Kërko

Shën Monika, shembull për gratë

Shën Monika, nëna e Shën Agostinit, diti ta ruajë fenë edhe në çastet më të vështira të jetës, duke bërë gjithnjë vullnetin e Zotit. E gjeti forcën në lutje. E ëmbël, por edhe e vendosur e me karakter të fortë, mbetet shembull për gratë e të gjitha kohëve.

R. SH. - Vatikan

Grua e nënë: Monika, gruaja e shekullit IV, besimtare e thellësisht e vetëdijshme për rolin e saj shoqëror, e ndërton gjithë jetën mbi besimin në Zotin. Ëndërron një ardhmëri të lulëzuar për të bijtë. Pret shumë posaçërisht nga djali i madh, Agostini, që shquhet për zgjuarësi të jashtëzakonshme. Por edhe për bëma të jashtëzakonshme, jo gjithnjë të pëlqyera! Punët, pra, nuk shkojnë ashtu si shpreson nëna e virtytshme. Atëherë Monika e kupton se ku nuk punon dora e saj e brishtë prej gruaje, punon dora e Zotit! Mësohet, kështu, ta lëshojë veten krejtësisht në dorë të Atij të Lumit e të respektojë kohët e Tij, duke bërë edhe kthesë personale.

Plot bindje ndaj vullnetit të Zotit

Monika ishte gati të japë jetën, për t’i bërë më humanë njerëzit që kishte rreth vetes. Të shoqin, së pari, që e ktheu në fenë e krishterë. E, doemos, të bijtë, të cilët i shoqëroi në çdo hap të jetës, që të mos dredhonin rrugë. Mbeti, kështu, model i gruas, që diti ta jetojë me fund jetën e saj. Që nuk mund të quhet shenjtore e kamares, shenjtore allçie, sepse ndjehet tejet pranë kujt i lutet për ndërmjetësim. Një nga dëshirat e saj më të zjarrta ishte ta shikonte të birin, Agostinin, në fenë katolike. Bëri çmos. Aq sa i ndërhyu shpesh në jetën e tij. Por, duke dëgjuar zërin e Zotit, e kuptoi se duhet të sillej ndryshe, se prania e saj pranë të birit duhet të ishte e përhershme, por e pandjeshme, se lutjet do t’i dëgjoheshin, sipas planeve të Zotit.

Virtytet e Monikës

Një nënë besimtare është, para së gjithash, motër në fenë e të birit. Agostini  lulëzoi në fe pikërisht kur Monika e la të ecte lirisht në udhën e tij. Me këtë sjellje,   i mëson gratë të jenë nëna durimtare, plot besim në Zotin, në pritje që bijtë  të fitojnë pjekurinë, kur t’u vijë ora. E i mëson të jenë edhe bashkëshorte të virtytshme e, sidomos, të luten, gjithnjë, pa u lodhur kurrë, për fatin e të bijve, sepse Zoti nuk mund të mos e dëgjojë lutjen e përgjëruar të një nëne për fëmijët e saj!

 

27 gusht 2018, 13:14