Manastiri i Shën Maronit në LIban Manastiri i Shën Maronit në LIban 

U rikthehet besimtarëve manastiri shkëmbor i Shën Maronit

Manastiri, vend posaçërisht i dashur për të krishterët maronitë, u hap përsëri për kremtime liturgjike e shtegtime, pas shekujsh braktisjeje. Të martën e kaluar, kremtimi i parë eukaristik, i kryesuar nga ipeshkvi maronit i Baalbek, imzot Hanna Rahmé.

R. SH. - Vatikan

Manastiri shkëmbor i Shën Maronit, vend posaçërisht i dashur për të krishterët maronitë, u hap përsëri për kremtime liturgjike e shtegtime, pas shekujsh braktisjeje. Të martën e kaluar,  kremtimi i parë eukaristik, i kryesuar nga ipeshkvi maronit i Baalbek, imzot Hanna Rahmé.

Në këtë meshë, kremtuar në festën e studentëve të shën Maronit, pranë shpellës-manastir, morën pjesë disa  përfaqësues të njohur të politikës dhe një përfaqësi e zgjedhur e Urdhërit maronit libanez. Kremtimin e kryesoi imzot Hanna Rahmé OLM, ipeshkëv maronit i Baalbek-Deir el Ahmar

Gëzimi i të krishterëve për rikthimin e vendit të kultit  

I ndërtuar në veri-lindje të Libanit, jo larg kufirit me Sirinë, manastiri i skalitur në shkëmb të gjallë, bën pjesë në thesarin e kujtimeve lidhur me figurën e Shën Maronit, që jetoi ndërmjet shekullit IV e V e konsiderohet atë i kongregatës murgare-shpirtërore, nga e cila lindi Kisha maronite. Që në shekullin V, këto shpella nisën të banoheshin nga nxënësit e parë të Shenjtit. Pasi kaluan vite e vite braktisjeje, koha bëri punën e vet. Shkëmbi nisi të ronitej. E punën e vet e bënë edhe grindjet gjyqësore për pronësinë e zonës, ku qe ngritur manastiri-shpellë. Rihapja e vendit të devocionit po jetohet tani nga shumë të krishterë me mirënjohje të thellë ndaj Zotit, që ua dhuroi rishtas këtë kënd të heshtur devocioni e meditimi.

Një meshë në ditë

“Ia dolëm mbanë ta rilindim këtë kuvend, pas mashtrimeve të viteve ’30 të shekullit të kaluar, lidhur me trojet ku lindi - kujtoi ipeshkvi Hanna gjatë homelisë - e tani duam ta gëzojmë së bashku, si vend shenjt, me vëllezërit tanë të krishterë e myslimanë. Ka shumë mundësi që patriarku i parë maronit të jetë zgjedhur këtu. E kushdo vjen në këtë vend, e ndjen menjëherë praninë e vetë Zotit. Ipeshkvi i Baalbek - kujton agjencia Fides - njoftoi se së shpejti në manastirin shkëmbor, do të kremtohet të pakën një meshë në ditë.

02 gusht 2018, 13:44