Libri i françeskanëve shqiptarë "Gjergj Kastrioti - Athleta Christi" Libri i françeskanëve shqiptarë "Gjergj Kastrioti - Athleta Christi" 

Provinca Françeskane boton “Gjergj Kastrioti ‘Athleta Christi’”

Provinca Françeskane boton një libër të ri për Skënderbeun, në kuadrin e Vitit kushtuar 550-vjetorit të vdekjes së heroit kombëtar shqiptar. Me titull “Gjergj Kastrioti ‘Athleta Christi’”, libri përmban një përzgjedhje studimesh të klerikëve katolikë, sidomos të vetë françeskanëve të mëdhenj në historinë e kombit.

R.SH. - Vatikan

“Provinca Françeskane – thuhet në komunikatën e saj për shtyp, publikuar në disa gazeta - e boton ketë libër në shenjë nderimi të përvujtë ndaj Gjergj Kastriotit, i cili u frymëzue dhe u këshillue shpesh prej bijëve të Shën Françeskut të Asizit, gjatë 25 vjetëve të sundimit të tij në trojet arbnore. Françeskanët dishmuen nji dashní të pashoqe për Shqipninë, jo vetëm në kohën e Gjergj Kastriotit, por edhe mbasi vendi ynë rá nën thundrën osmane. Si frati shqiptar, ashtu edhe misonari i ardhun prej fundit të botës, vijuen me mbajtë pranë e pranë në krahnuer kryqin bashkë me flamurin kuq e zi. Dhe i falën jo pak heroj e martirë fesë dhe kombit.

Në ketë botim – vijon Provinca Françeskane shqiptare - përzgjodhëm nji mori artikujsh studimorë, që hedhin dritë mbi Skanderbegun dhe kohën e tij, tue mbledhë në nji vëllim të veçantë artikuj dhe akte konferencash, botue në kohë të ndryshme kryesisht nëpër revista. Në ketë përzgjedhje prej 12 studimesh spikasin pendat e meshtarëve të mirënjohun françeskanë dhe jezuitë, në misionin e tyne të studiuesit dhe shkrimtarit: Át Shtjefën Gjeçovi, Át Paulin Margjokaj, Át Zef Valentini, Át Gjon Shllaku, Mons Antonin Fishta, Át Marin Sirdani, Át Luigji Marlekaj, Át Vinçenc Malaj, Át Basilio Pandžić.

Përkthehen për herë të parë në gjuhën shqipe tre studime –njofton komunikata për shtyp. - Përkthyesit e censhëm Lisandri Kola dhe Aristea Kola përkthyen studimin e çmueshëm të Át Vinçenc Malaj O.F.M “Nevoja e nji bashkërendimi bibliografik kastriotian”; studimin e Át Luigji (Jak) Marlekaj O.F.M “Skanderbegu në traditat popullore shqiptare” dhe të Át Basilio Pandžić O.F.M “Françeskanët në shërbim të Shqipnisë në epokën e Skanderbegut”. Ky i fundit asht botue, i përkthyem pjesërisht, në revistën Hylli i Dritës, por autorët e naltpermendun na krijuen mundësinë ta lexojmë për herë të parë, të plotë.

Përmbledhja Gjergj Kastrioti “Athleta Christi” do t’u shërbejë të gjithëve, por në mënyrë të veçantë studiuesve të epokës skanderbegiane për ta njohë mâ hollë e mâ thellë “Atletin e Krishtit” i cili deshti, punoi dhe luftoi për nji Shqipní europiane – komentojnë fretërit françeskanë.

Gjergj Kastrioti kje hero i luftës  për liri kombëtare dhe ideator i Shqipnisë europiane. I bâni me dije botës së qytetnueme të asaj kohe se vlerat shpirtnore dhe kombëtare nuk shiten as nuk ndërrohen për interesa të ulta, ato mbrohen me jetë. Prandej, shembulli dhe veprimtaria e Gjergj Kastriotit janë model për né si qytetarë të këtij vendi, e jo për t’u kthye mbrapa në kohë, apo për t’i kallxue heroizmat e tij vetëm për të shue kureshtjen, por për t’i pá si frymëzim për të ndërtue vendin tonë, tue e vû atë përmbi çdo interes tjetër. Skanderbegu nuk âsht mit, nuk i përket vetëm historisë. I përket çdo kohe e çdo njeriu. Mbetet për të gjithë gurrë e pashterrshme  frymëzimi, në përpjekjen për të ndërtue një shoqnií shqiptare një zemre e një zâni, kur âsht fjala  për të mbrojtë shtëpinë e përbashkët, Shqipninë! Qe pra, historia nuk âsht vetëm mësuese e jetës. Mbetë gjithnjë gurrë frymëzimi për të tashmen e të ardhmen, në një proces të pafundmë rindërtimi. Kështu e ka konceptue kleri katolik historinë e kështu edhe e ká shkrue, tue e pá si shërbim dhe frymëzim për të ardhmen e vendit e të njeriut”, përfundon komunikata për shtyp e Provincës Françeskane, që lajmëron botimin e librit “Gjergj Kastrioti ‘Athleta Christi’”.

27 gusht 2018, 16:18