Kërko

Kardinali Leopoldo Brenes, kryetari i Konferencës Ipeshkvnore të Nikaraguas Kardinali Leopoldo Brenes, kryetari i Konferencës Ipeshkvnore të Nikaraguas 

Nikaragua. Kard. Brenes dënon vrasjen e civilëve

Së paku një e vdekur e dy të plagosur, të shtunën, gjatë një manifestimi për lirimin e të burgosurve politikë, në qytete të ndryshme të Nikaraguas, në kuadrin e protestave kundër presidentit Daniel Ortega. Zëri i kryetarit të Konferencës Ipeshkvnore të vendit.

R.SH. - Vatikan

Akoma dramatike gjendja në Nikaragua, ku, deri tani, kanë gjetur vdekjen rreth 400 vetë, që nga prilli, muaji i fillimit të protestave kundër presidentit Daniel Ortega, për shkak të dështimit të reformave shoqërore. Viktima e fundit, të shtunën, gjatë një manifestimi për lirimin e të burgosurve politikë në Matagalpa. Protestuesit u qëlluan me armë e shumë prej tyre u plagosën. “Ҫdo nikaraguan që vdes, i shkakton dhimbje krejt Nikaraguas e vrasja duhet dënuar nga të gjithë”. Kështu foli në konferencën e shtypit të së dielës, kryetari i Konferencës Ipeshkvnore të vendit, kardinali Leopoldo Brenes, kryeipeshkëv i Managuas.

Liri për të burgosurit

         Në fjalët e prelatit, dënimi për kushtet e të burgosurve politikë dhe dhimbja për familjarët. Kardinali Brenes i kërkoi popullit të luten për lirimin e tyre. Para gazetarëve, ai përmendi edhe rifillimin e Dialogut Kombëtar, për të cilin Organizata e Shteteve Amerikane (Osa) ka menduar një Komision të veçantë, me anëtarë nga vende të ndryshme e, me detyrën për t’i shoqëruar palët në gjetjen e zgjidhjeve paqësore për krizën në vijim.

Kard. Brenes për rifillimin e dialogut

         “Po bëjmë çdo përpjekje për t’u siguruar që Dialogu të fillojë sa më shpejt – nënvizoi kardinali Brenes. – Po përpiqemi të takohemi me ministrin e jashtëm, Denis Moncada, që përfaqëson Komisionin qeveritar, për të parë nëse na thotë ndonjë fjalë pozitive”. Dialogu pati filluar në gjysmën e majit, por është ndërprerë disa herë, deri sa u pezullua krejtësisht, në fund të qershorit. Protestat aktuale synojnë dorëheqjen e presidentit Ortega, i cili akuzohet për abuzime e korrupsion, gjatë 11 viteve të qeverisjes.

Afërsia e Kishës dhe e Papës për Nikaraguan

         Komisioni i shteteve amerikane u propozua nga SHBA-të, Argjentina, Kili, Brazili, Kolumbia, Peruja dhe Kanadaja, por qeveria nikaraguane është shprehur negativisht për të. Gjatë konferencës së shtypit, kardinali Brenes deklaroi se çdo institucion, që nuk ka për qëllim dëmtimin e vendit, është i mirëpritur. Ai nënvizoi edhe se në vend ndjehet afërsia e lutja e gjithë Kishës, nga Amerika e nga Evropa, si edhe lutja e veçantë e Papës Françesku.

14 gusht 2018, 12:49