Motër Elena Rregjina Lulashi Motër Elena Rregjina Lulashi 

Motër Elena nga Gurëzi, sërish eprore e bazilianeve

Motër Elena – Rregjina Lulashi, sërish eprore e bazilianeve. Dje, në Horën e Arbëreshëve (Piana degli Albanesi), në Sicili, ajo u zgjodh përsëri në këtë detyrë, që e mban nga viti 2012, gjatë sinaksit të murgeshave Bija të Shën Makrinës, në praninë e eparkut, imzot Giorgio Demetrio Gallaro.

R.SH. - Vatikan

Motër Elena, të cilën e kemi intervistuar shpesh, edhe pse është mbesa e martirit të Kishës Katolike, të Lumit don Lek Sirdanit, është lindur në Gurëz të Shqipërisë dhe është një ndër murgeshat e para shqiptare, që u zgjodh eprore e përgjithshme e urdhërit të vet, pas komunizmit. Gjithnjë e thjeshtë, flet pak për veten e shumë për dy vëllezërit martirë, dajat e vet: don Aleksandër e atë Marin Sirdani OFM. Për ta ka shkruar edhe librin “Dy vëllezër martirë”, publikuar nga “Agimi – Otranto”. Dëshmi e gjallë e persekutimit të Kishës Katolike gjatë komunizmit dhe e qëndrimit të besimtarëve para diktaturës së patënzot.

Cilat janë motrat baziliane – Bijat e Shën Makrinës

Motrat baziliane – Bijat e Shën Makrinës janë institut rregulltar femëror i së drejtës papnore. Themeluar për të kontribuar në dialogun ekumenik e në bashkimin me vëllezërit e krishterë të Lindjes, janë të pranishme në zonat arbëreshe në Itali, në Shqipëri dhe në Kosovë, si edhe ndër popullsitë indiane, që ndjekin ritin bizantin. Kongregata u themelua nga atë Nilo Borgia, hieromurg bazilian i Horës së Arbëreshëve në Grottaferrata, së bashku me të motrat Elena e Agnese Raparelli. Më 1920, kur u dërgua në Mezzojuso, murgu i mirënjohur kuptoi se plani i tij mund të realizohej ndër arbëreshët e ritit bizantin.

Të motrat, që si rregulltare, morën emrat e Makrinës dhe të Eumelias, mbërritën në Mezzojuso më 8 korrik 1921 e murgeshat e para i bënë kushtet më 30 korrik 1930. Motër Makrina, shpallur “e nderuar” nga Papa Françesku më 2017, qe gjithë jetën eprore e përgjithshme, ndërsa motër Eumelia mësoi rishtaret. Atë Nilo Borgia qe drejtuesi shpirtëror i motrave. Bazilianet ndodheshin në Shqipëri deri në vitin 1946, kur u vendos përfundimisht komunizmi, e u kthyen prapë pas rënies së tij. Në Kosovë, shërbejnë që prej vitit 1980. Kongregata ka aktualisht më se 80 rregulltare, shpërndarë në 17 shtëpi.

09 gusht 2018, 14:06