pio-xii-e-la-madonna ok.jpg

Maria Mbretëreshë: festa dhe papët në shekuj

Më 22 gusht, Kisha përkujton të Lumen Mari Virgjër Mbretëreshë. Këtë festë e themeloi më 1954, Papa Piu XII, i cili shprehu kështu perceptimin e qartë të këtij dinjiteti mbretëror që nga Shkrimi Shenjt, në liturgji, art e në përshpirtërinë e popullit të krishterë.

R.SH. - Vatikan

Festa e Zojës Mbretëreshë, që Kisha e kremton sot, i ka rrënjët në shekujt e parë të historisë së krishterë. I pari që e quajti shën Marinë, Mbretëreshë, qe shën Efraimi në shekullin IV. E ndoqën etër të tjerë të Kishës, duke i njohur Zojës dinjitetin mbretëror, si Nënë e Mbretit të Gjithësisë. Në Koncilin e Efesit, në shekullin V, kundër tezave të Nestorit, u pranua se Maria është Theotòkos, pra, Nëna e Zotit. Që këndej, nisi praktika e kurorëzimit të Zojës. Por, devocioni për të duhet të presë shekullin XX, që të marrë formën e festës së vërtetë liturgjike.

Festa e Zojës Mbretëreshë

         Papa Piu XII, me enciklikën “Ad Coeli Reginam”, në vitin 1954, themeloi për herë të parë festën e Zojës Mbretëreshë të Gjithësisë, duke e fiksuar më 31 maj. “Nuk është e vërtetë e re kjo, që i propozohet popullit të krishterë – shpjegon Papa – sepse bazat dhe arsyet e dinjitetit mbretëror të Marisë, shprehur gjerësisht në çdo kohë, gjenden në dokumente të lashta të Kishës dhe në librat e Liturgjisë shenjte”. Papa Pacelli i referohej Shkrimit Shenjt dhe etërve të Kishës, liturgjisë dhe artit. Pas reformës liturgjike, festa u zhvendos nga Papa Pali VI më 22 gusht, tetë ditë pas të Ngjiturit të Zojës në Qiell, për të nënvizuar natyrën e njëjtë me atë të glorifikimit të korpit të saj. Për t’u vënë në dukje se qe pikërisht Papa Piu XII ai, që kishte shpallur dogmën e të Ngjiturit të Zojës në Qiell, në vitin 1950.

Tradita e kurorëzimit të Marisë

         Kurorëzimi i shën Marisë Virgjër ishte gjest shumë i ndjekur nga populli. I pari që i ka kurorëzuar solemnisht paraqitjet e ndryshme të Zojës mbahet frati kapuçin Girolamo Paulucci de Calboli nga Forli, në periudhën ndërmjet ‘500-ës dhe ‘600-ës. Kjo traditë e ndjente atmosferën e krijuar pas Koncilit të Trentit e kishte edhe aspekt pendestar, pasi besimtarët dhuronin në shenjë largimi nga kotësitë e kësaj bote, arin dhe gurët e çmuar, që shërbenin për kurorën. Traditë e rëndësishme, vijuar në vite nga kapuçinët e më pas, në veçanti nga konti i Borgonovos, Alessandro Sforza Pallavicini, i cili i la një trashëgimi të madhe Kapitullit të Shën Pjetrit në Vatikan, për të kurorëzuar fuguret më të famshme të Zojës.

Lëvizja, që solli festën

         Por është fillimi i viteve ‘900 ai, që do të sjellë kërkesën për ta shpallur Zojën, Mbretëreshë të Gjithësisë, duke nisur nga tre kongreset mariane të viteve të para të shekullit. Nxitja tjetër erdhi edhe nga Papa Piu XI, që në përfundim të Vitit Shenjt 195l, shpalli festën e Krishtit Mbret. Pastaj, qe një grua, Maria Desideri, e cila në vitet ’30, themeloi në Romë lëvizjen “Pro regalitatae Mariae”, duke mbledhur peticione në të gjithë botën, në favor të kësaj feste. Qe kjo rruga, që e nxiti Papën Piu XII të shpallë festën, i cili nuk kishte harruar edhe ndihmën e Zojës për Romën, gjatë Luftës II Botërore, kur shmangu ndeshjen ndërmjet gjermanëve dhe aleatëve. Jo rastësisht, ai shpalli vitin marian 1953, gjatë të cilit përuroi homazhin tradicional, që i bëjnë Papët Zojës në sheshin e Spanjës në Romë, çdo vit, më 8 dhjetor.

Papët dhe shën Maria Mbretëreshë

         Të paharrueshme lutjet e shumta dhe aktet e kushtimit Marisë, që shën Gjon Pali II bëri gjatë papnisë së tij, me moton “Totus tuus”. Edhe Benedikti XVI ia pati kushtuar audiencën e përgjithshme të 22 gushtit 2012, duke shpjeguar pse Zoja është mbretëreshë:

         “Si e ushtron Maria këtë privilegj mbretëror shërbimi dhe dashurie? Duke vigjëluar mbi ne, bijtë e saj: bij, që i drejtohen Asaj në lutje, për ta falenderuar, ose për t’i kërkuar mbrojtjen amnore e ndihmën e saj qiellore, pasi, ndoshta, e kanë humbur rrugën, nën thundrën e dhimbjes apo të ankthit për ngjarjet e trishtuara e për shqetësimet e jetës. Në qetësinë, ose në errësirën e jetës, ne i drejtohemi Marisë, duke i besuar ndërhyrjes së saj të vazhdueshme, që i Biri të na nxjerrë çdo hir e mëshirë të nevojshme për shtegtimin tonë përgjatë udhëve të botës”.

         “Maria nuk është mbretëreshë e largët, që ulet mbi fron, por Nëna që përqafon të Birin e, me Të, të gjithë ne, bijtë e saj. Është Nënë e vërtetë, me fytyrë të shenjuar, nënë që vuan, sepse i ka vërtet për zemër problemet e jetës sonë”, kujtoi, më pas, Papa Françesku, në videomesazhin e vitit të kaluar, për 300-vjetorin e kurorëzimit të fugures së Virgjërës së Ҫestokovës, në Poloni. Pra, Kisha ka dashur gjithnjë të theksojë se dinjiteti mbretëror i Marisë vjen nga shërbimi e dashuria, ashtu si ai i Birit të vet.

22 gusht 2018, 14:06