Kërko

Meshë Meshë 

Nesër, Asambleja XXXI dioqezane e Eparkisë së Ungrës

Nesër e pasnesër do të mbahet në Frasnitë (Frascineto), zonë arbëreshe e Italisë, asambleja XXXI dioqezane e Eparkisë së Ungrës.

R.SH. - Vatikan

Pikërisht në vitin liturgjik, gjatë të cilit kremtohet 100-vjetori i eparkisë, meshtarë, murgesha e besimtarë reflektojnë mbi “Ëndrrën e Zotit për Kishën” e arbëreshëve të Ungrës, siç nënvizon, në mesazhin e tij, ipeshkvi, imzot Donato Oliverio.

Programi i asamblesë

         Pas Liturgjisë Hyjnore në kishën e Shën Marisë së Ngjitur në qiell, pjesëmarrësit do të zhvendosen në hotelin “La Falconara”, seli e takimit dyditor. Në program: relacione, lutje e vizita në kisha e muzeume. Vetë imzot Oliverio, në ftesën përkatëse, sqaron se relatorët do t’i ndihmojnë të pranishmit të përshkojnë fazat më domethënëse të historisë se Eparkisë. “Do të kemi rastin – shkruan imzot Oliverio – të konstatojmë besnikërinë e paraardhësve tanë ndaj Selisë Apostolike e ndaj Traditës Kostandinopojane, si edhe punën përgatitore të masës mirëdashëse e largpamëse të Papës Benedikti XV, që themeloi Eparkinë, më 13 shkurt 1919”.

Historia e ngulimit të arbëreshëve

         “Në kohën e themelimit – vijon eparku i Ungrës – në fshatrat arbëreshe, ndoshta, kishte pak nga trashëgimia kishtare bizantine, sjellë nga Shqipëria dhe nga Epiri. Por Zoti kishte një ëndërr për pasardhësit e atyre të shkretëve, që me dhimbje, ishin detyruar të braktisnin Atdheun Mëmë për të qëndruar të gjallë, të lirë e të krishterë. E ëndrrat e Zotit realizohen, në të mirë të njerëzve e për të shndritur historinë. E ne – pohon me krenari imzot Oliverio – jemi një realitet i dokumentuar e historik”. E mbi këto dokumente do të flasë nesër paradite, arkivisti i Kongregatës për Kishat Lindore, Gianpaolo Rigotti, pedagog i Archivistikës kishtare në Institutin Papnor Lindor në Romë. Tema e kumtestës së tij: “Eparkia e Ungrës në burimet e arkivit historik të Kongregatës për Kishat Lindore.

Temat e asamblesë

         “Gjatë asamblesë – sqaron më tej ipeshkvi, në ftesën e tij për asamble – do të na jepet një interpretim i kësaj pranisë sonë historike lindore në zemër të Kishës italiane, që është palestër eksperimentimi për bashkimin kishtar, për të shpejtuar hapat e afrimit ndërmjet vëllezërve të krishterë të Lindjes dhe të Perëndimit, me qëllim që të plotësohet vullneti i Zotit e i Shpëtimtarit tonë Jezu Krisht, gdhendur në stemën e Eparkisë sonë: ‘Që të jenë një’”. Pikërisht këtij synimi i përgjigjet relacioni i prof. Riccardo Burgiana, pedagog i historisë ekumenike të Kishës në Institutin e Studimeve Ekumenike “Shën Bernardini” në Venedik, me temë “Drita e dialogut. Ҫ’do të thotë ta jetosh dialogun ekumenik në një Kishë lokale”. Me vlerë, në këtë kuadër, edhe kumtesa e 31 gushtit, me temë “Të shkojmë përtej. Të ecim në botë për të kumtuar Krishtin”, përgatitur nga vikari për baritorinë dhe delegati për ekumenizmin e dialogun ndërfetar në kryedioqezën e Lukës, don Mauro Lucchesi. Asambleja do të mbyllet me fjalën e ipeshkvit e me paraqitjen e dokumentit përfundimtar.

29 gusht 2018, 15:55