Kërko

Imzot Dodë Gjergji, ipeshkëv i Kosovës Imzot Dodë Gjergji, ipeshkëv i Kosovës 

Meshë falenderimi për mërgimtarët e Kosovës

Më 1 gusht, në Prishtinë, mesha për besimtarët, që jetojnë dhe punojnë jashtë atdheut, në kuadrin e veprimtarive me temë: “Ditët e Diasporës në Kosovë”.

R.SH. - Vatikan

Kisha Katolike në Kosovë e ka bërë traditë që çdo vit, më 1 gusht, të kremtojë një meshë për  besimtarët e vet, që jetojnë dhe punojnë jashtë atdheut, duke iu bashkëngjitur kështu, veprimtarive me temë:  “Ditët e Diasporës në Kosovë”. Të ndjekim informacionin e Rabije (Mrikë) Ibraj…

Dëgjo Rabije Ibrajn...

 Mesha u mbajt në kishën katedrale “Shën Nënë Tereza” në Prishtinë ku morën pjesë shumë bashkatdhetarë,  meshtarë e motra nga Kosova, që kryejnë misione nëpër vende të ndryshme, e kryesisht  në Evropë, si  dhe vullnetmirë të tjerë, që u bashkuan në këtë meshë, e cila kishte për qëllim mirënjohjen dhe falenderimin ndaj tyre, për atë që po bëjnë për familjet, kishën  dhe atdheun.

 “Jetojmë në një muaj kur kisha jonë, në të gjitha famullitë e saj, është mbushur me festa e gëzime!. Kjo traditë e përvjetshme për të thënë meshë me një gusht është gëzim për mua dhe meshtarët që punojnë këtu, është dita e falenderimit, është dita e lutjes, është dita e takimit, është dita kur ne të gjithë së bashku  dëshirojmë ta falenderojmë Zotin, Hyjin tonë, për të mirat që na i ka dhënë ne si kishë, si popull, dhe si familje!. E, Kisha dëshiron ta lusë Zotin për juve, për gjithë kontributin  e angazhimin tuaj”, ju tha fillimisht mërgimtarëve imzot Dodë Gjergji, duke iu uruar mirëseardhjen dhe qëndrimin sa më të mirë në vendlindje!

Kudo qe gjendemi tha ai, nevoja e shpirtit është të jemi mirë me Zotin, e mirë me njëri-tjetrin në familje e gjetiu, sepse shpirti nuk ka etje më të madhe se sa për lumturinë  në familje, e këtë dhuratë të madhe të nevojës së shpirtit tonë askund  nuk mund ta gjejmë përveçse në fe, në mbështetjen e engjëjve e shenjtëve  që na rrethojnë. “Dashuria për njëri-tjetrin dhe nevoja për të qenë pranë njëri-tjetrit me dashuri, e pasuron shpirtin  tonë, sepse secilit  prej nesh i duhet  mbështetja, ndihma e kurajo e dikujt. E, kisha si Nanë, e ka këtë rol, ku me përvujtëri  iu afrohet  bijave e bijve të vet dhe përmes shërbesës  së meshtarëve e motrave, që janë nëpër misione, përpiqen që çdo ditë të percjellin këtë mision të shenjtë tek ju”, tha imzot Dodë Gjergji.

Ipeshkvi ynë i mirënjohur, Imzot Nikë Prela, tha ai në vazhdim, gjeneratave më të vjetra  që punonin  jashtë, u kishte thënë: “Ju jeni ambasadorët tanë nëpër botë”, prandaj edhe unë po e them që, secili prej jush që jeton e vepron në botën e jashtme është ambasador i kishës tonë  dhe vendit tonë. Jo vetëm kaq, tha ipeshkvi, por secili prej jush duhet të jetë edhe misionar për të dëshmuar dhe për të shpallur fenë, e për të bartur miqësinë e popujve  tjerë, sepse nuk është vetëm  lëmosha, paratë që i jepni për kishën,  familjen e vendin tuaj, për çka e lus Zotin që t’ju shpërblejë, por kontributi juaj është më i madh se kaq, përfundoi fjalën e tij, imzot Dodë Gjergji, duke e lutur Shenjten tonë Nënë Terezën për ndërmjetësi tek Zoti që të mbretërojë paqja e dashuria  në vendin tonë.

Pas meshës për mërgimtarët, në ambientet e katedrales u shtrua një koktej rasti për të kremtuar të gjithë bashkë ardhjen e tyre në Kosovë.

07 gusht 2018, 09:07