Versioni Beta

Cerca

Vatican News

Në Manaus, takimi i tretë i Kishës Katolike në Amazonë

Ipeshkvijtë brazilianë diskutojnë në Manaus për çështjet ambientale dhe për Sinodin panamazonik, në program në Romë, në muajin e tetorit 2019.

R.SH. - Vatikan

Të shkëmbehen përvojat, të fiksohen objektivat e përbashkëta e të thellohen çështjet lidhur me Sinodin panamazonik, në program në Romë, në muajin e tetorit 2019. Ky është synimi i takimit të tretë të Kishës Katolike në Amazonë, që u hap dje në Manaus të Brazilit.

Kishë me fytyrë amazonike

         Në këtë takim, promovuar nga Rrjeti Kishtar Panamazonik (Repam) dhe nga Komisioni për Amazonën i Konferencës Ipeshkvnore të Brazilit, marrin pjesë 55 ipeshkvij, kryesuar nga kardinali Claudio Hummes, kryetar i Repamit. Ndër temat në qendër të diskutimeve, çështja ambientale dhe Sinodi. Sfida, që duhet të përballojnë ipeshkvijtë, është kërkimi i udhëve të reja për praninë dhe veprimtarinë misionare të Kishës në rajon, që ajo të bëhet – siç thotë gjithnjë Papa Françesku – një Kishë me fytyrë amazonike.

Dokumenti përgatitor i Sinodit të ipeshkvijve

         Gjatë takimit të Manaus, ekspertët, që kontribuan në realizimin e Dokumentit përgatitor të Sinodit, do t’i ndihmojnë prelatët e Amazonës në udhën drejt këtij takimi të rëndësishëm, duke analizuar dokumentin, metodologjinë e Asamblesë sinodale dhe përgjigjet e pyetësorit, ardhur nga rrethet kishtare të rajonit amazonik. Në Dokumentin përgatitor nënvizohet, ndër të tjera, se për Kishën është themelore “t’i dëgjojë popujt autoktonë dhe të gjitha bashkësitë, që jetojnë në Amazonë”. Ky rajon – lexohet së fundi në tekst – është pasqyrë e gjithë njerëzimit dhe kërkon “ndryshime strukturore e personale të të gjithë njerëzve, të shteteve dhe të Kishës”.

21 gusht 2018, 12:56