Kërko

Patriku i Moskës dhe i Gjithë Rusive, Kirill dhe Patriku Ekumenik i Kostandinopojës, Bartolomeu I Patriku i Moskës dhe i Gjithë Rusive, Kirill dhe Patriku Ekumenik i Kostandinopojës, Bartolomeu I 

Takimi i Patrikëve ortodoksë. Imzot Coda: katolikët, në lutje

Etapë e rëndësishme, e sotmja, në Fanar të Stambollit, ku Patriku Kirill i Moskës e i gjithë Rusive u takua me Patrikun Ekumenik të Kostandinopojës, Bartolomeu I. Në mikrofonin tonë, imzot Piero Coda, i Komisionit të përbashkët ndërkombëtar për dialogun.

R.SH. - Vatikan

Me vëmendje, me shpresë, respekt e lutje: kështu e ndoqi Kisha Katolike takimin e sotëm të Patrikëve të Kostandinopojës e të Moskës, në Fanar të Stambollit. Flet për Vatican Neës, drejtori i Institutit universitar “Sofia”, imzot Piero Coda, anëtar i Komisionit të përbashkët ndërkombëtar për dialogun teologjik të Kishës Katolike me Kishat ortodokse.

Ҫështja ukrainase

         Arsyeja, që e theksoi nevojën e këtij takimi, ishte pa dyshim, gjendja e vështirë, që u krijua në Ukrainë, shpjegon imzot Coda. Patrikët duhej të vendosnin për një autoqefali të mundshme të Kishës Ortodokse në vend. Imzot Coda e vlerëson shumë faktin se vendimi për t’u takuar në Fanar, në një atmosferë dialogu, e pati zanafillën në Patrikanën e Moskës, gjë që bën të shpresohet për kapërcimin e vështirësive dhe të tensionit të krijuar kohë më parë. Imzot Coda kujton mungesën e papritur të Patrikut Kirill në Sinodin e parë panortodoks, mbajtur në Kretë të Greqisë, në vitin 2016.

Rëndësia gjeopolitike

         Në fjalët e imzot Coda-s, edhe rëndësia gjeopolitike, që mund të ketë rezultati i dialogut të sotëm për gjithë rajonin e Evropës Lindore, si edhe roli i madh, që ka udha e përbashkët e këtyre Kishave, në qëndrueshmërinë shoqërore të këtyre vendeve. “Në atë lloj Lufte III Botërore pjesë-pjesë, për të cilën flet Papa Françesku – nënvizon imzot Coda – të krishterët janë të thirrur për një hov të ri besimi në Krishtin, protagonisti i paqes dhe i hapave të bashkimit drejt unitetit të plotë”.

Fara vëllazërie ndër të krishterët

         Përsa i përket mënyrës me të cilën Kisha Katolike e sheh këtë ngjarje, imzot Coda flet për “vëmendje”, “shpresë”, “respekt” dhe “vullnet për të mbjellë gjithnjë fara vëllazërie”. Nënvizon më pas, domethënien e veçantë të “sinodalitetit”, karakteristik për ortodoksët, por edhe “udhë plot durim për t’u bërë së bashku” me katolikët, siç del në pah shpesh nga magjisteri i Papës Françesku. Jemi “të ndryshëm – përfundon imzot Coda – por të bashkuar në një Pagëzim të vetëm, në të njëjtën fe në Krishtin, për të kuptuar kështu, ç’na kërkon Shpirti Shenjt në shërbimin e paqes e të drejtësisë”.

31 gusht 2018, 13:10