Kërko

 Shtegtimi i 78-të ndërkombëtar në Fatima Shtegtimi i 78-të ndërkombëtar në Fatima 

Përfundoi Shtegtimi i 78-të ndërkombëtar në Fatima

Shtegtimi ndërkombëtar i gushtit në Shenjtëroren mariane të Fatimës, sivjet përkoi me hapjen e Javës së 46-të të Emigrantit dhe të Refugjatit.

R. SH. - Vatikan

Kushtuar emigrantëve dhe refugjatëve, përfundoi Shtegtimi ndërkombëtar i gushtit në Shenjtëroren e Fatimës. “Nuk mund të heshtim”, pati deklaruar gjatë konferencës së shtypit të paraqitjes, kardinali Antonio Martò, ipeshkëv i Leiria-Fatimës, duke kujtuar kështu, dramën humanitare të shumë refugjatëve ardhur kryesisht nga Afrika veriore: “Fuqitë e mëdha perëndimore mbështesin regjime kukulla, që nuk janë në gjendje t’i mbrojnë të drejtat e këtyre njerëzve dhe shkatërrojnë  jetën e miliona varfanjakëve, të detyruar të lënë vendin e tyre, për të mos vdekur nga uria, mjerimi a lufta”.

Traditë e vjetër

Që nga 13 gushti i vitit 1940, shtegtarët e bujqit portugezë dhe të huaj, dhurojnë çdo vit grurin për prodhimin e hosteve të të gjitha meshëve, që kremtohen në këtë vend, ku Zoja vendosi t’u dukej tre barinjve të vegjël. Sipas të dhënave të vetë Shenjtërores, në vitin 2017 u dhuruan 8.215 kilogram grurë e 350 kilogram miell, që u përdorën për të përgatitur 37. 700 hoste. Pjesa e mbetur iu dhurua shoqatave, që punojnë në ndihmë të nevojtarëve.

Gjashtë milonë prani

Siç deklaroi para gazetarëve atë Carlos Cabecinhas, rektor i Shenjtërores, statistikat mbi numrin e shtegtarëve,  që  arrijnë në Fatima, janë gjithnjë më të larta. Pa marrë parasysh periudhën ndërmjet vitit 2016-2017,  që përkoi me kremtimet e 100-Vjetorit të Dukjeve, në të cilin numri u dyfishua, llogaritet një mesatare prej rreth 6 milionë shtegtarësh në vit.

Fatima shtegton në DBR-në e 2019-tës

Simbolikisht, shtegtimi vijon me figurën e Zojës së Fatimës, që do të shkojë në Panama, për të ndjekur ngjarjet e Ditës Botërore të Rinisë, në janar 2019. “Kjo është ngjarje kishtare me rëndësi të dorës së parë - pohoi atë Cabecinhas - sepse të rinjtë janë në qendër të shqetëisimit baritor të Kishës e të magjisterit të Papës Françesku, që  zgjodhi si temë mariane për udhën e përgatitjes: “Ja, shërbëtorja e Tënzot, u bëftë mbi mua, si është Fjala jote!”.

14 gusht 2018, 13:55