Kërko

I Shenjtnueshmi Sakrament I Shenjtnueshmi Sakrament 

Shën Pjetër Juliani Eymard, meshtar, themelues i sakramentinëve

Kisha Katolike përkujton sot shën Pjetër Julianin Eymard, meshtar francez, tejet i devotshëm ndaj të Shenjtnueshmit Sakrament.

R.SH. - Vatikan

Në gjysmën e shekullit XIX, shën Eymardi, argumentonte se kulti eukaristik është çelësi për rizgjimin shpirtëror e për risimin e jetës së krishterë. “Kam reflektuar gjithnjë mbi mënyrën si mund të kapërcehet indiferenca universale, që i pushton shumë njerëz. Gjej vetëm një ilaç: Eukaristinë, dashurinë për Jezusin Eukaristik. Humbja e fesë vjen nga humbja e dashurisë”, shkruante.

Jeta e shën Pjetër Julianit Eymard

         Që kur ishte fëmijë, shën Pjetër Juliani Eymard ishte i dashuruar me të Shenjtnueshmin mbi altar e që atëherë, vendosi të bëhej prift. Qe lindur në La Mure d’Isére, në dioqezën e Grenoblës, më 4 shkurt 1811, i fundit ndër dhjetë fëmijë, tetë prej të cilëve vdiqën të vegjël. I kundërshtuar fuqimisht nga i ati, mundi të shugurohej meshtar në vitin 1834, fillimisht si dioqezan, pastaj, më 1839, si anëtar i Kongregatës së sapothemeluar të etërve maristë në Lion.

Sakramentinët

         Çastet më të frytshme të udhës së tij shpirtërore qenë: një procesion eukaristik më 1845, gjatë të cilit, duke mbajtur të Shenjtnueshmin Sakrament, iu lut Zotit të kishte zellin e Shën Palit për përhapjen e Ungjillit; pastaj, një udhëtim në Paris më 1849, ku, si provincial i Maristëve, pati rastin të njihte figura të rëndësishme të Adhurimit gjatë Natës, si themeluesen e Adhurimit Shpërblyes, nënë  Marie-Théreèse Dubouché, dhe kontin Raymond De Cuers. Së bashku me këtë të fundit, në Paris, në maj 1856, themeloi Kongregatën e të Shenjtnueshmit Sakrament, i bindur në forcën e adhurimit të Hostes Shenjte. Më pas, së bashku me Margherita Guillot, shën Pjetër Juliani Eymard themeloi Shërbëtoret e të Shenjtnueshmit Sakrament e vijoi me Shoqatën e meshtarëve adhurues, me Mbledhjen Eukaristike për laikët, duke u impenjuar vazhdimisht në apostullimin për të rriturit e të rinjtë punëtorë të periferive të Parisit.

Mesha, në qendër të jetës

         Për të, mesha ishte qendrore në jetën e të krishterit. Shën Pjetër Juliani Eymard mbrojti ritin romak, kur ai cënohej nga riti galikan dhe i ftonte pa u lodhur të gjithë të merrnin pjesë në meshë, burim i jetës aktive të krishterë. Kjo përmasë shoqërore e Eukaristisë përshkruhet mirë në tekstin “Le Trés Saint Sacrement”: “Kulti solemn i ekspozimit të të Shenjtnueshmit Sakrament është i nevojshëm për ta zgjuar fenë e dremitur të njerëzve të ndershëm… Shoqëria vdes, sepse nuk ka më një qendër të vërtete e dashurie, nuk ka më jetë familjare. Secili izolohet, përqendrohet në vetvete, dëshiron të jetë i pavarur; shpërbërja është afër. Por shoqëria – shkruan shën Pjetër Juliani – do të rilindë plot gjallëri, kur gjithë anëtarët e saj do të mblidhen rreth Emanuelit tonë”. Ai, që kujtohet si “prifti e apostulli i Eukaristisë”, vdiq në vendlindje, në moshën 57-vjeçare, më 1 gusht 1868, pas sprovave të shumta, por i fortë në shpirt. Më 1925, qe Papa Piu XI, që e shpalli të lum, ndërsa Gjoni XXIII, edhe ai shenjt, e kanonizoi më 1962.

02 gusht 2018, 18:17