Zoja e Ngjitur në Qiell, Lotto Zoja e Ngjitur në Qiell, Lotto 

Pse festohet Ferragosto - Zoja e Madhe?

Rreth shekullit VII, filloi të kremtohej, në vend të Ferragosto-s - festë pagane me zanafillë në kohën e perandorit romak Otavian Augusti - Zoja e Ngjitur në Qiell, fiksuar më pas nga Kisha më 15 gusht.

R.SH. - Vatikan

Emri i festës së sotme, që për katolikët është ajo e të Ngjiturit të Zojës në Qiell, por që në italisht njihet edhe si “ferragosto”, e ka zanafillën tek latinishtja. Vërtet, “ferragosto” do të thotë “feriae Augusti” (pushimi i Augustit), në nder të perandorit të parë romak, Otavian Augusti, nga i cili merr emrin edhe muaji i gushtit.

         Ishte periudhë pushimesh e festimesh, caktuar nga vetë perandori në vitin 18 para Krishtit. Bazohej në traditën e Consualia-ve, festa, që kremtonin fundin e punimeve në bujqësi, kushtuar Conso-s, zotit romak të tokës e të pjellorisë. Në të gjithë perandorinë organizoheshin festa e gara me kuaj dhe, kafshët shtëpiake, që nuk punonin më në ara, zbukuroheshin me lule. Ishte zakon që gjatë këtyre ditëve, fshatarët t’u bënin urimet pronarëve të tokës, duke marrë si shpërblim një bakshish të vogël. Në lashtësi, kjo festë pagane kremtohej më 1 gusht, por ditët e pushimit e të festës vijonin gati gjithë muajin, duke arritur kulmin më 13 gusht, ditë kushtuar perëndeshës Diana.

Nga festë pagane në festë katolike

         Rreth shekullit VII, filloi të kremtohej, në vend të Ferragosto-s, Zoja e Ngjitur në Qiell, fiksuar më pas nga Kisha më 15 gusht. Dogma e të Ngjiturit të Zojës në Qiell (e njohur si e tillë vetëm në vitin 1950) thotë se Shën Maria Virgjër u ngjit në qiell me korp e me shpirt.

Si kremtohet Zoja e Madhe nëpër botë

         Në gjithë botën, Zoja e Madhe kremtohet në mënyra të ndryshme, por gjithnjë me madhështi. Nga Madridi, me festën e Palomës, në Kanada me Acadian Day, e deri në Irlandë me “Féile Mhuire ‘sa bhFomhar”. Në Itali, veçojmë Marche-n me “Cavalcata dell’Assunta”, që festohet që nga viti 1182: ndër kortezhet me kostume të lashta, kremtime liturgjike e turne sportive. Në Sardegna, vlen të përmendet “Faradda de li candareri”, në zemër të Sassari-t. Procesioni fetar lind në vitin 1652, nga ndjeti për Zojën, e cila e shpëtoi qytetin nga murtaja. Në vitin 2013, Unesco e konsideroi këtë kremtim Trashëgimi orale dhe jomateriale të njerëzimit.

Po në Shqipëri?

         Po në Shqipëri? Zoja e Madhe festohet kudo, por sot veçojmë kremtimin në ishullin e Sardës apo të Shurdhahut, vetëm pak kilometra nga Shkodra. Emrin e Sardës e gjejmë në një nga letrat e Shën Gjonit, i cili i drejtohet pikërisht kësaj kishe. Sipas gojëdhënave, dikur ngriheshin aty 365 altarë, një për çdo ditë të vitit, por kisha kushtuar Zojës së Madhe është edhe sot. E çdo vit, për të mos e humbur kujtesën e kësaj lashtësie biblike, dioqeza e Sapës e organizon aty kremtimin e meshës, më 15 gusht. Sivjet, mesha u kryesua nga nunci apostolik në Shqipëri, imzot Charles John Brown.

15 gusht 2018, 13:32