Versioni Beta

Cerca

Vatican News
Nënë Tereza Nënë Tereza 

Nënë Tereza dhe Skënderbeu në një mbrëmje kulturore në Prishtinë

Kumtesa me temë: “Thirrja e Ganxhe Bojaxhiut dhe nisja e saj për mision në Kalkuta të Indisë”; rëndësia e akademive kulturoro-shpirtërore si ajo e djeshmja në Prishtinë; si edhe veprimtaritë e ardhshme të ipeshkvisë së Kosovës, në intervistën me vikarin e përgjithshëm, don Lush Gjergji.

R.SH. - Vatikan

Akademi kulturore-shpirtërore për Shën Nënë Terezën dhe për 550-vjetorin e vdekjes së Gjergj Kastriotit-Skënderbeut. Dje, pikërisht në përvjetorin e lindjes së Nënë Terezës, në orën 19.00, në katedralen shën Nënë Tereza në Prishtinë të Kosovës, u organizua një mbrëmje tematike me kumtesa, këngë, poezi dhe një ekspozitë mbi Skënderbeun, sipas fondeve të Arkivit Shtetëror të Dubrovnikut, përgatitur nga Gjon Berisha. E gjithë shenjtërorja u mbush me vargje, thurur nga lutjet, ose thëniet e Nënë Terezës; kumboi nga tingujt e këngëve që i janë kushtuar shenjtërores shqiptare të bamirësisë; dëgjoi fjalën përshëndetëse të ipeshkvit, imzot Dodë Gjergjit e kumtesën e mbajtur nga vikari i përgjithshëm, don Lush Gjergji. Në fund, një koktej në oborrin e katedrales. Por më hollësisht, të dëgjojmë don Lush Gjergjin, në lidhje telefonike nga Kosova, në intervistën e Klaudia Bumçit…

Dëgjo intervistën me don Lush Gjergjin

Nëntëditëshi i Nënë Terezës

Ndërkaq, sot, filloi nëntëditëshi kushtuar Shën Nënë Terezës, përgatitje shpirtërore për festën e saj liturgjike, më 5 shtator. Meshët e shenjta do të jenë çdo ditë në Katedralen Shën Nënë Tereza në Prishtinë, në ora 19:00, paraprirë nga Rruzarja dhe Litanitë e Nënë Terezës në ora 18:30. Të gjithëve u jepet mundësia për rrëfim.

         Mesha e sotme kremtohet pikërisht nga don Lush Gjergji e tema e homelisë së tij do të jetë “Roli i Nënës Dranë në jetën e Nënë Terezës. Pas lutjes përfundimtare të meshës, meshtarët të shoqëruar nga ministrantët do të shkojnë në procesion te Relikja e Gjakut të Shën Nënë Terezës për t’u lutur.

27 gusht 2018, 14:50