Kërko

 Problemi i ndotjes së ujit në botë Problemi i ndotjes së ujit në botë 

U mbajt në Suedi Takimi “Water and Faith”

U mbajt, në Suedi “Water and Faith”, takim i hapur për publikun, organizuar nga Këshilli Botëror i Kishave për të studiuar dhe për të propozuar rrugëzgjidhje lidhur me problemin global të mungesës e të shpërdorimit të ujit.

R. SH. - Vatikan

“Uji e Feja” u quajt dita e organizuar nga WCC - Këshilli Botëror i Kishave – për të studiuar e për të kuptuar sesi mund të veprojnë grupet, institucionet dhe organizatat fetare, në bashkëpunim me sektorin publik e privat, për  t’i siguruar “drejtësinë hidrike” mbarë njerëzimit. Ishte Dita e parë e  javës 26-31 gusht,  gjatë së cilës u diskutua rreth temës “Uji, ekosistemet dhe zhvillimi njerëzor”.

Aspekti ekumenik

Në seminarin, që përfundon nesër, folën ipeshkvi Arnold Temple, kryetar i rrjetit ekumenik të ujit në WCC dhe kryetar i Konferencës së Kishave të gjithë Afrikës, myftiu i Amman-it në Jordani, Muhammad Zoubi  dhe përfaqësues  të Vatikanit e të Kombeve të Bashkuara, që merren me ujin. Të pranishëm, më se 3.000 pjesëmarrës, ardhur nga 135 vende.

Temat e trajtuara

Ipeshkvi Temple, në fjalimin e mbajtur me këtë rast, kujtoi sesi në vitin 2016, WCC u bë “Bashkësi Blu”, për angazhimin e saj në mbrojtje të “arit blu”, parë si pasuri publike, që duhet mbrojtur edhe përmes zëvendësimit me ujin e rubinetit,  duke pakësuar, kështu, përdorimin e shisheve prej plastike, me pasoja tejet të rrezikshme ndotjeje. U diskutua edhe për kontributin që mund të japin organizatat fetare për realizimin e Objektivit 6 të Kombeve të Bashkuara për Zhvillimin e Qëndrueshëm lidhur me sigurimin e përdorimit të ujit në strukturat higjieno -sanitare për të gjithë.

“Feja dhe Uji”, edicioni i tretë

Kujtojmë se është e treta herë që organziohet dita e hapur për pubklikun e urohet që bashkësitë fetare dhe organizmat e Kombeve të Bashkuara të bëjnë hapa domethënëse përpara, për ta përballuar së bashku “Objektivin 6”.

Po, si mund të bëhesh “Bashkësi Blu”? Misioni i “Bashkësive Blu” bazohet mbi tri detyra, që duhen respektuar: kush dëshiron të bëjë pjesë, duhet të respektojë të drejtën e njeriut për ujin,  e drejtë e njohur nga OKB-ja në vitin 2010. Së dyti,  të nxisë kontrollin publik mbi shërbimet hidrike, gjë që do të thotë  se uji nuk duhet privatizuar. Së treti, të mos i përdorë shishet, atje ku uji është i pijshëm, ndërsa, ku nuk është i sigurt, duhen gjetur sisteme të tjera më ekologjike e të qëndrueshme. Industritë e shisheve të ujit prodhojnë rreth një milion shishe plastike në minut, e brenda vitit 2050,  në oqeanet do të kemi më shumë shishe, sesa peshk. Prandaj WCC vendosi të bëjë pjesë në “Blue Community”.

Papa Françesku dhe takimi i Gjenevës

Duke kujtuar takimin Ekumenik të Papës Françesku me WCC, më 21 qershorin e kaluar, në Gjenevë, u fol edhe për dhuratat, që u shkëmbyen me atë rast: “Një nga dhuratat zyrtare, që iu bë Papës, ishte një shishe uji e thjeshtë prej qelqi, që përdoret në zyrat e WCC e gjatë konferencave. Ishte një shishe-mesazh. Ftesë për të kujtuar se edhe Vatikani duhet të bëhet anëtar i “Bashkësisë Blu”, edhe pse Papa Françesku, në Enciklikën “Lëvduar qofsh”, flet shpesh për ujin, si e drejtë njerëzore, me porosinë për ta  mbrojtur në mbarë Planetin.

30 gusht 2018, 13:09