Kërko

Bazilika e Shën Françeskut në Asizi të Italisë Bazilika e Shën Françeskut në Asizi të Italisë 

Në Asizi, lutja e parë ekumenike për Gjithësinë

Me rastin e Ditës së katërt Botërore të lutjes për kujdesin ndaj Gjithësisë, themeluar nga Papa Françesku më 10 gusht 2015, Asizi do të presë të krishterë nga e gjithë bota për lutjen e parë ekumenike lidhur me mbrojtjen dhe ruajtjen e gjithçkaje ka krijuar Zoti.

R.SH. - Vatikan

Duam të reflektojmë “mbi nevojën e ndryshimit të qëndrimit tonë ekologjik” e të japim një sinjal të përbashkët, një “mesazh të fuqishëm” për t’i nxitur të gjithë, duke filluar nga të krishterët, që të kujdesen për ambientin, “shtëpinë tonë” të përbashkët. Me këto fjalë, drejtoresha e programeve evropiane e Lëvizjes Katolike botërore për Klimën, Cecilia Dall’Oglio, paraqet, në mikrofonin tonë, lutjen e parë ekumenike për Gjithësinë, që do të thuhet në kuadrin e një Takimi në Asizi, sot e nesër. Ngjarja organizohet në kuadrin e Kohës së Gjithësisë, e cila fillon më 1 shtator, në Ditën Botërore të Lutjes për kujdesin ndaj Gjithësisë, themeluar nga Papa Françesku, dhe përfundon më 4 tetor, në festën e Shën Françeskut të Asizit, themelues i Urdhërit françeskan. Tema e këtij viti është “Të ecim së bashku”. Lutja ekumenike do të nisë edhe shtegtimin “Udha e Françeskut”, nga Asizi në Gubio, përmes të cilit “Fryma e Françeskut” do të mbërrijë deri në Katovice të Polonisë, vendlindja e shën Gjon Palit II, ku do të mbahet Konferenca Ndërkombëtare mbi Klimën, Cop 24, organizuar nga OKB-ja, për të vendosur konkretisht mbi mënyrën e zbatimit të Marrëveshjes së Parisit.

Të bashkuar për të mbrojtur krijimin

         Koha e Gjithësisë është kremtim vjetor lutjeje dhe veprimi për të mbrojtur “shtëpinë e njerëzimit”. Kremtohet nga mijëra të krishterë në të gjithë botën, me nisma të ndryshme. “Ne besojmë – nënvizon Cecilia Dall’Oglio – se kujdesi për Gjithësinë nuk duhet shtyrë për më tej, se është thirrje urgjente për veprim, sepse i shohim çdo ditë pasojat shkatërruese të keqtrajtimit të ambientit”. Lëvizja Katolike Botërore për Klimën është koalicion, ku marrin pjesë më se 650 organizata katolike nga e gjithë bota, të cilat impenjohen për ta jetuar Letrën enciklike “Lëvduar qofsh” të Papës Françesku, përmes shndërrimit të stilit të jetesës dhe politikave të guximshme, në gjendje ta ndryshojnë procesin e degradimit aktual. Për të nënvizuar më tej nevojën e bashkimit të feve në përballimin e krizës ekologjike, më 1 shtator, në Asizi, do të lexohet një Deklaratë ekumenike, në praninë e “më të brishtëve” të shoqërisë, përfshirë në këtë nismë, nga Instituti Serafik i Asizit. Duam “të vihemi në lëvizje – përfundon Cecilia Dall’Oglio – edhe të rrezikojmë diçka, që bashkësitë tona ta jetojnë këtë kujdes për më të fundmit, që ta kenë atë vështrim, atë mënyrë të dëgjuari, karakteristike për Kishën në dalje, e kështu, secili, aty ku jeton e punon, t’u dëshmojë afërsi të tjerëve”.

Dëgjo intervistën origjinale me Cecilia Dall'Oglio
31 gusht 2018, 12:50