Kërko

 Mosuli pas konfliktit Mosuli pas konfliktit 

Rrafshi i Ninives: don Jahola, kërcënimet vijojnë, por të krishterët po kthehen

Në Irak më se nëntë mijë familje u rikthyen në Rrafshin e Ninives, katër vjet pasi të krishterët u detyruan të ikin për shkak të dhunës ushtruar mbi ta nga Shteti i vetëshpallur Islamik. “Ndjejmë nevojën e dëshmisë së krishterë në zonë”, tregon don Georges Jahola, i Komitetit për rindërtimin e vendit.

R. SH. - Vatikan

Ishte nata ndërmjet 6 e 7 gushtit 2014: 120 mijë të krishterë irakianë u detyruan të ikin nga trojet e  tyre të Rrafshit të Ninives, në brigjet e lumit Tigri. Duke nisur nga këto çaste, tërbimi i milicëve të Shtetit të vetëshpallur Islamik dëmtoi rëndë 13 mijë banesa, nga të cilat, 1.233 u bënë rrafsh me tokë. Këto, të dhënat  e Komitetit për rindërtimin e Ninives, themeluar më 2017 nga Kisha kaldease, siro-katolike e siro-ortodokse e Irakut, në bashkëpunim me “Ndihmë për Kishën që Vuan”.

Rikthimi i të krishterëve

Pranë këtyre shifrave, që flasin për mort e rrënim, tashmë janë edhe ata që, fatbardhësisht, flasin për rilindjen e zonës: sipas “Ndihmë për Kishën që Vuan” (Acs),  janë kthyer rreth 8. 815 familje, më se 44% e 19. 452 e atyre, që u detyruan të ikin nga shkaku i pushtimit xhihadist. E edhe situata duket se ndryshon çdo ditë. Në dhjetor kryeministri irakian Haider al Abadi dha lajmin e fitores përfundimtare mbi Isisin, ripohuar kohët e fundit edhe nga presidenti amerikan, Donald Tramp, ndonëse këtu nuk kanë marrë fund ende vrasjet, rrëmbimet, atentatet, kryesisht ndër disa nga zonat më të humbura të vendit.

Dëshmia e don Georges

Prej të krishterëve të Rrafshit të Ninives, nga  Qaraqosh, në Karameles e  Teleskuf, mund të dëgjosh histori shprese, por pa i harruar çastet e jetuara katër vjet më parë. Na flet don Georges Jahola, meshtar siro-katolik i dioqezës Mosul-Kirkuk-Kurdistan, në krye të Komitetit për rindërtimin e Bakhdida-Qaraqosh:

“Nga mëngjesi i atij 6 gushti, nisën kërcënimet e Isisit, rreth Bakhdida-Qaraqosh. Pasdite u sulmuam me mortaja e humbëm dy fëmijë dhe një grua të re. Që atë çast njerëzit e ndjenë kërcënimin e u vunë në ikje masive nga qyteti. Dhjetra mijëra njerëz, pa marrë parasysh vapën e gushtit, krijuan radhë të gjata në pikat e kontrollit, në kufirin me Kurdistanin, sepse ky ishte rajoni më i afërt, prandaj njerëzit u sulën drejt tij, drejt Erbilit, por edhe qyteteve të tjera kurde. Ishin çaste të tmerrshme, edhe psikologjikisht, e jo vetëm fizikisht.

Çfarë linin pas shpine të krishterët e Rrafshit të Ninives, në ikje?

Banesat, por edhe gjithë trashëgiminë kulturore e fetare, që kishim në kisha, në manastire…Biblioteka të tëra të djegura, të vjedhura… I humbëm të gjitha sendet me vlerë historike.

Cila nga pamjet e hidhura të këtyre ditëve të mbeti më shumë në kujtesë?

Ishte i tmerrshëm çasti kur të rinjtë e ata që kishin mjete transporti mundën të ikin. I tmerrshëm për njerëzit e sëmurë, të moshuar, që shikonin karvanet në ikje, pa shpresë për t’i ndjekur pas e për të shpëtuar atë pak jetë, që u kish mbetur e që do mbaronte zi e më zi.

Që nga viti 2017, Komiteti për rindërtimin e Ninives u angazhua për të bërë ç’është e mundur që të krishterët të rikthehen në trojet e tyre. Si është situata sot?

Pa ndihmën e organizatave të ndryshme e, posaçërisht, të “Ndihmë për Kishën që Vuan”, e cila na ndihmoi si kur ishim në diasporë, ashtu edhe në këto çaste kthimi, çdo shpresë do të kish qenë e kotë. Ndihmat që morën ishin themelore për rifillimin e jetës e për t’ua rikthyer shpresën njerëzve, posaçërisht për shtëpitë, sepse ku të kthehen familjet, kur nuk kanë shtëpi? Kur e gjejnë shtëpinë, që lanë, të shndërruar në një grumbull hiri? Apo gërmadhash? E kemi dokumentuar gjithçka, i kemi llogaritur edhe shpenzimet e nevojshme, për t’ua paraqitur, pastaj, këto llogari, organizatave, që na ndihmojnë, posaçërisht “Ndihmë për Kishën që Vuan”, e cila koordinon veprimtarinë edhe me Kishat e tjera, derisa të paraqitet plani për fillimin e fazës së rindërtimit.

Në dhjetor autoritetet e Bagdadit lajmëruan fitoren përfundimtare mbi Shtetin e vetëquajtur Islamik. A ka sinjale të kësaj fitoreje në terren? Apo vijojnë akoma atentatet e dhuna, sidomos në disa zona të Irakut?

Këto sulme e atentate nuk e pasqyrojnë situatën e përgjithshme në vend, sepse, për shembull, në Mosul, që ishte i rrethuar nga Isis e që u çlirua në dhjetor, mund të shkojmë lirisht, qyteti është i sigurt. Kuptohet se siguria në Irak është relative, por tani për tani mund të kënaqemi me këtë që kemi fituar deri tani.

Ju folët për angazhimin e Kishave irakiane, në ndihmë të besimtarëve, të popullsisë lokale… Ç’shpresa keni për të ardhmen?

Shpresa jonë lidhet me shpresat e mbarë Irakut. Duhet të angazhohemi për jetën tonë këtu, sepse këtu vijojnë kërcënimet jo vetëm nga ana e Isis, por edhe atyre, të cilët kanë interes që të krishterët ta lënë këtë vend. Ka agjenda politike në të gjithë rajonin e Lindjes së Mesme, politika të mëdha në gjithë zonën, prej këndej në vendet fqinje ka ende ndonjë ekstremist, që e urren praninë e pakicave, sepse e pengojnë t’i shfrytëzojë trojet e tyre, qytetet e tyre.

Ç’i shtyn njerëzit të rikthehen, pavarësisht nga këto tensione?

Ishte e pamundur ta përfytyroje se qytetet tona do të çliroheshin e ne do të mbeteshim vetëm ndonjë kilometër larg tyre. Jemi shumë të lidhur me këtë tokë prej mijëra vitesh; jemi këtu, që kur zu fill epoka e krishterë. E ndjejmë për detyrë të japim dëshmi në këtë tokë.

05 gusht 2018, 15:52