Kërko

Kundër dënimit me vdekje Kundër dënimit me vdekje 

Teologu Coda mbi Reskriptin e Papës për dënimin me vdekje

Pas Reskriptit të Papës Françesku, që ndryshon Katekizmin e Kishës Katolike, në paragrafin që ka të bëjë me dënimin me vdekje, në Vatican News, opinioni i teologut, imzot Piero Coda.

R.SH. - Vatikan

“Papa Françesku bëri një hap përpara, duke vijuar magjisterin e papëve të mëparshëm”. Kështu e komenton teologu dhe drejtori i Institutit universitar Sofia, në Lopiano të Italisë, imzot Piero Coda, ndryshimin e n. 2267 të Katekizmit të Kishës Katolike, që ka të bëjë me dënimin me vdekje. Papa Françesku, me Reskriptin e së enjtes, e hoqi dënimin me vdekje, që në raste tepër të veçanta, konsiderohej edhe nga Kisha si udhë e mundshme për të mos e lënë personin e dënuar t’i bëjë dëm shoqërisë.

Shembull i vazhdimësisë në risi

         “Hap përpara në vazhdimësi të plotë me udhën, që është pjesë e këndvështrimit antropologjik të Koncilit II të Vatikanit” – nënvizon më tej imzot Coda. Teologu përmend Letrën shoqëruese për Reskriptin, shkruar nga prefekti i Kongregatës për Doktrinën e Fesë, kardinali Ladaria, i cili i referohet enciklikës “Evangelium Vitae” të Papës shenjt Gjon Pali II, por edhe deklaratave të Benediktit XVI mbi dënimin me vdekje. “Ҫështja kryesore – vëren imzot Coda – është se dinjiteti i njeriut, sot, mund të garantohet në forma të tjera. Ajo që ndodhi është shembull i mrekullueshëm, që tregon ç’do të thotë traditë në Kishë. Është vazhdimësi në përtëritjen e përhershme, garanci për çfarë nuk mund të ndryshohet, por edhe zhvillim sipas vetëdijes, që maturohet me kohën”.

Doktrina, e pazgjidhshme nga Ungjilli

         “Papa Françesku – vë në dukje imzot Coda – sanksionoi vetëdijen aktuale të natyrshme të Popullit të Zotit, por sipas fesë. Vërtet, bërthama themelore e doktrinës nuk mund të ndryshohet, por është detyrë, hir dhe karizëm i magjisterit të Papës ta interpretojë si duhet atë”. “Koncili II i Vatikanit, në kushtetutën ‘Gaudium et Spes’, pati folur mbi dikimin e Shpirtit Shenjt në Kishë. Ajo fiton elemente – përfundon teologu – të cilat na bëjnë t’i kuptojmë më mirë e më thellë të vërtetat e Ungjillit, Fjalës së gjallë, falë vetëdijes, që maturohet në ndërgjegjen njerëzore”.

05 gusht 2018, 09:40