Kërko

Spa_Madre Teresa Spa_Madre Teresa 

Kolë Bojaxhiu, babai i Shёn Nёnё Terezёs, nё pёrvjetorin e vdekjes

Ndërsa afrohet pёrvjetori i lindjes të Shёn Nënë Terezës, sot kujtojmë pёrvjetorin e vdekjes sё Kolë Bojaxhiut, babait të saj fatlum.

R.SH. - Vatikan

Babai i së Shёn Nënë Terezës, Kolë Bojaxhiu vdiq dhe u varros më 2 gusht të vitit 1919. Nuk dihet ku pushojnë në paqe eshtrat e tij. Madje deri dje nuk i dihej as dita e vdekjes, të cilën e bëri të njohur Albert Ramaj në një shkrim botuar në gazetën ‘Shekulli’.

Kujtojmë se Nënë Tereza kishte një vëlla dhe një motër. Vëllai, që quhej Lazër, studioi në Akademinë Ushtarake të Gracit në Austri, por për shkaqe politike emigroi qysh herët në Itali. Kurse motra quhej Age.

Më 26 shtator 1928 Ganxhja u largua nga familja për t’u nisur drejt Dublinit, për të hyrë në Institutin e së Lumes Zojë, që njihej ndryshe me emrin "Motrat e Loretos", në Irlandë. Atje mori emrin motër Mari Tereza, për nder të Shën Terezës së Krishtit Fëmijë. Në dhjetor u nis për në Indi. Në Kalkutë arriti më 6 Janar të vitit 1929. Pasi bëri kushtet e përkohshme, në maj të vitit 1931, Motër Tereza u dërgua në bashkësinë e Loretos, në Entali, ku dha mësim në shkollën St.Mary për vajza. Më 24 maj të 1937-ës, motër Tereza paraqiti  kushtet e përjetshme duke u bërë, siç tha ajo vetë: "Vashë e Jezusit" për "amshim". Që nga ajo ditë  e tutje u quajt Nënë Tereza.

Nga kjo datë 26 shtator 1928  anëtarët e familjes Bojaxhiu nuk do të mblidheshin kurrë më të gjithë së bashku. Siç pohuam, nga Dublini Rregulltarja shqiptare do të nisej për në Kalkutë të Indisë ku natyrisht e merrte malli për të vetët, për familjen që tashmë ishte shprishur. Lazri ishte në Itali, ndërsa Nënë Drandja e Agia- në Tiranë. Shqipëria ia kishte mbyllur derën, por në Shkup mund të shkonte, ndonëse atje e priste vetëm varri i t’et. Kur mundi të kthehej, nuk gjeti më as familje, as shtëpi e as varr. I pakujdesur nga të afërmit e larguar prej Shkupit, varri kishte humbur.

Ndërkaq në Tiranë i vdiqën njëra pas tjetrës nënë Drandja (1971) dhe Motra Age (1973). Nënë Tereza do ta takonte Lazrin vetëm mbas 30 vjetësh. Ndërsa për nënën dhe motrën do të mund të thoshte një ‘Epjau Zot pushimin e pasosun’ e të derdhte dy pika lot, vetëm më 1990 .

02 gusht 2018, 19:28