Versioni Beta

Cerca

Vatican News
 Papa mes të varfërve Papa mes të varfërve  (@L'Osservatore Romano)

Shkandulli i zhvillimit të doktrinës

Në 2000 vjet histori Kisha e ka zhvilluar doktrinën, që i ka bazat në Shkrimin Shenjt, në Traditë dhe në shërbesën papnore, duke e bërë fenë gjithnjë më të kuptueshme për të gjithë.

R. SH. - Vatikan

Njoftimi për modifikimin e Katekizmit të Kishës Katolike lidhur me temën e dënimit me vdekje, ngjalli diskutime në mbarë botën. Çdo zhvillim i doktrinës në historinë e Kishës, është pritur gjithnjë me miratime ose kritika konstruktive, por edhe me rezistencë e refuzime. Sot mund të bëjë zhurmë një notë e Amoris laetitia ose një mësim i ri mbi dënimin kapital, por, po të kthehemi mbrapa në kohë e t’i përshkojmë shpejt e shpejt 2000 vjetët e krishterimit, do të vërejmë se një mori gjërash kanë ndryshuar e tashmë i shikojmë si punë të kryera. Gjithsesi, mbetet fakti se çdo ndryshim mund të krijojë shkandull, pakënaqësi, çatrafilim.

Dënimi me vdekje në Bibël

Mjafton të lexojmë Biblën, për të kuptuar sa rrugë është bërë. Sot lebetitesh  përballë disa urdhërave, që i jep Zoti Moisiut, siç i lexojmë në Shkrimin Shenjt. Në Librin e Levitikut (Kapitulli XX) Zoti e urdhëron të vriten idhujtarët, shkelësit e kurorës, sodomitët, inçestuozët e edhe kush keqtrajton babën a nënën. Natyrisht duhet kujtuar se Moisiu jetoi më se 3000 vjet më parë. E se këto urdhëra  i përkasin Besëlidhjes së Vjetër, por ama duhet kujtuar edhe se në fund të leximit themi gjithnjë “Fjala e Zotit”.

Progresi doktrinor në bashkësinë e parë të krishterë

Të mendojmë për tronditjen, që duhet të kenë pësuar të krishterët e parë të kthyer nga hebraizmi: sa guxim iu desh për t’i braktisur ligjet themelore të popullit të tyre, si bie fjala, rrethprerjen. Sa shumë iu desh ta hapnin mendje e zemër për t’i pranuar në Kishë paganët, gjë që asokohe shikohej si diçka fare e palejueshme. Pjetri - tregohet në Veprat e Apostujve - e kishte marrë Shpirtin Shenjt, por megjithatë akoma nuk kuptonte. Vetëm përballë çenturionit romak, Kornelit dhe familjes së tij, ndriçohet e thotë. “Tani me të vërtetë po e marr vesh se Hyji nuk i mban kujt krah, përkundrazi ‑ në çdo kombësi i pëlqen ai që e ka frikën e Tij dhe që e zbaton drejtësinë. Ai u dërgoi Fjalën e vet izraelitëve dhe ua shpalli Ungjillin e paqes përmes Jezu Krishtit që është Zotëria i të gjithëve”. Në këtë frazë “po e marr vesh”, është gjithë përparimi i njohjes të së vërtetës së Zotit nga ana jonë. Udhë që vijon, derisa të vijojë vetë historia. Kështu thellohet gjithnjë më shumë kuptimi i fesë.

Koncilet e para ekumenike

Mendojmë për udhën e Kishës ndër Koncilet e para ekumenike, në përpjekjen për të përcaktuar themelet e të vërtetave të krishtera, duke nisur nga Trinia e nga dogmat kryesore kristologjike. Të shumta qenë luftërat kundër herezive në këtë periudhë, nën shenjën e motos: “Extra ecclesiam nulla salus”(jashtë Kishës nuk ka shëlbim). Nuk ka parajsë, prandaj, për të papagëzuarit. E pra, dalëngadalë ky koncept nisi të kuptohej më thellësisht, siç e lexojmë në Deklaratën “Dominus Iesus”, nënshkruar nga kardinali Ratzinger: “Përsa i përket mënyrës me të cilën hiri shëlbues i Hyut, që na dhurohet gjithnjë përmes Jezu Krishtit në Shpirtin Shenjt dhe ka lidhje misterioze me Kishën, arrin tek jo të krishterët e veçantë, Koncili II i Vatikanit u kufizua të pohojë se Zoti e dhuron “përmes udhëve, që i di veç Ai”. Kështu e kuptojmë gjithnjë më mirë se Zoti dëshiron t’i shpëtojë të gjithë.

Herezitë e dhuna

 Lufta kundër heretikëve, kundër atyre, që mendojnë ndryshe, dihet, pati gjithnjë pasoja ogurzeza në rrjedhë historie: luftëra fetare, njerëz që digjen mbi turrat e druve, gjyqe inkuizicioni…Ndonëse shumë nga legjendat e krijuara nga propaganda antikatolike tashmë janë hedhur poshtë nga historianët, ne nuk mund të fshihemi pas hijes sonë: duhet të pranojmë se Kisha, bijë e kohës, shpesh ka pasur edhe mendësinë e saj. Sot tmerrohemi kur lexojmë Bulën papnore “Ad Extirpanda”, shpallur më 1252 nga Papa Inoçenci IV, konfirmuar nga Papa Aleksandri IV në vitin 1259 e nga Papa Klementi IV, më 1265: dokumenti miratonte torturimin e njerëzve, që dyshoheshin si heretikë, ndonëse duke e zbutur, në krahasim me atë, që bëhej nga bashkëkohasit; domethënë, tortura nuk duhej të shkaktonte gjymtime, gjakderdhje as vdekjen e të torturuarit. E gjithë kjo, me bindjen se shpëtimi i shpirtit vlen mbi gjithçka.

Kuptimi i shkallëzuar i lirisë së ndërgjegjes

Tejet e gjatë, rruga që u bë, në krahasim me doktrinën e Enciklikës “Mirari vos” të Papës Gregori XVI, në vitin 1832. Është e natyrshme. Jemi në rrethana historike tejet të vështira për papatin. Ndonëse kanë kaluar 200 vjet, disa fraza na bëjnë t’i kuptojmë më mirë arsyet e progresit doktrinor. Gregori XVI e quan lirinë e ndërgjegjes pëçartje, kllapi, “gabim helmatisës”, që i hap rrugën  lirisë së plotë e të tepruar të opinionit, i cili shkon gjithnjë duke u thelluar, në dëm të Kishës e të Shtetit”, gjë që i shtohet asaj më së keqes,  së nëmurës e së neveritshmes “liri e shtypit”, e cila përhap shkrime të të gjitha natyrave. Kisha, me kalimin e kohës, nisi  të kuptojë më mirë ç’është liria, edhe nga ata, që nuk janë në Kishë.

Të shkandulluar nga një doktrinë, që zhvillohet

Shkandulli i zhvillimit të doktrinës fsheh një problem qendror të fesë: një ligj, që nuk ndryshon, i jep siguri e pushtet njeriut, i cili në këtë mënyrë ia del t’i kontrollojë sjelljet e veta fetare e edhe t’i manipulojë kërkesat e normave hyjnore. Ndërsa ligji që ndryshon, e heq këtë pushtet dhe e lë në dorë të një Tjetri. Kjo ishte edhe ndeshja vigane e Jezusit me farizenjtë. Jezusi  u  paraqit si ligj i gjallë, ndërsa farizenjtë kërkonin një Ligj të shkruar e të heshtur, që të mund ta përdornin si të donin. Por nëse ligji është i gjallë, nuk pushon duke folur e duke thënë gjëra të reja e sidomos, duke na shtyrë të ndryshojmë. Kjo nuk na pëlqen, sepse brenda nesh është një farize, që riduket me arsyet e veta të pandryshueshme e të palëvizshme. Po ligji i dashurisë na bën të lëvizim, na shtyn në dalje të vazhdueshme nga unë - tek ti. Është përparim i vazhdueshëm i njohjes të së vërtetës absolute, domethënë, Zotit. E Zoti është dashuri. E dashuria na shtyn të ndryshojmë për tjetrin. E bukura është se edhe Zoti – që është gjithnjë i njëjtë dje, sot e përgjithmonë e jetës - ndryshoi nga dashuria për ne: e u bë njeri!

T’i përkasim së vërtetës

Të kthehemi tek Pjetri që, përballë paganëve, e kupton se nuk ishte ai zotëria i së vërtetës, por se i përkiste së Vërtetës. Ndërsa Pjetri po fliste, Shpirti Shenjt zbriti mbi të gjithë ata që po dëgjonin predikimin.  Besimtarët e rrethprerë, që kishin ardhur me Pjetrin, u çuditën kur panë se edhe mbi paganët u dikua dhurata e Shpirtit Shenjt. Sepse i dëgjuan duke folur gjuhë të ndryshme e duke madhëruar Hyjin. Atëherë Pjetri tha: “Vallë a mund ta ndalojë kush ujin të mos pagëzohen këta që e morën Shpirtin Shenjt sikurse edhe ne?” Dhe urdhëroi të pagëzohen në emër të Jezu Krishtit. Kështu Zoti na bën ta kuptojmë gjithnjë më mirë Vetjen e tij. Na bën të kuptojmë se thelbi i krishterimit është dashuria.

Asnjë Pjetër nuk do të jetë kundër Kishës

Në fund, për ata që i kundërvihen Benediktit XVI dhe Gjon Palit II, apo Françeskut, mund të kujtojmë fjalët ngushëlluese, shqiptuar nga Papa Ratzinger, më 27 maj 2006, në Krakov, përballë një milion të rinjsh. Djemve e vajzave, të rritur në fe nga Papa Wojtyla, Benedikti XVI u bëri  me forcë thirrjen: “Mos kini frikë ta ndërtoni jetën tuaj në Kishë e me Kishën! Të jeni krenarë për dashurinë ndaj Pjetrit e Kishës, që iu besua. Mos lejoni t’ju gënjejnë ata, që duan t’ia kundërvënë Krishtin Kishës! (…). Ju, të rinj, e keni njohur mirë Pjetrin e kohëve tona. Prandaj mos harroni se as Pjetri, që po e sodit takimin tonë nga dritarja e Hyjit Atë e as ky, që keni para jush e asnjë Pjetër pasardhës, nuk do të jetë kurrë kundër jush, as kundër ndërtimit të një shtëpie të pashkatërrueshme, të ndërtuar mbi shkëmb. Përkundrazi, do ta angazhojë zemrën dhe të dyja duart për t’ju ndihmuar ta ndërtoni jetën mbi Krishtin e me Krishtin”.

04 gusht 2018, 15:46