Mesha në Bazilikën e Shën Mariosë së Madhe Mesha në Bazilikën e Shën Mariosë së Madhe 

Në Bazilikën e Shën Marisë së Madhe, festa e dëborës

Kremtohet përsëri sot, Solemniteti i kushtimit të Bazilikës Papnore të Shën Marisë së Madhe, në Romë.

R. SH. - Vatikan

Kremtohet përsëri sot, Solemniteti i kushtimit të Bazilikës Papnore të Shën Marisë së Madhe, në Romë. E, më pas, për të 35-tën herë, në Sheshin para Bazilikës, përkujtohet edhe “Mrekullia e dëborës”, rënia e dëborës më 5 gusht 358, shenjë me të cilën Maria kërkoi të ngrihej një kishë pikërisht aty, ku do të binin flokët e bardhë, në mesin e vapës së verës.

Në orën 10.00 u kremtua Mesha e Solemnitetit të Kushtimit të Bazilikës, kryesuar nga kryeprifti, kardinali Stanislaw Rylko. Gjatë “Gloria-s”,  nga tavani i Bazilikës u resh mbi kokat e besimtarëve, një shi petalesh të bardha, simbol i flokëve të dëborës, që ranë mbi trojet ku vetë Zoja deshi t’i lartohej Bazilika më e lashtë, kushtuar nga krishterimi.

Në orën 17.00, kremtimi i Mbrëmësores, kryesuar nga imzot Piero Marini. Gjatë kohës kur këndohej himni “Magnificat”, rifilloi dëbora e petaleve të bardha.

Në orën 18.00, Mesha përfundimtare, kryesuar nga imot Francesco Canalini.  

Ndërsa në orën 21.00,  në Sheshin para Bazilikës, rikujtohet “Mrekullia e dëborës”, në piskun e vapës së gushtit, organizuar nga Komuna e Romës. Kjo shfaqje prekëse, që jepet për herë të 35-të, nisi në vitin 1983, nën drejtimin e arkitektit Cesare Esposito.

E, siç bëhet tashmë çdo vit në festën e tingujve dhe të dritave, mbi të pranishmit do të flaurojnë petalet e bardha, simbol i dëborës, që e çoi vetë Zoja në këtë vend.

Bazilika e Shën Marisë së Madhe është shenjtërorja më e lashtë mariane e Perëndimit. U ndërtua nga Papa Siksti III pak pas Koncilit të Efesit të vitit 431, në të cilin Maria u shpall solemnisht Nëna e Zotit. Sipas traditës, Virgjëra Hyjnore iu duk në ëndërr Papës Liberi dhe i kërkoi të ndërtohej një kishë, aty ku do të binte dëborë mes vapës.

E kështu ndodhi më 5 gusht të vitit 358 në zonën e Eskuilinit, ku sot ngrihet Bazilika, e cila njihet jo vetëm për lashtësinë, por edhe për vlerat  artistike. Këtu shkon Papa Françesku për t’u lutur, para çdo shtegtimi e po këtu vjen për ta falenderuar Zojën, në kthim. Figura e Zojës “Salus Populi Romani”, para së cilës gjunjëzohet në lutje Papa Françesku, është shumë e dashur për jezuitët e për papët. Shën Injaci, themeluesi i Urdhërit të jezuitëve kremtoi aty Meshën e tij të parë. Papa Piu XII u gjunjëzua para saj për ta nderuar kur shpalli dogmën e Zojës së Ngjitur në Qiell, më 1950.

Papa Gjon Pali II ua besoi të rinjve Figuren Mrekullibërëse, në Ditën Botërore e Rinisë 2000, së bashku me kryqin, “që të gjithë ta kishin të qartë se Maria është Nëna, e cila të çon te Krishti”. Shenjti i ardhshëm polak, që nga fillimi i papnisë, deshi një llambë gjithnjë të ndezur pranë fugures së Zojës, dëshmi e devocionit të tij të madh.

05 gusht 2018, 11:57