cnoc Mhuire”: “Hill of the Virgin Mary”, është një fshat në kontenë irlandeze të Mayo, i famshëm në mbarë botën për praninë e Shenjtërores së Knock.

R. SH. - Vatikan

Knock (972 banorë, në irlandisht “An Cnok”: “The Hill”, sot zakonisht  i njohur  si “Cnoc Mhuire”: “Hill of the Virgin Mary”, është një fshat në kontenë irlandeze të Mayo, i famshëm në mbarë botën për praninë e Shenjtërores së Knock, qysh në shek XIX, vend i dukjeve mariane. Në shekullin XX Knock, që u bë i njohur për njërën nga shenjtëroret më të mëdha katolike të Evropës, së bashku me Lurdën e Fatimën, vizitohet çdo vit nga më se një milion e gjysëm shtegtarë. Në Knock meriton të vizitohet posaçërisht një vend fare pranë Shenjtërores. Quhet Croagh Patrick, Mali shenjt i Irlandës, që të tërheq fuqimisht sa me atmosferën e vet shpirtërore, aq edhe me bukuritë e pashoqe të peizazhit malor. Mali është vendi legjendar prej nga Shën Patriku i dëboi të gjithë gjarpërinjtë e ishullit e, në vitin 441, agjëroi gjatë 40 ditëve të Kreshmëve. Çdo vit, në të dielën e fundit të korrikut, “Reek Sunday”, mijëra shtegtarë, një pjesë e mirë këmbëzbathur, ngjiten në mal. Shën Gjon Pali II, që njihet nga të gjithë për devocionin e tij të jashtëzakonshëm marian, e vizitoi Knock-un në vitin 1979, për të përkujtuar njëqindvjetorin e dukjeve.

Papa Françesku në Dublin: 25-26 gusht 2018

 

Shenjtërorja e Knock ndodhet në Irlandën veri-perëndimore, mbi rrafshnaltën e Kontesë Mayo, në Knock, një fshat i vogël, që u bë vend shtegtimesh mariane. Më 21 gusht 1879, nën një shi me rrëshekë, e Lumja Virgjër Mari, Shën Gjoni e Shën Jozefi u dukën mbi qemerin jugor të kishës famullitare të fshatit. Dukja zgjati dy orë. Të parat që e panë Zojen, qenë dy gra e, pas tyre, rreth dhjetë banorë vendas. Më 8 tetor 1879, kryeiepshkvi i asokohshëm Tuam John MacHale ngriti një komision për ta studiuar hollësisht këtë fenomen. Një komision i dytë u ngrit më 1936. Të dy organizmat pohuan se dëshmitë e njerëzve, që kishin parë mrekullinë, ishin bindëse dhe të denja për t’u besuar. Devocioni për Virgjërën Mari në Knock erdhi duke u rritur gjithnjë më shumë, edhe falë shërimit të disa të sëmurëve, që e kishin vizituar shenjtëroren. Shumë shpejt u ndërtua një kapelë me mure transparente qelqi, fare pranë kishës famullitare dhe filluan shtegtimet drejt asaj, që nisi të njihej si shenjtërore mariane. Më 1976 kishës famullitare iu shtua një kishë tjetër e madhe, tejet moderne, e mbështetur mbi 32 shtylla, simbol i 32 Konteve të Irlandës. Sot shenjtërorja ka pesë vende shenjte: Kishën e Dukjeve, Kishën famullitare, Bazilikën, Kapelën e të Shenjtnushmit Sakrament dhe Kapelën e Pajtimit. Më 30 shtator 1979, në njëqind vjetorin e dukjeve, Shenjtërorja e Knock  priti për vizitë Gjon Palin II. Për t’i uruar mirëseardhjen dolën 450 mijë besimtarë. Në shenjë devocioni, Papa Wojtyla i dhuroi Virgjërës Mari një tufë trëndafilash të artë, që janë gjithnjë aty, në Kishën e Dukjeve.

Shenjtërorja e Knock vizitohet nga një milion e gjysëm shtegtarë në vit. Ndërmjet tyre, në qershor 1993, aty ishte edhe Nënë Tereza. Duhet kujtuar edhe se më 15 gusht 2013, në këtë Shenjtërore, u kremtua ceremonia, gjatë së cilës Irlanda iu kushtua Zemrës së Papërlyer të Marisë. E tani këtu arrin një vizitor tjetër i shumëpritur: Papa Françesku (25-26 gusht 2018).

24 gusht 2018, 11:10