Shqetësimet e Shën Agostinit, në zemrën e çdo njeriu

Ndonëse jetoi në shekullin IV, Shën Agostini vijon t’i flasë njeriut të sotëm. Tatëpjetat e përpjetat e jetës së tij të mrekullojnë. E në to shihet qartë dora e Zotit!

R. SH. - Vatikan

“Nëse Zoti të dha pasuri, ta dha për të bërë, në emër të Tij, vepra të mira për të tjerët” – kështu twiton sot Papa Françesku, duke përkujtuar Shën Agostinin,  i cili dha një kontribut të jashtëzakonshëm për mendimin e krishterë. Njeri i ditur, mendimtar i vëmendshëm, i aftë për të nxitur diskutimin, Agostini shkroi faqe të papërsëritshme - posaçërisht në veprën “Trinia” dhe “Qyteti i Zotit” – e shërbesa e tij  ipeshkvnore qe nga më shembulloret.  

I shtyrë nga zëri i zemrës dhe i dashurisë, Shën Agostini, kërkimtar i shqetë i së Vërtetës, vijon të jetë aktual. Aktuale, vepra e tij.  Sidomos “Rrëfimet”. Kush i shfleton, gjen në to stuhitë e zemrës së të tij, shqetësimet e shpirtit përballë ngjarjeve të jetës, ndeshjen ndërmjet fesë e arsyes. Gjen pyetjet, të cilat shpesh mbesin pa përgjigje. Por edhe përgjigjen e tyre! Ai që lexon “Rrëfimet” vëren se Agostini ia huan fjalët - shpjegon atë Gabriele Ferlisi, agostinian i zbathur - e, fare pa dashur, nis e mendon: “Po pikërisht këtë ndjej edhe unë”. Mendon kështu, sepse Agostini vijon t’i flasë zemrës me zemër.

Shën Agostini të rinjve të sotëm

Duke pasë jetuar dramën e kërkimit të së Vërtertës, Shën Agostini  është shumë pranë të rinjve të sotëm. I inkurajon të jenë gjithnjë në kërkim - pohon atë Gabrieli - i fton të mos kënaqen kurrë me arritjet e tyre, të jenë të ndershëm përballë së Vërtetës e, si ta kenë njohur, ta pranojnë”. Të kërkojnë, me dëshirën për të gjetur e të  gjejnë, me dëshirën për të kërkuar (De Trinitate 9,1,1) është një nga maksimat më të njohura të Shën Agostinit, që edhe sot e kësaj dite e nxit njeriun të mos heqë kurrë dorë nga kërkimi i Zotit.

Synim drejt lartësisë, me guxim

“Duhet synuar gjithnjë lart, pa u çkurajuar kurrë”: kjo, këshilla e Agostinit - nënvizon atë Gabrieli. - Motoja e tij “Këndo e ec” të mëson ç’duhet të bësh në jetë. Mos u mbyll kurrë në vetvete, sulmo gjithnjë drejt lartësive, hapja zemrën zemrës së Zotit”- vijon të na kujtojë Shenjti i madh që kremtohet sot. Po, si arriti Agostini, kërkimtar i shqetë udhëve të botës, të zbulojë rrugën e vërtetë: atë të Zotit? Përfundon Atë Gabriel Ferlisi: “Ideali i madh, që ia preku zemrën Agostinit, është po ai, që Agostini ua propozon të tjerëve: “Takimi me Krishtin, me Atë, që t’i plotëson  të gjitha dëshirat”.

28 gusht 2018, 13:04