Kërko

Misionar në Meksikë Misionar në Meksikë 

Në Meksikë vritet përsëri një meshtar

U gjet trupi pa jetë i Atë Miguel Gerardo Flores Hernandez, zhdukur më 18 gusht. Kisha i fton besimtarët të luten për situatën e rëndë, ngarkuar me dhunë, në qytetet meksikane. Në gjashtë vjet, në vend u vranë 23 meshtarë.

R. SH. - Vatikan

Një tragjedi e re luhet në Meksikë: protagonist, atë Miguel Gerardo Flores Hernandez, 49 vjeç, misionar i Familjes Shenjte. I paqartë, shkaku i vrasjes. Mendohet për grabitje të përfunduar keq. Ndërkaq ipeshkvijtë e vendit shprehin shqetësimin e tyre të thellë për situatën e krijuar, në të cilën të gjithë kanë frikë  nga sulmet, rrëmbimet e dhuna, që përsëriten çdo ditë.

Vrasja dhe gjetja e trupit

Të shtunën, më 25 gusht, trupi i meshtarit u gjend në një tokë të braktisur, në qytetin Nueva Italia, komunë e Múgica-s, në shtetin meksikan Michoacán. Sipas Agjencisë Fides, meshtari u zhduk që më 18 gusht e, ndonjë ditë më pas, iu paraqit autoriteteve edhe denoncimi zyrtar. Sipas ipeshkvit të Morelias, imzot Herkulano Media Grafias, meshtarin ka shumë mundësi ta kenë vrarë për t’i vjedhur furgonin. Vrasja nuk duhet të ketë lidhje me krimin e organizuar, por gjithsesi fjalën e fundit do ta thonë hetimet, që vijojnë.

Duke i ftuar meshtarët dhe besimtarët për maturi, ipeshkvi i Grafias pohoi: “Në rrethana të tilla, çdo njeri është i vetëdijshëm se mund të sulmohet, të kërcënohet a të rrëmbehet nga çasti në çast. Ndërsa Kisha vijon të bëjë thirrje për pajtim e falje”.

Komunikata e kryedioqezës Morelia, marrë edhe nga Fides, i shpreh ngushëllimet kryeipeshkvit, ipeshkvijve ndihmës, meshtarisë  dhe mbarë kryedioqezës. “Zoja e Shëndetit” ndërmjetësoftë për vëllain tonë meshtar. E ngushëlloftë nënën e tij, vëllezërit, miqtë e mbarë bashkësinë. Do të vijojmë të lutemi që të marrë fund situata e rëndë, e ngarkuar me dhunë, në qytetet tona – shkruhet në komunikatë.

Jetë, në shërbim të të tjerëve

Atë Miguel, nga Sombrerete, meshtar i Misionarëve të Familjes Shenjte që nga viti 2007, ishte zëvendës-famullitar në Famullinë e Shën Katarinës de Alejandria në Jucutacato. Punonte dhe në Qendrën Nazareth për formimin familjar. Merrej kryesisht me çiftet, fëmijët e braktisur e të rinjtë. Njerëzit e donin dhe e vlerësonin shumë për punën e palodhur në shërbim të të tjerëve.

Drama e meshtarëve të vrarë në Meksikë

Rasti i atë Flores nuk është i vetmi. Në Meksikë vijon prej kohe dhuna kundër meshtarëve. Sipas të dhënave të Qendrës Katolike Multimediale, gjatë gjashtë vjetëve të fundit, në Meksikë u vranë 23 meshtarë. Veç meshtarëve, në shënjestër janë edhe gazetarët si dhe aktivistët për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Duke parë situatën e rëndë, Kisha u kërkon meksikanëve të heqin dorë jo vetëm nga armët, por edhe nga mllefi, hakmarrja dhe të gjitha ndjenjat shkatërrimtare. U bën thirrje edhe autoriteteve të marrin masa për t’i prerë rrugën ngjarjeve të tilla tragjike e të përsëritura, që kallin frikë dhe pasiguri.

29 gusht 2018, 11:30