Shndërrimi i Zotit Shndërrimi i Zotit 

Shenjtorët e javës 5-12 gusht 2018

Festa liturgjike e Shndërrimit të Zotit, shën Tereza Benedikta e Kryqit, shën Kjara e Asizit, ndër përkujtimet kishtare të javës së ardhshme.

R.SH. - Vatikan

Sot, në të dielën XVIII të vitit kishtar, Kisha Katolike kremton edhe Kushtimin e Bazilikës së Shën Marisë së Madhe, në Romë.

         Nesër, 6 gusht, është festa liturgjike e Shndërrimit të Zotit, e cila përkujton çastin kur dishepujt panë hyjninë e Jezu Krishtit, që i shndërruar në Dritë, bisedon me Atin Qiellor. Njëkohësisht, përkujtohet edhe shën Ormisda, papë.

         Të martën, më 7 gusht, kremtohen shën Siksti II papë e shokët e tij, martirë, së bashku me shën Gajtan Tiene-n, meshtar, themelues i Teatinëve.

         Shën Domeniku Guzman kremtohet të mërkurën, më 8 gusht. Themeluesi i Urdhërit të Predikatarëve kujtohet edhe nga poeti i madh Dante Alighieri si figurë bazë në historinë e Kishës Katolike, së bashku me shën Tomën e Akuinit dhe shën Françeskun e Asizit. Po atë ditë, përkujtohen edhe shën Qiriaku, shën Largo e shën Smaragdo, martirë.

         Më 9 gusht, ditën e enjte, është radha e njërës prej Pajtoreve të Evropës. Kisha përkujton shën Terezën Benedikta e Kryqit, në shekull, Edith Stein, virgjër e martire, filozofe e mistike e karmelitaneve të zbathura, që e mbylli jetën në kampin e përqendrimit nazist të Aushvicit, pikërisht më 9 gushtin e vitit 1942. Me të, kujtohet edhe shën Romani, martir.

         Të premten, 10 gusht, Kisha Katolike kremton shën Lorencin, diakon e martir, i mirënjohur për paraqitjen e martirizimit të tij, pjekur i gjallë në një skarë mbi prush, siç tregon tradita.

         Të shtunën e ardhshme, 11 gusht, përkujtojmë shën Kjarën e Asizit, virgjër e themeluese e Urdhërit të Klariseve, bashkëpunëtore e ngushtë e shën Françeskut. Kujtohen gjithashtu edhe shën Tiburci, martir e shën Suzana, romake.

         Të dielën IX gjatë vitit kishtar, më 12 gusht, Kisha kremton edhe festën liturgjike të shën Xhovana Françeska de Shantal, rregulltare dhe të të Lumit Inoçenci XI, papë.

05 gusht 2018, 09:30