Porciunkola, ku kremtohet ndjesa e Shën Françeskut Porciunkola, ku kremtohet ndjesa e Shën Françeskut 

Përfundoi “Ndjesa e Asizit 2018”

Përfunduan kremtimet e Ndjesës së Asizit 2018. Atë Michael A. Perry, epror i përgjithshëm i Urdhërit të Fretërve të Vegjël, na kujton “se Shën Françesku u mbështet mbi parime, që u përkasin të gjitha kohëve.

R. SH. - Vatikan

Përfunduan kremtimet e Ndjesës së Asizit 2018. Atë Michael A. Perry, epror i përgjithshëm i Urdhërit të Fretërve të Vegjël, na kujton “se Shën Françesku u mbështet mbi parime, që u përkasin të gjitha kohëve: mbi respektin për të tjerët, për krijimin, vëllazërimin, mikpritjen, kujdesin për tjetrin, përzemërsinë, butësinë, mënyrën për t’i parë të tjerët si bij të Zotit, si shëmbëllim i Atij të Lumit”. E akoma, edhe se “Praktika e rrëfimit është gjest përvujtërie, permes të cilit njeriu pranon sa vlen para syve të Zotit”.

“Sot më shumë se kurrë - shton atë Perry - festa e Ndjesës na fton të angazhohemi për jetën e të gjithë atyre, që vuajnë nëpër botë. Politikanët e sotëm kërkojnë vetëm miratimin e turmave, ecin në një rrugë,  që i shtyn të mbyllen në vetvete, në egoizmin e tyre. Po Zoti, krejt ndryshe, na shtyn të rikthehemi në gurrën e fesë sonë”.

Përsëri aktuale, një traditë 800-vjeçare?

Në një realitet të tillë, natyrisht të lind pyetja: “Si mund të jetë përsëri aktuale një traditë, që lindi 800 vjet më parë?

Së pari, sepse karizma françeskane bazohet mbi vlerat ungjillore, si thjeshtësia, përvujtëria, e vërteta, ndershmëria e jetës dhe e mendimit  ndarja e përbashkët, ndjesa. Ungjilli është për gjithë jetën, mbasi Fjalë e gjallë, që ndriçon pambarimisht udhën njerëzore. E Françesku përvetësoi pikërisht parimet, që u bëjnë ballë të gjitha kohërave, që nga agu i Krijimit, deri tek muzgu i  botës.

Dëshira e  ndjesës

E ndërmjet tyre shkëlqen Ndjesa, të ndiemët e mëkateve, rrëfimi, që shoqëria e sotme shpesh e shikon si praktikë të panevojshme. E pra njerëzit vijojnë ta ndjejnë fort nevojën për ndjesë, për të falur e për t’u falur. Ndjejnë mallin e rrëfyestores, ku shkon i ngarkuar me barrën e rëndë të fajit e del i shfajsuar, i çliruar, i lehtë, gati për të falur, sepse – vijon të na kujtojë Shën Françesku në këngën e tij të ndjesës - kur fal, je i falur, në paqe, përjetësi!

Nuk duhet shumë mend për ta kuptuar Ndjesën e Asizit. Më shumë duhet zemër, sepse zemra e ndjen menjëherë çka është e drejtë e çka e gabuar, e padrejtë, mëkatare. Nganjëherë ndodh që gjithçka të duket mëkat. Herë tjetër, gjithçka e natyrshme të duket e huaj për mëkatin. Por ne e dimë se mëkati është kryesisht mungesë e dashurisë për Zotin e për të afërmin. Atëherë shumica e njerëzve e ndjen këtë mungesë e kërkon ndjesën besimplotë në Zotin, që është mëshira e pambaruar. Praktika e rrëfimit është gjest përvujtërie, në të cilin njeriu pranon kush është vërtet para syve të Zotit!

E këtë na e kujton sot edhe Atë Michael A. Perry, epror i përgjithshëm i Urdhërit të Fretërve të Vegjël, tani që kremtimet e Ndjesës së Asizit sapo përfunduan. Por do të rikthehen përsëri, vit për vit, për të na e sjellë në mend këtë të vërtetë të amshuar!

03 gusht 2018, 14:45