2017.12.02-Visita-Privata-Casa-Madre-Teresa-di-Tejgaon 2017.12.02-Visita-Privata-Casa-Madre-Teresa-di-Tejgaon  (Ossevatore Romano)

Shën Nënë Tereza: veprat e dashurisë nuk janë tjetër veçse vepra paqeje

Shën Nënë Tereza: Gjërat e vërteta, autentike lindin nga zemra, nëpërmjet një dashurie të thellë e delikate për Jezusin e për njeriun.

R.SH. - Vatikan

Po afrohet përvjetori i lindjes së Ganxhe Bojaxhiut, më 26 gusht dhe festa liturgjike e Shën Nënë Terezës,  më 5 shtator, që do të kremtohet solemnisht në të gjitha Kishat kudo në botë, e në mënyrë të posaçme në trevat shqiptare.

Në një nga mësimet e shumta të  saj, Shën Nënë Tereza pohonte se veprat e dashurisë nuk janë tjetër veçse vepra paqeje. Gjërat e vërteta, autentike lindin nga heshtja! Nënë Tereza ndodhej në Indi si drejtoreshë e një shkolle të një kongregate fetare. Në Kalkutë zbulon dramën e heshtur të të varfërve, të moshuarve, të grave e të fëmijëve, që të braktisur nga kjo botë, vdisnin në rrugët e indiferencës. Dëgjon zërin e Jezu Krishtit që i thotë: “Lëre kuvendin e shko të ndihmosh të varfërit, jeto me ta, ndër ta e si ata”. Bindet: shkon të jetojë në mes të barrakave e plehrave dhe fillon të mbledhë më të dëshpëruarit e të dëshpëruarve, sidomos lebrozët. Aty ku të tjerët shihnin veç dhimbje e dështim, ajo sheh fytyrën e Krishtit.

Por si mund t’i përgjigjet thirrjes së Zotit, ku gjendet forca për të thënë “po”? Në marrëdhënie të ngushtë me Krishtin. E Nënë Tereza kërkonte ta lente veten në dorë të Krishtit, por edhe nëpërmjet një dashurie të thellë e delikate për Jezusin, sidomos në Eukaristi, në Meshë e në Adhurim“Vëmendja ndaj të tjerëve – thoshte misionarja – është fillimi i shenjtërisë”.

Nënë Tereza kujdeset për njeriun veç e veç, jo për turmën. Qëndron me të varfërit, por di t’u drejtohet edhe të pasurve, në të cilët shpesh sheh dëshpërimin: “të varfërit e Kalkutës – pohonte shën Nënë Tereza – nuk kanë asgjë, por besojnë akoma në diçka; ndërsa ata që kanë shumë, duket sikur nuk besojnë më në asgjë”. Flet kundër çdo lloj dhune: nga lufta tek aborti. “Nëse nuk e doni fëmijën – u thoshte nënave që donin të abortonin – ma jepni mua: mos e vrisni! Sepse derisa të ekzistojnë nëna që shkatërrojnë jetën e fëmijëve që në kraharor, rruga e vrasjeve dhe e luftës mbetet gjithnjë e hapur”.

Mesazhi i saj është i thjeshtë: dashuria e shpallur nga Jezusi në Ungjill: Jezusi erdhi të na sjellë Lajmin e Mirë se Zoti na do e se duhet ta duam njëri-tjetrin, ashtu si Ai na do ne. Për këtë pati thënë: “Çdo gjë që e bëni për nevojtarët e keni bërë për mua. Nëse keni dhënë një gotë ujë në emrin tim, ma keni dhënë mua. Nëse keni mirëpritur një fëmijë në emrin tim, më keni pritur mua”. E kur të vdesim e të kthehemi tek shtëpia e Zotit, sërish do të dëgjojmë Jezusin që thotë: “Ejani ju të bekuar nga Ati im, sepse kur pata uri më dhatë të ha. Isha i zhveshur e më veshët, Nuk kisha shtëpi e më pritët në shtëpinë tuaj. Isha i sëmurë e në burg dhe erdhët të më shihni. Ejani dhe merrni në dorëzim Mbretërinë që është përgatitur për ju”.

"Ku e ka fillimin dashuria? Në familje. Si fillon? Duke u lutur sëbashku. Familja që lutet sëbashku, mbetet e bashkuar. E nëse ju do të mbeteni të bashkuar do ta doni njëri-tjetrin, ashtu si Jezusi ju do. Çojeni pra lutjen, gëzimin, dashurinë dhe paqen në familjet tuaja e kështu do të rriteni në shenjtëri. Shenjtëria nuk është luks për pak vetë, është një bukuri e thjeshtë, sepse Jezusi ka thënë: “Qofshi të shenjtë, ashtu si Ati im që është në qiell”. Zoti ju bekoftë të gjithëve”. 

Sipas Nënë Terezës, vetëm Dashuria e Zotit mund ta shërojë zemrën e njeriut nga urrejtja. Vetëm Drita e Dashurisë Krishtit mund ta shndrisë mendjen e njeriut për të hequr dorë nga dhuna, vetëm me Hirin e Zotit, njeriu mund t’i përballoj rreziqet e shpirtit e të shëlbohet. Këtë porosi, Nënë Tereza u jepte motrave të veta duke i thirrur të përforcoheshin përherë e më shumë në Dashurinë Jetëdhënëse të Krishtit Zoti dhe me ndërmjetësimin e Nënës Qiellore,Vigjërës Mari, të ecinim gjurmëve të Mësuesit Hyjnor, duke i dëshmuar dashurinë Hyjnore të afërmit, e sidomos më të varfërve ndër të varfër.

Jezus, në zemrën time,
unë besoj në dashurinë tënde të dhimbshme për mua,
unë të dua.
Sepse unë të përkas Ty,
Unë dua të jap gjithçka timen për Ty.
Më përdor plotësisht.
Më ndaj copë copë.
Cdo pjesë do të jetë jotja.
O Shën Mari, ma jep zemrën tënde kaq të mrekullueshme,
kaq të pastër, kaq të papërlyer,
zemrën tënde kaq të mbushur me dashuri e përvuajtëri
sa të më bëjë të denjë për të marrë në zemër Jezusin
me anë të Bukës së Jetës dhe ta dua Atë 
ashtu si e do ti dhe t’i shërbej
në pamjet e çpërfytyruara të të varfërve. (Nënë Tereza)

21 gusht 2018, 16:27