Versioni Beta

Cerca

Vatican News
15 agosto assunzione Maria al cielo, Madonna Assunta 15 agosto assunzione Maria al cielo, Madonna Assunta  

Të Ngjiturit të Zojës në qiell. Domethënia e solemnitetit

Kremtojmë të ngjiturit e Zojës në Qiell, por edhe kulmin e gushtit. Është një britmë që dëgjohet nga Qielli, që na kujton se, në sa jemi ende në tokë, nuk duhet ta harrojmë cakun, sepse kur shtegtari harron për ku është nisur, humbet rrugën. Ndërsa kur kujton cakun, shtegton me gëzim, sepse e di mirë që në fund të udhës është një shtëpi, që e pret.

R.SH. - Vatikan

Solemniteti i 'Të Ngjiturit të Zojës në Qiell' është një nga festat më të dashura për devocionin popullor. Ndalemi te kjo festë e të Ngjiturit të Virgjërës Mari në Qiell me shpirt e korp, ashtu siç ka besuar gjithnjë Kisha, që nga zanafilla e saj e ashtu si, më pas, Papa Piu XII e shpalli solemnisht më 1 nëntor 1950. Mbi domethënien dhe historinë e kësaj së vërtete të fesë flet, kardinali Angelo Comastri, vikar i papës për Shtetin e Qytetin e Vatikanit

Hirësi, është domethënia dhe historia e kësaj të vërtete të fesë?

Po nënvizoj së pari, domethënien e kësaj feste, e pastaj historinë e saj. Sharl Pegyi, në fillim të shekullit XX, arriti të kuptonte sëmundjen tipike të njeriut bashkëkohor dhe e shprehu kështu: “Njeriu modern vuan nga harresa e amshimit. Ka harruar se ka përjetësi, ka harruar se ka një jetë tjetër, të pasosur e se pikërisht ajo është jeta e vërtetë.”. E kjo është më se e saktë. Sot në pyllin e zhurmave e të klithmave të konsumizmit, njeriu rrezikohet të shkojë krua më krua pa mundur ta shuajë etjen, pa shpresën që ndriçon jetën. Festa e sotme është ftesë për t’i lartuar sytë drejt amshimit, për të shikuar lart e për të kujtuar se jeta e njeriut nuk mbaron këtu poshtë; jeta nuk përfundon në të sotmen; jeta tokësore shkon drejt jetës së pasosur, që përplotëson gjithçka e përmban kuptimin e gjithçkaje. Jeta është shtegtim. Eshtë e pasosur. Në kraharuar kemi një orë, zemrën, që mat të gjithë sekondat e që na kujton: “Je në shtegtim! Po ecën! Mos u ndalo! Shiko larg: kush shtegton duhet të mendojë gjithnjë për cakun! Festa e sotme tingëllon si një thirrje. Është thirrje për t’i kujtuar njeriut që shtegton: “Kujdes, kij mendjen, mos e lërë veten të gënjehesh nga joshjet që të presin rrugës: më e bukura vjen pas. Bukuria shfaqet në fund. E vetëm në perspektivën e kësaj ardhmërie ndriçohet e sotmja e fitojnë kuptim të gjitha provat e jetës.

Si ka evoluar kjo e vërtetë feje në rrjedhë shekujsh? 

E vërteta e të ngjiturit të Virgjërës Mari në Qiell me shpirt e korp është ruajtur gjithnjë në kujtesën e Kishës. Si në Kishën lindore, ashtu edhe në atë perëndimore. Kisha lindore ka pasur gjithnjë devocion të madh për fjetjen e Marisë e, po në lindje, kemi një ikonografi tepër interesante, e cila e paraqet Marinë që jep shpirt e rrethuar nga Apostujt, së në ditën e Rrëshajëve, ndërsa Jezusi pret shpirtin e Nënës, siç pritet një vajzë e vogël, për ta paraqitur para Zotit. E kjo vajzë që Jezusi e merr ndër krahë, nuk është tjetër, veçse Maria që hyn në mbretërinë qiellore si fryt i parë i të shpërblyerve nga gjaku i Krishtit. Në traditën e përendimit festa e të ngjiturit të Marisë në Qiell mund të thuhet se ka rrënjë që s’mbahen mend e, në vitin 1950 Ati i Shenjtë, Piu XII, si interpretues me autoritet i traditës së fesë, me të drejtë tha: “E gjithë kjo vjen në ditët tona që nga koha e Apostujve”; e vjen nga koha e Apostujve, sepse vjen nga një fakt që ka ndodhur me të vërtetë: domethënë se Maria është ngjitur vërtetë në Qiell me shpirt e korp. 

Gjithsesi, në përkufizimin e tij dogmatik, Piu XII nuk thotë se Maria vdiq me të vërtetë. Përkufizimi tingëllon kështu: “Në mbarim të jetës së saj tokësore, Zoja e Bekuar u ngjit me shpirt e korp në Qiell”. Opinionet në këtë drejtim janë të ndryshme. Ju si mendoni?

Ati i Shenjtë  Piu XII nuk deshi të hynte në këtë problem; ia la teologëve që ta thellonin. Por unë besoj se ashtu si vdiq Jezusi, vdiq edhe Nëna e Tij. Besoj pra se edhe ajo e provoi vdekjen. Por Maria nuk provoi kalbjen, që vjen pas vdekjes: trupi i saj u shndërrua dhe hyri në plotninë e ringjalljes, në plotninë e jetës së re që Krishti e fitoi për të gjithë neve, si fryt i parë, për të na kujtuar fatin tonë, të ardhmen tonë. E më duket gjë e bukur ta thelloj këtë teologjikisht, duke pyetur: “Pse Jezusi deshi që Maria të ishte e para për të marrë pjesë në lumninë e ardhshme që i pret të gjithë të shëlbuarit?”. Unë besoj se arsyeja duhet të jetë krejt e thjeshtë: Maria është tepër e afërt me Jezusin, është ajo që i dha Krishtit gjak e korp për të na shpërblyer. Jeta e Marisë është e tëra bashkim me birin. Nuk mund të mendohet lumnia e Birit, pa pjesëmarrjen e Nënës. E ne mund të themi se të ngjiturit e Marisë në Qiell me shpirt e korp nuk është tjetër, veçse hiri që Biri i jep Nënës, sepse i dha korpin që e bëri shëlbues. Prandaj e bëri pjesëmarrëse në historinë tonë për të na shpëtuar përmes dashurisë së Jezusit, duke bërë që në historinë njerëzore të hynte dashuria që shëlbon.

Mesazhi i festës për dëgjuesit tanë…? 

Dëshiroj t’u kujtoj të gjithëve se, për fat të keq, sot çdo solemnitet i krishterë, shoqërohet me një solemnitet pagan. Kremtojmë të ngjiturit e Zojës në Qiell, por edhe kulmin e gushtit; ashtu si Krishtlindjen e krishterë e atë pagane. E njëjta gjë edhe për Pashkët. Ne duhet të kemi guximin t’i dallojmë mirë këto festa. Për ne 15 gushti nuk është kulmi i gushtit, nuk është zemra e pushimeve; s’është deti as mali. Është një britmë që dëgjohet nga Qielli, që na kujton se, në sa jemi ende në tokë, nuk duhet ta harrojmë cakun, sepse kur shtegtari harron për ku është nisur, humbet rrugën. Ndërsa kur kujton cakun, shtegton me gëzim, edhe kur i duhet të kalojë prova, sepse e di mirë që në fund të udhës është një shtëpi, që e pret.

13 gusht 2018, 14:10