Nënë Tereza Nënë Tereza 

Një shenjte për ateistët e për bashkëshortët: Nënë Tereza, sipas atë Cantalamessa

Që sot, në librari, “Nënë Tereza – Një shenjte për ateistët e për bashkëshortët”, përmbledhje e predikimeve të Ardhjes të predikatarit të Shtëpisë Papnore, atë Raniero Cantalamessa, kushtuar lajmëtares së shndritshme të dashurisë së Zotit.

R.SH. - Vatikan

Guri i parë mbi të cilin mbështetet shenjtëria e Nënë Terezës është “përgjigjja ndaj thirrjes” së Zotit”, “bindja ndaj frymëzimit hyjnor, shoshitur e pranuar si të tillë”. Kështu thoshte predikatari i Shtëpisë Papnore, atë Raniero Cantalamessa, në dhjetor 2003, pak pas lumnimit të Nënë Terezës, më 19 tetor të atij viti. Kapuçini pati mbajtur predikimet e Kohës së Ardhjes në Kapelën “Redemptoris Mater” të Pallatit Apostolik, në praninë e Papës Gjon Pali II dhe të Kuries Romake. Tani, në prag të 5 shtatorit - festa liturgjike e shenjtes shqiptare të bamirësisë dhe dita e kthimit të saj në Shtëpinë e Atit Qiellor - i përmbledh këto meditime në një libër, që doli sot në libraritë italiane. Siç ju njoftuam edhe dje, titulli është “Nënë Tereza – Një shenjte për ateistët e bashkëshortët”, botuar nga paolinët. Po ja ç’na thotë vetë atë Cantalamessa në mikrofonin tonë, duke filluar nga thirrja e Nënë Terezës…

         Përveç thirrjes së parë, që e bëri rregulltare, pati një thirrje të dytë, me të cilën Zoti i kërkonte ta linte urdhërin rregulltar, jetën e deriatëhershme, për të filluar një vepër, që fillimisht e trembi: duhej të themelonte një urdhër të ri murgeshash indiane, që t’u shërbenin më të varfërve ndër të varfër. Unë e krahasoj këtë thirrje me atë të Abrahamit, i cili nuk kishte arsye morale për të dalë nga Uri i Kaldenjve, por Zoti i kërkoi pikërisht këtë. E në fakt, Nënë Tereza rezistoi pak në fillim, sepse ia kalonte mirë në urdhërin e murgeshave të Loretos. Por kështu është gjithmonë fillimi i një aventure shenjtërie. T’i përgjigjesh thirrjes është gjithnjë diçka e re, e për të, fjala ishte për veprën e jashtëzakonshme, që e njohëm më vonë.

         Ju ndaleni edhe mbi terrin e shpirtit, që e shoqëroi jetën tokësore të Nënë Terezës. Si arriti, kjo shenjte e madhe, ta dojë edhe këtë “natë”?

         Ky qe elementi, që e turbulloi pak botën, kur u publikuan ditaret e Nënë Terezës, sepse ajo fliste për këtë errësirë, si për një “mungesë të Zotit”, madje, besonte praktikisht se ishte ateiste e se nuk e ndjente Hyjin. Ky është shpjegim shumë klasik në krishterim: nata e errët e Shpirtit. Disa shpirtra janë të thirrura ta jetojnë praktikisht mungesën e Zotit. Natyrisht, Hyji është më se i pranishëm në to, por nuk e ndjejnë. Kjo është provë purifikimi: shërben për purifikimin e shenjtorëve. Në predikim, unë them se tek Nënë Tereza, kjo natë e shpirtit kishte edhe qëllime të tjera, shpjegime të tjera. Një shpjegim është se kjo natë e mbronte, si të ishte ndonjë tutë amianti: atë, që duhej të përballonte zjarrin e mediave. Prandaj, ky boshllëk i brendshëm, ky “shkretim”, e mbronte nga dehja e famës. Sipas meje, ka edhe një shpjegim tjetër: Nënë Tereza përjetonte atë, që përjetojnë ateistët - një kategori e veçantë e tyre. Janë ata, që nuk mburren me ateizmin, por e jetojnë si ankth ekzistencial, si boshllëk të brendshëm. Siç thoshte Albert Camus, janë “shenjtorë pa Zot”. Shenjtëri, që del në pah nga përkushtimi për të tjerët, por pa besim në Zotin. Nënë Tereza e ka jetuar disi këtë situatë, prandaj, për këtë them se është shenjte për ateistët. E, edhe për bashkëshortët, sepse ka një analogji me martesën, në të cilën, fillimisht, ndodh ashtu siç ndodh me jetën e shenjtorëve: në fillim ka tërheqje reciproke, ngushëllim i njërit për tjetrin e, pak nga pak, mund të vijë koha në të cilën nuk provohet më asgjë e duhet vazhduar të duash jo për shkak të ngushëllimit që merr nga tjetri, por për hir të dashurisë së pastër. E Nënë Tereza është pak shembulli i kësaj situate: nguli këmbë, vazhdoi të dojë, edhe kur nuk ekzistonte më tërheqja fillestare. Kjo e purifikon dashurinë. E në të vërtetë, shumë bashkëshortë thonë se pas një farë kohe, dashuria, që ndërkohë piqet, është më e pastër se më parë.

         Në vitin 2003, ju predikuat në Kapelën “Redemptoris Mater” në praninë e Gjon Palit II, i cili ishte tashmë, shumë i sëmurë. Nënvizuat se Papa Vojtila po konsumohet prej vitesh në “shërbim të Shpirtit”. Cili është burimi i këtij shërbimi të Papës Gjon Pali II dhe të Nënë Terezës, të dy shenjtorë e miq?

         Nënë Tereza kishte – si të thuash - dy shndritje: njëra ishte ‘sitio’ (kam etje) për Jezusin, etja për dashuri; tjetra, shërbimi për të varfërit. E duke folur për shërbimin ndaj të varfërve, kujtoja se për Nënë Terezën, varfëria më e madhe ishte ajo e Zotit, varfëria e Shpirtit Shenjt. Papa Vojtila ka qenë shembull në këtë përkushtim në shërbim të Shpirtit: ishte shkrirë për këtë e, në atë çast, duke qenë në ato kushte sëmundjeje, që i kujtojnë të gjithë, mund t’ia lejoja vetes t’i flisja gati drejtpërdrejt. Prandaj, në një pikë të caktuar, i drejtohesha atij, kur thoja se pati dhënë shembullin e një jete, shkrirë për të tjerët.

Pse e botuat tani, librin për Nënë Terezën?

         Në kundërshtim me ç’bëj zakonisht, nuk i pata publikuar ato predikime menjëherë, pasi në disa prej teksteve citoja pjesë nga bashkëbisedimet e rezervuara të Nënë Terezës, që nuk ishin botuar akoma zyrtarisht. Gjithashtu, vitin e kaluar, pata rastin të bëj ushtrime shpirtërore në Shqipëri, ku pashë kush është Nënë Tereza për shqiptarët, sot. Nga ana tjetër, doli kohët e fundit Nxitja apostolike e Papës Françesku “Gaudete et exsultate”, kushtuar pikërisht thirrjes për shenjtëri në botën bashkëkohore. Kjo më bëri të kujtohem se Nënë Tereza është një nga shembujt e dukshëm të shenjtërisë moderne, së bashku me Atë Piun, që e përmend si “vëlla” të Nënë Terezës. Vetë shenjtja u fliste simotrave të veta për Ungjillin e famshëm “të pesë gishtave”, “You did it to me” – ju ma keni bërë mua – që tregon se shërbimi për të varfërit është i pandashëm nga shërbimi për Jezu Krishtin.

31 gusht 2018, 16:13