Kërko

Takimi Botëror i Familjeve në Dublin të Irlandës Takimi Botëror i Familjeve në Dublin të Irlandës 

Takimi Botëror i Familjeve: plagët e shpresat, në Forum

Tryeza të rrumbullakëta dhe dëshmi mbi të ardhmen e familjes, pa harruar familjet në nevojë, në ditën e parë të punimeve të Takimit Botëror të Familjeve, në Dublin.

R.SH. - Vatikan

Në Dublin, Takimi Botëror i Familjeve 2018 hyn në ditën e tij të dytë. Pas ceremonisë së djeshme të hapjes - njëkohësisht në 26 dioqeza të Irlandës - sot, filloi Kongresi baritor, bazuar mbi Nxitjen Apostolike pas-sinodale “Amoris Laetitia”. Primati i Irlandës, kryetari i Konferencës Ipeshkvnore Irlandeze, imzot Eamon Martin nisi debatin, në takimin e parë të pjesëmarrësve, për një temë të ndërlikuar, por edhe shumë shpresëdhënëse: si t’u mësojmë familjeve të rizbulojnë fenë e t’ua komunikojnë atë brezave të rinj. E për rrjedhojë, edhe shoqërisë.

Takime e debate mbi të ardhmen e familjes

         Që sot, në kongres do të alternohen një sërë tryezash të rrumbullakëta, panele, dëshmi, jo vetëm mbi rolin e familjes në shoqërinë e sotme dhe mbi marrëdhëniet e saj me Kishën, por edhe mbi plagët e shumta të familjes. Do të ketë reflektime mbi familjet refugjate, mbi problemin e hendekut dixhital ndërmjet brezave, mbi vështirësitë e martesës. Ҫifte e të rinj, që i jetojnë këto probleme, do të japin dëshminë e tyre personale.

Lutja dhe Eukaristia, motorr i vërtetë i Takimit

         Nuk do të mungojë lutja, madje, do të jetë motorri i vërtetë i këtij Takimi Botëror. Mjafton të mendojmë se dy zona të mëdha janë caktuar vetëm për lutjen e përbashkët e personale dhe për adhurimin eukaristik, ndërsa çdo ditë, në orën 16.30, kremtohet mesha.

22 gusht 2018, 16:13