Versioni Beta

Cerca

Vatican News
Lutje para Kryqit të Krishtit Lutje para Kryqit të Krishtit 

Shën Gajtani Tiene, meshtar, themelues i teatinëve

Kisha Katolike përkujton sot, ndër të tjerë, shën Gajtanin Tiene, meshtar, themelues i teatinëve.

R.SH. - Vatikan

Gajtani apo Gaetano (në italisht) ishte një fisnik vinçentin, që jetoi ndërmjet shekujve XV e XVI. Pasi u shugurua meshtar, në vitin 1523, së bashku me tre shokë – ndër të cilët edhe Papa i ardhshëm Pali IV – themeloi Kongregatën e Teatinëve. Rregulla e tyre është Ungjilli “sine glossa”, pra, jetuar ashtu siç është, pa interpretime.

Festa e shën Gajtanit në Buenos Ajres

         Shën Gajtani nderohet shumë në Argjentinë, në atdheun e Papës Françesku, si Pajtori i “bukës dhe i punës”. Shenjtërorja e tij ndodhet në lagjen Liniers të Buenos Ajresit, zonë periferike e kryeqytetit argjentinas. Ҫdo vit, më 7 gusht, në përkujtimin liturgjik të vdekjes së shën Gajtanit, mijëra besimtarë vihen në rresht para shtatores së shenjtit, puthin xhamin e kamares së vogël ku ndodhet dhe bëjnë shenjën e kryqit. Radha gjarpëron në 15 rrugë të qytetit e vijon gjithë ditën. Njerëzit mund të presin edhe 10 orë. Në shenjtërore, mesha kremtohet çdo orë. Kremtimi kryesor është ai i orës 11.00.

Kryeipeshkvi i dikurshëm, kard. Bergoglio

         Kur ishte kryeipeshkëv i Buenos Ajresit, kardinali i atëhershëm Bergoglio kryesonte kremtimin e festës së shën Gajtanit e, në përfundim të meshës, përshkonte kishën për të folur me besimtarët, për të dëgjuar historitë e tyre e për të bekuar fëmijët.

07 gusht 2018, 13:52