Kërko

Toka Shenjte: ndërmjet viseve shenjte e ndihmës së njerëzve, që vuajnë

Një shtegtim, për të zbuluar jo vetëm vendet e Tokës Shenjte, por edhe realitetet asistenciale e shoqërore, që i ndihmojnë nevojtarët në këto vise.

R. SH. - Vatikan

Nazareth, Betlehem, Jeruzalem… Janë këto, viset e vizituara nga shtegtarët që shkojnë në Tokën Shenjte, vende ku Maria i dha gjegjen e madhe, me një “po” të vetme, Engjëllit Gabriel, e Jezusi  predikoi e jetoi, derisa e mbërthyen në kryq.  Në Tokën Shenjte mund të rijetohen ngjarjet e Biblës e të Ungjillit. Prej këndej, u vizitua që në lashtësi nga miliona shtegtarë, që përballuan udhë shumë të rrezikshme, prej të cilave shpesh nuk u kthyen kurrë më ku ishin nisur. Edhe sot, pas mijëra vjetësh, të prek në zemër kjo tokë, që ruhet nga fretërit e vegjël, që prej 800 vjetësh.

Shtegtim, që jetohet me shpirt

“Kush vjen t’i vizitojë këto vise - shpjegon Fra Mate Brena - komisar i Rojtarisë së Tokës Shenjte për Toskanën - i ndjen fizikisht mjediset, që përshkruhen në Shkrimet Shenjte. Mund të prekë ujërat e lumit Jordan, të ecë gjatë brigjeve të liqenit Tiberiade, të përshkojë udhët e Jeruzalemit, duke u zhytur në kaosin e tyre, mund të shkelë mbi gjurmët e Jezusit, aty ku bëri mrekulli. Mendoj se është përvojë, nga e cila kthehesh me sy të rinj. E me këta sy nis e rilexon Ungjillin, duke i rijetuar ngjarjet, nga Betlehemi – në Kalvar.

Ndihma grave të motuara e të vetmuara të Betlehemit

Ta  zbulosh Tokën Shenjte nuk është njëlloj si ta vizitosh kalimthi. Do të thotë edhe ta kuptosh realitetin e ndërlikuar të atij, që jeton këtu ditë për ditë. Tensionet ndërmjet Izraelit e Palestinës ua bëjnë jetën të vështirë atyre, që u peshojnë rëndë mbi kurriz kufizimet e ndalimet. Muri ndarës i dy shteteve,  gjithnjë më i gjerë e më i gjatë, që me grafitet e tij të panumërta flet për vuajtjet e këtyre njerëzve, është gjëja e parë që i bie në sy vizitorit,  sapo hyn në Betlehem. “Të jetosh këtu nuk është aspak e lehtë - tregon Vincenzo Bellomi, drejtor i projekteve shoqërore  të Shoqatës “pro Terra Sancta a Betlemme” – çka ndjehet më shumë është mungesa  e shpresës, posaçërisht në brezat e rinj që, duke mos parë asnjë perspektivë për të ardhmen, largohen nga vendi dhe emigrojnë në vende të tjera.  Ndjehet nevoja e një procesi urgjent për paqen ndërmjet këtyre dy popujve, “sepse vetëm kështu mund të shikohet me shpresë e nesërmja”. E Vinçenci, së bashku me motrat  e Shoqërisë Antoniane drejton qendrën e të moshuarve, ku strehohen gra të vetmuara, me aftësi të kufizuara.  Për ta kujdesen me dashuri motrat e edhe vullnetarët, që arrijnë edhe nga vende të tjera. Shteti palestinez - vijon Bellomo - nuk ka Welfare. Kjo do të thotë se të gjithë këto persona, po të mos ishin këto ndihma, do të mbeteshin në mëshirën e fatit. Ne u sigurojmë jo vetëm kujdesin mjekësor dhe gjellën e ngrohtë, por mundohemi sidomos t’i duam e t’i përkujdesim, që të mos ndjehen kurrë vetëm.

24 gusht 2018, 11:12