kisha, feja kisha, feja 

Shën Lidia, dishepullja e Shën Palit

Kisha Katolike përkujton sot shën Lidien, dishepulle e Shën Palit.

R.SH. - Vatikan

Banesa e shën Lidies qe kisha e parë në Evropë, themeluar nga Apostulli i Popujve. Kur Shën Pali shkeli në Filipe të Maqedonisë, gjeti mikpritje në shtëpinë e Lidies, tregtare stofrash të purpurtë. Historia e kthimit të saj në krishterim, së bashku me familjen, tregohet në kapitullin 16 të Veprave të Apostujve. Pas një vegimi, shën Pali, së bashku me Timoteun, Silën e Lukën, kalojnë në Maqedoni. Ishte udhëtimi i dytë misionar i apostullit, rreth viteve 50-53. E ja ç’tregon shën Luka në Veprat e Apostujve:

         “Lundruam, pra, prej Troadës dhe u nisëm drejt Samotrakës e të nesërmen për Neapol. Prej andej në Filipe ‑ qytet kryesor i asaj province të Maqedonisë, i banuar prej romakësh. Në këtë qytet zumë vend disa ditë. Të shtunën dolëm jashtë derës së qytetit, në breg të lumit, ku e çmonim se do të bashkohen në lutje. U ulëm e zumë t’u predikojmë disa grave që ishin mbledhur. Po dëgjonte kështu njëra prej tyre që e kishte emrin Lidi, grua që besonte në Hyjin, shitëse stofrash të purpurtë prej qytetit të Tiatirit. Kësaj Zoti ia hapi zemrën dhe pranoi çka thoshte Pali. Kur e mori pagëzimin ajo dhe familja e saj, ajo edhe na u lut: “Nëse më çmoni se jam besimtare e vërtetë e Zotit, ejani e banoni në shtëpinë time.” Na u desh të shkojmë”.

         Mendohet se Lidia ishte e pasur dhe kishte autoritet në familje, e cila e ndoqi, duke u pagëzuar në Krishtin. Kështu, misionarët e Zotit, me të shkelur në tokën evropiane, fituan një shpirt si ai i kësaj gruaje, simbol i atyre grave, që e mbajnë të ndezur flakën e fesë në Krishtin, brenda mureve të shtëpisë.

03 gusht 2018, 13:43