Të Ngjiturit e Zojës në Qiell: sonte mbrëmësorja e lashtë në Bazilikën e Shën Marisë së Madhe
R. SH. - Vatikan
Bukuria e mbrëmësores së lashtë, tradicionale të “Të Ngjiturit të Zojës në Qiell”, nuk ka humbur, nuk është harruar, as nuk është konsumuar nga moderniteti i kohëve, siç mund të mendojë ndokush. Rigjindet, e pacënuar fare, më 14 gusht të çdo viti, duke nisur nga ora 20.00, në Bazilikën e Shën Marisë së Madhe. Në vendin e dashur për romakët e për Papën Françesku, sepse këtu është e pranishme figurja e shenjtë “Salus Popoli Romani”, edhe sonte përsëritet devocioni më i ëmbël e i këndshëm kushtuar Marisë: qiriu i ndjekur nga procesioni, kënga e ngadhënjimit të Marisë së ngjitur në qiell, leximet e thella dhe prekëse latine, shoqëruar me lutje në gjuhën ruse, akti i nderimit marian, pas kremtimit të Meshës Shenjte… Ceremoni madhështore, e gjitha e kryesuar nga kardinali Stanislaw Rylko, kryeprift i Bazilikës.
Përfundon, kështu, Pesëmbëdhjetë ditëshi i Zojës së Ngjitur në Qiell, kremtim i Marisë në Lindje e në Perëndim.
Kremtimi lindor, përshtatur në traditën latine
Që prej dyzet vitesh ky kremtim i posaçëm lindor iu përshtat traditës latine nga atë Ermanno Toniolo, kryetar i Qendrës së Kulturës Mariane dhe profesor nderi i Universitetit Papnor Teologjik Marianum. “Kisha bizantine - shpjegon në Radio Vaticana Italia, duke hyrë në hollësira - e konsideron solemnitetin e Të Ngjiturit të Zojës në Qiell, të cilin ata e quajnë “Fjetja e Hyjlindëses", si festë e festave. Madje e quajnë Pashkët e Marisë, e prandaj agjërojnë 40 ditë para festës, në përkim me Kreshmët e Zotit. Ngjitja e Marisë në qiell është lumnimi i saj, domethënë, Pashkët e lavdisë së saj.
Këngët, si të Shtunën e Madhe të Pashkëve
Në dritën e këtyre të dhënave, nuk është e vështirë të kuptosh pse riti bizantin, ashtu si ai katolik e ortodoks, pati vendosur ta kremtojë mbrëmësoren e kësaj nate, në përkim të plotë me atë të së Shtunës së Madhe të Pashkëve. Rrëfen atë Toniolo: “Si pasojë e këtyre paralelizmave, besimtarët rrinë zgjuar gjithë natën pranë një altari të vogël, që përfaqëson varrin e Marisë, mbi të cilin vendoset një figure e Fjetjes. E gjithë natën këndojnë himne, alternuar me Psalmin 118, Psalm i bindjes, pikërisht si në të Shtunën e Madhe të Pashkëve.